Kush janë shkaktarët e situatës paradoksale në Kosovë?

Para 17 viteve, edhe pesimistët më të mëdhenj e kanë pasur të vështirë për të imagjinuar, se Kosova e jonë do të katandiset kështu keq përgjatë viteve të lirisë së saj !” Kush e ka menduar Kosovën e pavarur tetë vite më pas; pa zhvillim ekonomik, pa shëndetësi kualitative, pa arsim cilësor, pa ushtri të veten, të izoluar nga bota perëndimore, të enklavizuar dhe të barrikaduar nga pakicat serbe, me autostrada moderne dhe varfëri ekstreme!

Situata e krijuar këtyre viteve, muajve dhe ditëve të fundit në Kosovë nuk është e rastësishme, është produkt i investimeve disa vjeçare të organizatave të caktuara ndërkombëtare që për qëllim kanë ndryshimin e hartës gjeopolitike dhe fetare sipas orekseve sllavo-turke në Ballkan.

Në një vend ku nuk i pranon rregullat dhe ligjet e atij vendi nuk mund të përfitosh as një asistencë sociale e lëre më shumë, ndërsa në paradoksin e quajtur Kosovë ndodhë e kundërta, ata (serbët) që nuk e njohin dhe pranojnë ligjet e vendit gëzojnë të gjitha privilegjet e shtetit, madje bëhen drejtues shteti, ministra dhe kuvendar!
Ku pos në Kosovën e mjerë, ndodhë që hajnat dhe kriminelët, në vend të burgut, të ngriten në majat e pushtetit !

Kush e ka menduar se do të kalojnë kaq shumë vite pa stabilitet ekonomik, pa stabilitet energjetik dhe pa stabilitet politik, pa perspektivë për ardhmëri për jetë në Kosovën e lirë !
E gjithë kjo katrahurë ka ardhur si rezultat i kapjes së shtetit dhe pushtetit nga bandat mafioze dhe kriminale të këtyre viteve të pas pavarësisë, duke zhvatur e gjithë pasurinë publike dhe shtetërore që rezultoi me pasurimin ekstrem të kësaj klase politike, duke u shndërruar në multimilioner, ndërsa në anën tjetër popullata gjithnjë e më shumë shkon duke u varfëruar.

Historia që harrohet është e destinuar të përsëritet prap !

Krimi që klasa politike ka bërë kundër këtij populli nuk është vetëm korrupsioni, hajnia, zhvatja e pasurisë publike dhe shtetërore, por mbi të gjitha është mbytja e shpresave të njerëzve për të jetuar në shtetin e tyre, për të cilin sakrifikuan shumë dhe pritën një kohë të gjatë.
Si rezultat i kësaj situate, 17 vjet pas “largimit” të Serbisë nga Kosova, dhe këtyre tetë viteve të “pavarësisë”, na u paraqiten të njëjtat skena të ekzodit të përmasave alarmante, të ikjes së shqiptarëve nga Kosova!
Përderisa viteve të 90-ta, shqiptarët e Kosovës iknin nga dhuna dhe represioni sistematik i Millosheviqit, tani për fat të keq, po ikin nga pasojat e keqqeverisjes së lidershipit shqiptar, në shtetin e “pavarur” të Kosovës.

Aq zhgënjyese dhe e pashpresë është situata sot në Kosovë, saqë njerëzit janë të gatshëm të shesin e gjithë pasurinë e tyre për t’u larguar nga vendi ku kanë lindur.
Ajo çka është më dëshpëruese, shpresat për jetë në vendin e tyre kanë filluar t’i humbasin edhe intelektualët e ndershëm, truri dhe ajka e kombit,…jeta e të cilëve është vështirësuar nga injoranca e kësaj klase politike,… si dikur Fishta, Noli, Konica, Kadare, që nuk e kanë braktisur atdheun nga qejfi por nga zori,…Kosova e sotme nuk është vend për njerëzit e ndershëm…!
Deri këtu e sollën Kosovën kjo klasë kusarësh dhe matrapazësh politik, të cilëve nuk ju intereson jeta e qytetarëve as fati i vendit të vet.

Bazuar nga përvojat e deritanishme të veprimeve të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht institucioneve të saja të instaluara në Kosovë, të ndikimit të fuqishëm të tyre ndaj institucioneve tona,…mbetët pak për të shpresuar për ndryshim të shpejtë të gjendjes në Kosovë.
Andaj, lirisht mund të thuhet se, pengmbajtësit e dorës së parë të së ardhmes sonë janë ndërkombëtarët në bashkëpunim me klasën e korruptuar politike, si pengmbajtës së dorës së dytë dhe shkatërrues dhe rrënues të shpresave të shumë gjeneratave në këtë vend.
Si gjithnjë, aferat e mëdha korruptive kanë qenë të koordinuara mirë me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, si bie fjala; afera e pasaportave, e vizave nëpër ambasada e deri tek skandali i madh korruptiv në “misionin” e EULEX-it!

Pa një koordinim të shkëlqyer me ndërkombëtarët, nuk do të mbetnin pa ndëshkuar as aferat korruptive në Policinë e Kosovës, siq ishte rasti i vjedhjes së mbi 50 kg drogë dhe qindra-mijëra euro në dhomat e dëshmive në stacionin policor në Prishtinë, pastaj vjedhja e Arit në dhomat e dëshmive në Pejë e gjetiu në Kosovë!
Të gjithë jemi dëshmitar të situatës së fundit të krijuar në parlamentin e Kosovës, bllokadat dhe pakënaqësitë qytetare, që shkaktuan dy marrëveshjet e dëmshme në Bruksel, në kundërshtim edhe me kushtetutën e vendit.

Kush tjetër pos ndërkombëtarëve është duke i mbrojtur shkelësit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Po ndodhë pikërisht kështu, pasi qeveritarët tanë, përfshirë edhe një pjesë të opozitës, janë shndërruar në figura politike në duart e ndërkombëtarëve.

Pa dashur të merrem me problematikën e Gjykatës Speciale, unë, personalisht nuk mund t’i krijoj vetës iluzionin për këtë gjykatë, se ajo do të veproj drejt dhe paanshëm, në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, ngase fokusimi i saj nuk është krimi i organizuar dhe korrupsioni i pasluftës, e aq më pak pastrimi nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit aktual.
Ngase, sikurse ta kishin qëllimin e mirë, ndërkombëtarët skenën tonë politike do ta pastronin vite më parë, me mekanizmat e fuqishëm që kanë në dispozicion, duke e ndihmuar sistemin e drejtësisë kosovare, pa pasur fare nevojë për themelimin e gjykatave ndërkombëtare!
Përfundimisht dua të theksoj, se Kosova e sotme i ngjet një tabele shahu, ku në njërën anë janë të vendosur ndërkombëtarët, ndërsa në tjetrën shteti serb,…të cilët me aq mjeshtri janë duke e përdorur naivitetin dhe pozicionin nënshtrues të politikës së korruptuar kosovare, për të kontrolluar në tërësi resurset natyrore, pasuritë tokësore dhe nëntokësore të shtetit tonë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button