Jahjaga: Reçaku është fundi i krimeve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga sot ka vizituar fshatin Reçak të Shtimes, për të nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut e cila ndodhi më 15 janar të vitit 1999, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ditën e cila shënon 17 vjetorin e krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë ndaj civilëve shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm, me ç’rast forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe vranë dhe masakruan 45 persona, në mesin e tyre pleq, gra dhe fëmijë, Presidentja e Kosovës vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat.

Ndërkohë, Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gur themelit të shtatores së ambasadorit Willaim Walker, që do të ndërtohet afër kompleksit në Reçak, në shenjë nderimi dhe respekti për njeriun i cili, më 16 janar 1999 vizitojë Reçakun, në cilësi të shefit të atëhershëm të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe pasi që kishte parë nga afër se çfarë kishte ndodhur në fshat, pa hezituar fare, ngjarjen e kishte cilësuar si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Ky moment dhe deklarata e ambasadorit Walker ishte kthesë në opinionin ndërkombëtarë dhe përfundimisht, ndryshoi rrjedhën historike të Kosovës.
Krejt në fund, presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në akademinë përkujtimore kushtuar Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ku i pranishëm ishte edhe vet ambasadori Walker me familjen e tij.

Gjatë fjalimit të saj, presidentja deklaroi që në çdo përvjetor të kësaj ngjarjeje, kujtohen me dhimbje dhe krenari, njerëzit e pafajshëm të vrarë në mënyrën më mizore dhe viktimat e krimit kundër njerëzimit.

“Çdo përvjetor është dhimbje e sërishme, një kujtesë e pashlyer e juaja, banorë të Reçakut, dhe e të gjithë neve në Kosovë që e ndjejmë dhimbjen bashkë me ju. Reçaku, shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke forcuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se ndërhyrja për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, ishte e paevitueshme. Reçaku është fundi i një historie të dhunës, të krimit dhe të vrasjeve dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai është gurë themeli i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo theksoi se Reçaku është dhimbja dhe krenaria e Kosovës, ngjarje e cila shënon fillimin e fundit të një epoke të rëndë dhe hegjemoniste.

“Reçaku është forca dhe guximi, vullneti për ta bërë një Kosovë më ndryshe – të qytetarëve të lirë dhe të pavarur! Njerëz të barabartë me këdo në botë! Reçaku është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-në dhe një lidhje e fuqishme me vendet e BE-së”, tha Jahjaga.

Duke rikujtuar masakrën e Reçakut dhe shumë sakrifica tjera të popullit shqiptar për pavarësinë e Kosovës, presidentja e shtetit shprehi pakënaqësitë e veta me situatën aktuale politike në vend dhe bëri thirrje për dialog ndërmjet pozitës dhe opozitës, me qëllim të përmbushjes së amanetit të atyre që sakrifikuar për një Kosovë më ndryshe.

“Është përkushtim yni për ta bërë një tokë të premtuar, një shtet të zhvilluar e të përparuar në të cilin secili do të gjejë perspektivën e tij pa pasur nevojë që ta kërkojë diku tjetër”, tha Jahjaga dhe shtoi se zhvillimi i Kosovës varet nga vet puna, angazhimi dhe pjekuria e politikanëve, si dhe aftësia e tyre që dallimet politike të mbetën në suaza të rivalitetit politik dhe jo armiqësisë politike.

Jahjaga ftoi edhe një herë të gjithë aktorët e skenës politike kosovare që “dialogu të jetë themeli i zgjidhjeve të problemeve, që gjuha e komunikimit të jetë gjuha e dialogut dhe jo e dhunës”.

Ajo kërkoi nga pushteti dhe opozita që të kenë mirëkuptim dhe jo përplasje, duke i ftuar që problemet ndërmjet tyre t’i zgjidhin pa e prekur shtetin, pa i sfiduar institucionet dhe pa i rrënuar themelet e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button