Katër shqiptarë, në garë për ta përfaqësuar Zvicrën në Eurosong

Shqipton Rexha, Ilir Selimi, Edona Gjinaj e Vanesa Krasniqi janë katër shqiptarët që i kanë dhënë vetes një synim të përfaqësojnë Zvicrën në Eurovizionin e vitit 2014.

Një synim mjaft ambicioz ky, por jo dhe i paarritshëm. Të gjithë janë të njohur në muzikë.

Shqiptoni i lindur në Kosovë, i biri i një krijuesi dhe ish të përndjekuri politik, ka 32 vjet. Ai është rritur e shkolluar në Zvicër dhe është mjaft i njohur në regjionin e Zvicrës lindore si slam-poet – është edhe autor libri në gjuhën gjermane dhe autor këngësh. Për talentin e tij ai madje vite më parë pati fituar edhe çmimin promovues të Kantonit St. Gallen.

Si pjesë e ambicies së tij në atë drejtim është edhe projekti që bashkë me kompozitorin nga St. Galleni, Dave Fryman, të përfaqësojë Zvicrën në Eurosong.

Pastaj vjen Edona Gjinaj, e cila jeton në Zvicër, por me prejardhje është nga komuna e Gjakovës.

Edona sapo ka lansuar këngën e re në gjuhën angleze me videoklip, “Over the limit” dhe menjëherë ka marrë kritikat më të mira nga mediat dhe producentët e huaj.

Me këtë këngë Edona është duke garuar për të qenë pjesë e festivalit zviceran, ku fituesi do të përfaqësojë Zvicrën në Eurovizion.

Është vetëm 19 vjeçe, por tashmë emri i saj është ndër më të përfolurit nëpër mediat gjermanofolëse.

Kënga e Edonës është realizuar me një nga producentët më të njohur gjerman, kurse videoklipi është xhiruar në Minhen të Gjermanisë.

Ky producent ka realizuar këngë, ku ka fituar disa herë festivalin evropian.

Mediat kanë raportuar për talentin e Edonës që ka rënë në sy që në moshë të re, ndërsa kur ishte 8 vjeçe asaj iu dha një leje e posaçme që të merrte pjesë në Konservatorium në Bernë për ndjekjen e mësimit të këndimit dhe mësimet e pianos.

Kënga e Edonës në votim:

http://www.eurovisionplattform.sf.tv/videos/over_the_limit

Vjen një tjetër këngëtare e njohur në diasporë për shqiptarët. Ajo është Vanesa Krasniqi, e njohur nga “Deutschland Sucht den Superstar (Gjermania kërkon një yll).

Ajo tashmë ka nisur një sfidë tjetër. Por, për të triumfuar në mesin e shumë këngëtarëve zviceranë dhe për të kaluar suksesshëm këtë sfidë, asaj i duhen votat e publikut.

Vanesa pas spektaklit të njohur gjerman „Deutschland Sucht den Superstar“ ka shtrirë angazhimin artistik në Gjermani. Jo shumë kohë më parë ajo ka nxjerrë edhe një videokëngë në gjuhën gjermane.

Kënga e Vanesa Krasniqit për votim:

http://www.eurovisionplattform.sf.tv/videos/my_man

Edhe Ilir Selimi figuron si kandidat shqiptar në faqen e transmetuesit publik zviceran (SRF), i cili është në kërkim të përfaqësuesit të Zvicrës në Eurosongun e vitit 2014.

Për albinfo.ch Iliri nuk ka arritur të sigurojë më shumë informacione, përveç që konkurron me këngën «I control You».

Kënga konkurruese e Ilir Selimit:

http://www.eurovisionplattform.sf.tv/videos/i_control_you

Nga 4 deri më 18 nëntor mund t‘i votoni favoritët tuaj këtu: http://www.eurovisionplattform.sf.tv/videos

Pas një faze të votimit në internet dhe një përzgjedhjeje të një numri të caktuar nga një juri profesionale, ata që mbeten do t`i nënshtrohen votimit nga publiku televiziv dhe nga juria, secila me nga 50%. Kjo do të ndodhë më 1 shkurt të vitit 2014 në Kreuzlingen.

Këtu do të zgjidhet këngëtari ose grupi që do të përfaqësojë Zvicrën në Eurosongun 2014 që do të mbahet në Danimarkë.(albinfo.ch) 

Vanesa Krasniqi

Lajme të ngjashme

Back to top button