Lista zgjedhore, dilemat rreth saj, a mund dhe pse duhet të pastrohet?!

Në zgjedhjet e fundit në Maqedoni, ndodhi një paradoks! Numri i votuesve të regjistruar ishte më i madh se sa numri i qytetarëve mbi moshën 18 vjeçare, respektivisht atyre që kanë të drejtë votimi.

Ashtuqë: sipas sipas listës zgjedhore në zgjedhjet lokale të fundit (në prill, 2013) numri i votuesve të regjistruar ishte 1 743 403, ndërsa sipas publikimit të Entit Shtetëror për Statistika (në qershor, 2013) mbi moshën 18 vjeçare kanë qenë gjithsej 1 633 749 qytetarë; Sipas listës zgjedhore në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare (prill, 2014) numri i votuesve të regjistruar ishte 1 779 572, ndërkohë që sipas publikimit të Entit Shtetëror për Statistika (në qershor, 2014) mbi moshën 18 vjeçare kanë qenë gjithsej 1 642 238 qytetarë.

Sa për ilustrim, në Britani të Madhe regjistri i plotë zgjedhor publikohet një herë në vit dhe freskohet çdo muaj.

Ekspertët për Portalb  thonë se pastrimi i listës zgjedhore vërtetë kërkon angazhim të madh profesional të organeve kompetente, por kjo është mënyra e vetme për rezultate reale të zgjedhjeve.

“Proceset e deritashme zgjedhore kanë sjellë në pah të dhëna shumë diskutabile, siç ishte e dhëna se elektorati numëron 1,7 milion, po kjo është non sense dhe e palogjikshme në një shtet me 2 milionë banorë. Ja tash u vërtetua se në këtë numër janë përfshirë persona që fare nuk janë banorë të shtetit, persona të vdekur, persona që votojnë në më shumë vende. Prandaj me plotë të drejtë kërkohet edhe prej faktorit të jashtëm, edhe nga Marrëveshja politike e Përzhinos që për t’u realizuar procesi zgjedhor të pastrohet lista zgjedhore.”  shprehet juristi Osman Kadriu për Portalb.

Sipas Kadriut, për pastrimin e listës zgjedhore duhet kryer një sërë veprimesh andaj jorastësisht KSHZ doli me prononcim se nuk ka kapacitet, se nuk është i ekipuar, nuk është i pajisur me mjetet e nevojshme (kompjuterë) dhe se mungon vullneti politik për të caktuar metodologjinë e duhur. Ndërsa KSHZ-në sipas tij, duhet ta ndihmojnë edhe institucione tjera, si MPB, Ministiria e drejtësisë etj.

“Ka qenë jo përgjegjësia e organeve në krye me KSHZ-në që lista zgjedhore të pastrohet, ka munguar profesionalizmi, aftësia, kondicioni dhe kapaciteti i organeve shtetëore kompetente.”-thotë ai në pyetjen se pse deri më tani kjo listë nuk është pastruar.

“Ndoshta ka pasur ndonjë interes që të jetë çështja e mjegulluar, sidomos vërtetimi i saktë i banorëve dhe i elektoratit, që edhe rezultatet të mos jenë reale. Prandaj siç dhe vërtetohet rezultatet kanë qenë jo të sakta.” përfundoi Osmani.

 “Lista zgjedhore nuk ka qenë asnjëherë e pastruar, pasiqë  partitë në pushtet çdo herë kanë pasur interes që ajo të jetë e papastruar. Dhe çdo herë kishte spekulime se ai që ishte në pushtet kishte interes që këtu e atje, aq sa të mundet ndonjë votë ashtu ta fitojë. Mund të ketë votuar dikush në emër të ndonjë të vdekuri. Megjithatë viteve të fundit, për së pari herë në histori, ndodh të ketë aq shumë falsifikime. Nëse ju kujtohet në zgjedhjet e fundit, në komunën Kisella Vodë të Shkupit, një njeri votoi e pastaj duke dalur nga vend-votimi i ranë nga xhepi 5 letërnjoftime tjera. Këtu lindi dyshimi se ka diçka më të madhe. Dhe do të vazhdonte të mbetej dyshim, po të mos ishin të aq. ‘Bombat e opozitës’, të cilat vërtetuan se në disa vende janë shtypur letërnjoftime, që të mund të votojnë njerëzit që janë në Maqedoni në emër të atyre që janë shpërngulur.”-deklaroi Stevo Pendarovski, ish-kryetar i KSHZ në periudhën 2004-2005,

“Nesër cilido që të fitojë do të thotë se është kredibil, por derisa lista nuk është e pastruar do të ketë sërish spekulime. Prandaj le ta pasrojmë listën aq sa mundet një herë e përgjithmonë!”

Sipas Pendarovskit, nga lista zgjedhore nuk janë fshirë njerëzit që kanë vdekur. E nga ana tjetër numri i shtetasve që janë shpërngulur nga Maqedonia dhe atyre që studjojnë jashtë ka arritur shifrën prej qindra mijërave. Ata nuk paraqiten në MPB e të fshihën nga lista zgjedhore në Maqedoni (siç obligohen me ligj), dhe mandej nëse duan të regjistrohen për të votuar në diasporë. Prandaj me këtë kategori njerëzish janë bërë manipulimet më masovike, siç dhe  theksoi më pas:

“Jo rastësisht Marrëveshja e Përzhinos bazohet në dy pika: në mediat dhe në listën zgjedhore. Për shkak se mediat janë përdorur për propagandë, për ‘shpërlarje truri’, ndërsa lista zgjedhore në kaos ka mundësuar përfitimin e ndonjë vote dhe ashtu fitoren e zgjedhjeve.”

Ndryshe, Kroacia si shtet ballkanik dhe anëtar në BE (prej qershorit të vitit 2013) e tejkaloi problemin e saktësisë së listës zgjedhore dhe e modernizoi legjislativën zgjedhore qysh në dhjetor të vitit 2012. Me miratimin e Aktit të ri për Regjistrin zgjedhor, Kroacia e shndërroi Regjistrin në bazë të përhershme të të dhënave (për tre kategoritë e votuesve: shtetas brenda Kroacisë, shtetas jashtë vendit dhe shtetas të BE-së), nga e cila bazë krijohet një listë e re zgjedhore për çdo zgjedhje; Ndërkohë që me miratimin e Aktit të ri të banimit vendosi rregulla rigoroze për rrethanat e banimit, çka mundëson regjistrimin e banorëve të rinj dhe fshirjen e shtetasve që më nuk banojnë në territorin e Kroacisë. /Portalb.mk

LEXO: Ende nuk ka nisur pastrimi i Listës zgjedhore ndërsa zgjedhjet afrohen!
LEXO: Maqedonia pa regjistrim të popullatës, çfarë qëllime të errëta fshihen pas dështimit të tij?
LEXO: Pa regjistrim të popullatës, manipulohen zgjedhjet

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button