Ujqit i mprehin dhëmbët

Marrëzia e të bëmave individuale e shoqërore na ka përmbytur, ajo, tanimë, sot, kuptohet qartë nga vërshimi i kulturës dhe politikës së dështuar, që është instaluar deri më tani kësi soji, të themi kështu më përafërt shpërthimit intelektual, gjatë këtyre viteve gjoja demokratike. Versioni më i shëmtuar këndelljes matufjane na paraqitet për çdo ditë nëpër lagje e kuleare të improvizuara organizative, që frymon si metastazë manifestuese narcizoide individuale, e imponuar ngutshëm nga sistemi i ndërtuar ndërlidhur brishtë, i cili sistem nga mosdija vazhdimisht shkujdesshim shigjeton nerva të rinjsh në skenë të ndrydhur kohe, me reflektim të larmishëm kodesh të fshehta djallëzore nga individë të mplakur në përfitime. Fasada kulturore formalisht po na ndriçon gjithandej pranisë sonë. Ajo tund imagjinatën nëpër shumë segmente të jetës. Dihet se çdo gjë që shkëlqen në shikim të parë nuk është e artë. Ajo vetëm rrezaton dukshëm si e tillë, sa për të  na i gënjyer sytë e për të na e marrë mendjen përkohësisht, gjegjësisht për të na bërë për vete në një moment të caktuar të pranisë sonë të ndeshur me situatën. Vetëm ata sy që vardisen të shikojnë hollësisht dhe vëmendshëm të vërtetën, sidomos, gjërat dhe shtigjet e jetës se ka duhet t’ia mbajmë në rrugëtimin e ngritjes së nivelizuar, do të jenë në gjendje të ndërtojnë kriter të shëndosh, të vlerave të mirëfillta, në mundësitë e shumta që janë ende të pazbuluara rreth universit tonë. Ata sy dhe ndjenja të shëndosha mbajnë përgjegjësi gjykuese deshifruese të drejtë, për ta dalluar të mirën nga e keqja, të madhërishmen nga vogëlsirat, të bukurën nga e shëmtuara, të vlefshmen nga e pavlefshmja. Neve  shikimet na motivohen për çdo ditë nga këto absorbime të shumta që marrim në jetë, dhe sipas kësaj mundësie ndërtohen stereotipa të caktuara.  Kjo shihet nga perspektiva jonë e vëzhgimit, duke analizuar fenomenet e ndodhura, gjatë të vështruarit konsekuent në vlera të mirëfillta, anembanë veprimit të ndërgjegjes njerëzore të ndritur. Kjo do të thotë se imagjinata na futë kahmos. Ajo nuk ka kufizime vlerësimi. Na shtynë (përplas) shtegut të mendimit kërkues e të thellë, drejt labirinteve të panjohura që zgjojnë kureshtje të mëdha imagjinate në shoqëri. Neve na duhet flirt i ri për ta mbajtur potencën e mendimit të freskët. Partitë duhet të ekzistojnë, por jo dyqane partish, ku shitet patriotizëm i lire nëpër pazaret e thashethemeve të kallaballëkizuara. Pluralizmi kërkon alternativa bindëse vepruese. Kërkon kulturë të standardizuar, por jo ç’thurje mendore të pa sistemuar si duhet nga klanet. Sot Humnerat artistike sjellin përmbytje kohe. Kundërshtitë jetësore janë të mëdha, unë them se thellësia e errët edhe provokon, ngandonjëherë me vrimën e hapur të saj, për t’i parë të gjitha lëvizjet dhe reaksionet e qenies ekzistuese në shoqëri. Na futë në labirintin e gjykimit dhe  në oreksin e shijimit për të dalluar të shkuarën dhe të sotmen nga e ardhmja. Por tani ne të kaluarën e kuptojmë më lehtë, të sotmen e përjetojmë, kurse të ardhmen e ëndërrojmë si të ndërlikuar, të errët, të panjohur sa duhet. Ajo është thellësi e fshehur brenda kornizave të paditurisë, që nuk duket e qartë në shikim të parë. Ne edhe imagjinojmë shpesh këtë jetën tonë, se si do të duhej të ishte ajo në të ardhmen, ngase asaj nuk ia dimë të gjitha fshehtësitë, të cilat pështjellohen si të komplikuara brenda funksionit të saj. Të ardhmen nuk e kemi akoma të përjetuar, ndaj na dalin këto vështirësi të mëdha gjatë rrugëtimit kreativ të njohjes së rrethit dhe prurjes së mesazhit të ri e të sigurt në shoqëri.  