Kosovë, liderët opozitarë përkujtuan viktimat e masakrës së Reçakut

Me rastin e 17 vjetorit të Masakrës së Reçakut, udhëheqësit e partive opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA-s, të shoqëruar nga bashkë partiakët e tyre, sot, në ditën që shënon 17 vjetorin e “Masakrës së Reçakut”, kanë përkujtuar viktimat e ngjarjes tragjike që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Masakra e Reçakut”për të përkujtuar dhjetëra viktima të, siç e quajti Haradinaj, njërit prej sulmeve më makabre të forcave serbe, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Pikërisht masakra e Reçakut, ka qenë moment i kthesës kur Komuniteti Ndërkombëtar dhe bota demokratike në përgjithësi, janë bindur në natyrën kriminale të regjimit të Millosheviqit. Prandaj përvjetori i kësaj masakre, mbetet njëri prej momenteve më të dhimbshme dhe më domethënëse në historinë më të re të Kosovës”, deklaroi me këtë rast Haradinaj i cili iu shprehi ngushëllime familjarëve të pranishëm”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Ndërkohë, delegacioni i NISMA-s për Kosovën në krye me kryetarin e kësaj partie, Fatmir Limajnë, pasi vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe pranë monumentit përkujtimor, ngushëlluan edhe familjarët e tubuar, të viktimave të Masakrës së Reçakut.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë familjarët e dëshmorëve të Reçakut dhe gjithë Kosovës. Angazhimi ynë për ndërtimin e mirëfilltë të shtetit tonë, çdo herë duhet të bëhet mbi bazën e idealëve të rënëve për lirinë e këtij vendi. Është një moment i veçantë ku të gjithë ne duhet të përkujtojmë dhe të jetojmë me këtë përkujtim të lartë”, ka deklaruar Limaj, thuhet në njoftimin e NISMA-s.

Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore, ato ushtarake dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

Ky ishte ky momenti i cili, përfundimisht, ndryshoi rrjedhën historike të Kosovës. Duke e vetëdijesuar mbarë opinionin ndërkombëtarë se çfarë krimesh po ndodhin në zemër të Evropës, deklarata e ambasadorit Walker kishte iniciuar proceset që në fund rezultuan me bombardimet e NATO-së ndaj caqeve strategjike ushtarake të Serbisë, duke e detyruar atë që në qershor të vitit 1999 të tërhiqet përfundimisht nga Kosova.

Në shenjë të kujtimit të kësaj ngjarjeje tragjike, çdo vit, më 15 janar, familjarët, bashkëfshatarët, mijëra e mijëra qytetarë nga mbarë Kosova dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike, nga orët e hershme të mëngjesit marrin rrugën drejt Kompleksit memorial “Masakra e Reçakut”, për t’i kujtuar dhe nderuar viktimat e këtij krimi kundër njerëzimit të kryer nga Serbia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button