Ende nuk ka nisur pastrimi i Listës zgjedhore ndërsa zgjedhjet afrohen!

Pastrimi i listave zgjedhore cilësohet si faktor kryesor për të siguruar zgjedhje fer dhe demokratike. Edhe pas formimit të këtij Komisioni hapen dyshime se sa mundet të jetë efikas deri në datën e 24 prillit, kur sipas Marrëveshjes së Përzhinos janë caktuar zgjedhjet parlamentare.

Portalb ka kontaktuar me zëvendës kryetarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Rexhep Prekopuca. Ai pohon se ata si organ punën e tyre e kanë kryer, tani presin qëndrimet e partive politike.

“Ne si Komision Shtetëror Zgjedhor punën tonë e kemi kryer. Metodologjitë ua kemi dërguar partive politike më 30 dhjetor. Ligji na obligon që t’i presim vërejtjet,  gjegjësisht pajtimet e tyre. Dhe, pas qëndrimeve të partive politike ne mund t’i aprovojmë metodologjitë tona. Ne tani i kemi duart e lidhura derisa nuk kemi qëndrimet e partive politike”, u shpreh për Portalb Prekopuca.

Portalb mëson se për momentin vetëm BDI ka dërguar amandamentet e saja në KSHZ. Edhe përkundër tentimeve tona, asnjë parti nuk është prononcuar në lidhje me këtë çështje, e as nuk kanë dalur me qëndrime publike.

Seriozitetin e mospastrimit të listave zgjedhore deri më 24 prill e kanë parashtruar edhe OJQ-të në letrën e tyre publike drejtuar faktorëve ndërkombëtarë. Ata kanë argumentuar qëndrimin e tyre, kanë shprehur disa kërkesa dhe ide për tu krijuar ambient për zgjedhje fer dhe demokratike.

“Arsyeja kryesore se pse ne konsiderojmë se nuk ka kushte për zgjedhje fer dhe demokratike janë vonesat serioze të pikave nga Marrëveshja e Përzhinos, të cilat lidhen me mbajtjen e zgjedhjeve. Mosfunksionimin e tërësishëm të KSHZ-së që do të duhet ta bëjë pastrimin e listës zgjedhore dhe mungesën e zgjidhjes së çështjes për mediat”, thuhet në letrën e organizatave joqeveritare.

Sot në takimin e grupeve punuese në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos dhe lehtësuesit Vanhojte, temë diskutimi është edhe çështja e KSHZ-së dhe pastrimi i listave./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button