Se si t’i shohim shtigjet e ndritura të kësaj jete e ane, para së gjithash duhet ta saldojmë në vete urtësinë dhe kulturën e të të dëgjuarit të tjetrit. Njeriu asnjëherë nuk mëson nga gabimet e veta. Ai gabimet e veta i arsyeton gjithnjë para pasqyrës së botës së tij të kamufluar në qëllim të ngutshëm. E keqja më e madhe është kur njeriu gënjen veten. Të jetosh i pasur materialisht në mesin e të varfërve, është fërfëri e madhe shpirtërore, por është gjithashtu varfëri shpirtërore e mendore e padurueshme kur jeton i varfër në mesin e të pasurve. Pa pushim parashtrohen këto pyetje brenda ditës, kur përballet individi me veten dhe të tjerët. Njeriu e bënë këtë gjykim gjithnjë në jetë, se ai ka në disponim shkakun dhe arsyen.  Ai madje do të mbijetojë përballë tjetrit, prandaj vepron kështu dhe instalon zanatin e të jetuarit rrejshëm. Por të gjithë ata gënjeshtar që ushqehen me këtë lloj arti manipulues, që ushqehen me një kulturë të këtillë të të gënjyerit të përkohshëm, fundin e kanë të trishtueshëm, si qenie ekzistuese në rrethin e shëndosh shoqëror. Për të pasur një standard jetese solide në jetë, duhet të funksionojë sistemi i drejtë. Pa drejtësi nuk ka liri, dhe pa liri nuk ka drejtësi.  Kjo nuk varet vetëm nga individi, por nga tërësia e nivelit kulturor që krijojmë ne si qytetar në një rreth të caktuar shoqëror.

E dimë mirë se qenia njerëzore është shumë ndërlikuar dhe kompleksive, madje nuk mund të kuptohet tërësisht thellësia e tij, si qenie metafizike që është. Njeriu përveç instinktit që ka, në vete, bart edhe arsyen politike. Prandaj vepron nën kushtëzimin e këtyre detyrime të nënvetëdijshme.  Individi nuk mund t’i dijë të gjitha fshehtësitë e tjetrit, sado që bënë përpjekje për ta njohur atë në detaje, gjatë kohës së jetuarit pranë tij dhe rreth tij. Ai mundohet ta njohë atë tërësisht, por, prapëseprapë, mbetet vetëm pjesërisht i informuar për fshehtësitë e thella që ka tjetri. E vërteta në të shumtën e rasteve mbetet viktimë e të panjohurës. Kur bëhemi kureshtar të hyjmë në psiko-analizë të detajuar për njohje fshehtësish, për t’i kuptuar gjërat dhe ndodhitë drejtë e mirë për rreth nesh, duhet të dihet edhe kjo se postmodernja nuk duron hapësirë dhe kohë të kufizuar. Ajo nuk duron as snobizëm. Jeta bashkëkohore kërkon risi. Kjo na imponohet si formë pragmatike gjeostrategjike dhe ka vetëm alternativë veprimi praktik, mund ta bësh këtë ose atë, ose nuk mundesh ta bësh atë aktivitet aspak. Mundësia e të vepruarit është gjithkund në imagjinatën e njeriut. Individualja ndeshet gjithnjë nga globalizmi dhe nga njerëzit e rastisur mbrapsht që nuk duan t’i shohin këto ndryshimet e kësaj epoke. Ata fanatik të bindjeve të tyre të mbrapshta duan të mbeten në vetëveprim të përhershëm.  Nuk duan risi dhe ndryshim shoqëror të standardizuar. Ata duan klishe dhe përsëritje të përhershme të ngjarjeve. Sepse ata bjerrësh të etshëm të nëntokës, sot, me syze të errtë nga pleksiglasi, që janë të kurdisur për interes me shabllone të përsëritura kodesh për manipulim, na kthejnë prapa, na kthejnë në humnerën e mizorisë së madhe. Dhe ne llokoçitemi nëpër këtë pakuptimësi të pa emancipuar si notues të dobët. Na kthejnë në vrimë kulture të errët. Ato gënjeshtarë të kohës sonë kanë edhe sherr, kontrollojnë pa u vërejtur shikimet e të tjerëve dhe dukjen e tyre formale e kthejnë në hipokrizi dhe krime virtuale, verbale, të interesit përfitues të përkohshëm, mjerisht, të vendosur  gjatë kohë në zenit të mburrjes së tyre rrejshme. Të propozuar nga turma e pa informuar sa duhet nga gjendja faktike e rëndë e vendit. Përfitimin vërshues e anojnë të profilizuar në skenë manipulimi kolektiv. Këtu në këtë imazh të kapshëm stine befasuese, ngjallen të vërtetat dhe të pavërtetat e individëve, që veprojnë me shumicë nga segmente të errëta klanesh, të vetëvendosur në klishe ngjarjesh monotone. Ato shfletojnë këndelljen e tekave të dukshme nëpër shurrën e vet të mburrjes dhe dukjes së katapultuar rrëshqitshëm, si narcizoid të dallueshëm që janë duke vepruar në djerrinë kulture të errtë, madje edhe duke u përbiruar nëpër margjinat e turbullta të kohës së hutuar.

Drita alegorike përvëlon nëpër këtë pasqyrë kohe të vrazhdë. Tendosja mban nën kontroll ison monotone të refreneve kulturore patetike, të përshtatur njëanshëm në hapësirë fryme të keqe letrare, duke u ndrydhur me tema të vullgarizuara në profil çastit moçalik, politik, të përkëdhelur vetëdijshëm nëpër pore vendi të durueshëm gjatë kohë. Vlerësimet e drejta mbahen në baraspeshë nga rrezet e ardhur vrullshëm prej dritareve të hapura nga informimet e shumta, drejt këndelljes së kujtesës konspirative për ngjarjet e ndodhura të këtij shekulli, të cilat ngjarje sot janë të viktimizuar keq nga keqbërësit. Ato janë ngjarje të orientuara në fushëbetejë konfliktesh të pa pritura ku bëhet luftë e rreptë midis motivit dhe temës së dhënë për interes. Ato pështjellime të shpeshta dhe improvizime të këqija thyejnë përdhunshëm gjymtyrë ndjenjash normale në karrocerinë e brishtë të kësaj toke ballkanike. Vështrimin e kanë të kthyer ane mbanë pasqyrës shndritëse, të largësisë vëzhguese të sherrit gjeostrategjik, për të propozuar vet begenisjen individuale në arenë tunduese.  Veprojnë njëanshëm në Pension të ngarkuar me keq bërje, mbi supet e tyre bartin trishtime të ankthshme, me hipoteka të korruptuara kulturore adresojnë mesazhe klanore, por të leverdishme për veten në suaza afatshkurta. Ky gjymtim i brendshëm i grupeve të tilla, tanimë, dergjet rëndë në profil të shtanguar përmendoresh të shumta, drejt divergjencave dhe profileve intelektuale dështuese, të instaluara në shtet të ‘’ligjshëm’’. Pastaj nga ky kompleksitet komploti të koketuar krismash ndodhish, defilojnë në shesh individë të rreshtuar zëshëm artistikisht, me dukje kravatash e kryqesh të shtrënguar fortë për fyti, në hapësirë të plaguar, dhe të anuar me arkitekturë anarkie antike, kushtimisht të themi kështu, fortë të lidhura nyje njëri me tjetrin, me bindje të ngulitur thellë në beton masiv ëndërrimtar, përballë solitereve kolosale, që janë stolisur rëndë me barok arti të stiroporizuar vrazhdë në trup viktimash, Ato tashmë janë të ngujuar në fukarallëk ndryshku njohurish të skajshme, duke shkallmuar demokracinë dhe drejtësinë e vërtetë, para vetes, mu në profil pafajësie njerëzore ballkanike. Mbeten lugavesh që hyjnë e mbërthehen nëpër armatim të dukshëm nacional të rëndë, për shtegtim e përbirim të shpejtë, nëpër tension të lartë luftarak e historik të njëanshëm. Me fasadë arti të kamufluar, nuk ka antikitete estetike të qëndrueshme, sepse imazhin e kaliografisë së shtrembët, e shpërndajnë vërshueshëm në lagje të kontrolluar nga fjalori i gjuhës së dhunës, kryesisht, të rrahur nga era e apostrofuar e kiçit të derdhur rëndë në margjina të dukshme eksperimentale, drejt një skamje kulture të tollovitur e të ngarkuar marramendshëm mbi shpinë qytetarësh. Defilojnë me histeri nervash bajate anembanë hapësirës së ngushtuar. Detyrimin e kthejnë në lagje betejash të improvizuara luftarake, partiake, për sulm të pa pritur në improvizim ngjarjesh. Ngrenë barrikada mbrojtëse, për shkak të lëçitjes së keqe në kleçkë kulture të rrëzuar barkas, nga elementi militant jo origjinal i autoktonisë së ndërtuar strukturore, mu në kthinë adaptimi mendor të shtrembët. Të vardisur bezdisshëm nga lidershipi i alivanosur rëndë në turmë të manipuluar. Krejt kjo tollovi e madhe qëndiset shtirshëm nga mosdija e ngarkuar me vite të tëra, prandaj në hamendje animi të brishtë e kurdisin pa kuptimësinë e tyre të zorshme. Standardi i qytetarit bie, kërkesat shtohen.

Sulmi u imponua pa kujtuar, pas bërjes së politikës servile një decenie të tërë. Bombat pëlcitën nga të dy krahët e brishtë të muskujve autokton trupor. Fjalët u kuptuan ashiqare dhe u varën të deshifruara si jehonë tronditëse në ajër. U doli nami i sherrit, anë e mbanë vëzhgimit të realët, duke manipuluar në qytetari me ndërgjegje të kamufluar dhe nga ajo situatë me aromë pisllëku pëlcitës, të krijuar gjatë kohë, u dehën, përfituesit, me hipotekë të rëndë tenderi të dështuar në turmë viktimash. Shpërfillje dhe paradokse bindjesh njerëzore të njëanshme u afirmuan këtu te ne. Por në veçanti u stimuluan ata individë që ishin të fundosur në fusnota plagjiaturash të tejdukshme, që kishin skaduar qysh moti nga shkollimi normal i rregullt. U përkrahën nëpër kohë me vetëqeverisje artistike teveqele, mu në front të zëshëm deklamimesh e gugatjesh përmasash të ulëta individuale, duke u shprehur me monotoninë e tyre të klithmës maratone monotone: “domethënë, domethënë kemi shumë për të thënë’’ nënkuptohet, nënkuptohet, intervista jonë me mut arnohet”, konkretisht, kontesti i këtyre  shprehjeve vulgare të përsëritura kaherë, kuptohet bukur dhe qartë, nga tërësia e nëntekstit të nënshtruar shpesh në klishe përdorimi banal, prej individëve të paformuar sa duhet, në një kohë të tërë me kulturë të varfër leximi. Kjo bëhej në përsëritjet e tyre mendore të shpeshta në opinion me fragmentaritet të skalitur stilistikisht vrazhdë në gjuhë, sidomos kur bëhej ndrydhja e shprehjes nga tundimi i madh i prapaskenës së dredhisë së formuar mbrapsht nga palexueshmëria e madhe, e që është thellë e ngujuar në tutë individuale dhe në shund adaptimi të keq historik. Kjo formë, sot, është bërë standardi më i keq në turmë, ajo praktikohet dhe mban peng kulturën e rrejshme, apo belbëzimin, që tanimë rëndohet pa nivel e kriter në përsëritje, gjatë përdorimit të shpeshtë të kësaj shprehje monotone, në intervista të shumta gjoja intelektuale, kryesisht duke u përsëritur gjatë kohë mbi ne, si klishe, për tua mbushur mendjen të tjerëve, kurse gjoja dinë diçka, nga shkenca e kultura, por këto budallallëqe ta rëndojnë jetën me veprimet e tyre bajate të adaptuara keq në shoqëri. Ata dalin me reproduksion despotizmi serik fjalësh llomotitëse, langaviten si seri rrenash të mëdha nëpër etapa inskenimi sistemesh shtetërore, ku embrionalizojnë ngjarje brenda vetes sunduese, me performancë enigmatike klanore të turpshme, që tanimë një decenie, ashtu të derdhura pa lidhje, vepruan në kallaballëk të përhumbur administrimi lokal. Këto mund të jenë si ‘’thërrmijat elementare’’ që parashtron Michel Houellebecq në romanet e tij, ku dalin motive idesh që eksitojnë në mënyrë ekstreme lexuesin me ide e kulturë ndryshe. Ata bëjnë kërkim kalkulimi kulturor kthinave të lashta historike, popullsitë, nëpër varreza të përhumburish ndjenjash të pa realizuara shpirtërisht. Për të kërkuar ADN-në e tyre e thellë përfituese. Ata nuk kanë guxim të përballen me të vërtetën e tyre të hidhur njerëzore, që rëndojnë keq te të tjerët. Tu japin perspektivë të rinjve të talentuar dhe të aftë, që do t’u prijnë punëve mbarë drejt të ardhmes më të lumtur.

Mjerë ai popull që në këtë shekull të zhvilluar elektronik e teknologjik, merret akoma me art e patos pompoz patriotik e erotik të vulgarizuar, për të mbijetuar si komunitet i gjallë në vete. Lexohen nëpër manifestime vargje patetike të dobëta për ta ndryshuar botën. Për të bindur të tjerët se janë atdhedashës të mëdhenj. Por punët i kanë ‘’berbathane’’ në shtëpinë e vet. Pastaj me dredhinë që kanë hipnotizojnë aplaudime të tmerrshme nga turma e manipuluar, që e duan ta plasojnë këtë lloj arti mynafik metaforik të ndryshkur për kohën. Dallgë të përmbytura llomotitjesh të zakonshme mbështeten në trup të burgosur  njëanshëm. Sepse fluturimi kulturorë i lirë, e atraktiv, për ta mbetet përherë enigmë e largët e pakuptueshmërisë së meditimit. Rrëfimi adekuat i përmasave të standardizuara, tani për tani, shtegton keq në humbje vlerash të mirfillta, për ata kalorës keqbërës të kohës sonë, nëpër modernizim të ngulfatur nga e shëmtuara e imponuar. Trokitja në derë të gabuar bëhet ankth i madh i tronditjes individuale dhe i çasteve të pa pritura kohore, ndaj edhe shqetësimi shpirtëror bëhet edhe më i prekshëm nëpër njerëz që kanë arsye të qartë, bindje dhe fisnikëri të devotshme, me përkujdesje shoqërore alternative, për t’i sjellë ndryshime dhe të mira kësaj pjese të njerëzimit. Prandaj sot trokitja në derë të gabuar alarmon shqetësime të mëdha në shoqërinë e kohës sonë. Jep shembuj drastik se sa të vonuar jemi në këtë shekull. Manipuluesit nuk shqetësohen për këto gjëra të trullosura stine, që kanë ndërtuar çerdhe mjegullash në prehër të kësaj shoqërie. Ata sjellin errësirën e tmerrshme të zhurmës jo civilizuese brenda vetes. Turbullirat e trendit të tyre të tendosur arnohen zhurmshëm në shpërndarjen e kulturës së vrazhdë te të tjerët. Ata duan tymnajë në kulturë dhe politikë dhe, papandehur, këta grupe të hallit të madh shoqëror, kërkojnë të jenë të privilegjuar dhe kalojnë nëpër kapixhiqe dijesh të ngushta. Ata nga pavetëdija ujqit t’i sjellin te dera, kurse ata egërsira si të pa ngopshëm që janë në vete, me veprimet e tyre prej egërsire të tmerrshme, kur s’kanë çka të hanë në hapësirë të gjerë gjuetie, i mprehin dhëmbët në vete dhe hanë njëri–tjetrin, kurse plagët e së keqes duken të shumëzuara mbi ne, nëpër hapësirë dhe kohë të kafshuar egërsisht…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button