Jahjaga do të angazhohet në zhvillimin e bizneseve në Kosovë

Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë një vizite që ka realizuar në Malishevë, Rahovec, Suharekë, Shtime dhe Lipjan, është takuar me kryetarët e komunave dhe ka dëgjuar nga ta përpjekjet që po bën komuna për të krijuar kushte për biznes si për investitorë vendorë, e po ashtu edhe të huaj.

Vizita e Presidentes në këto qytete, është shoqëruar nga drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane, dhe konkretisht në këto takime është diskutuar për sfidat e zhvillimit ekonomik, përkrahjen për bizneset dhe krijimin e lehtësirave për to, me theks të veçantë tërheqja e investimeve të huaja.

Gjatë takimeve që pati me kryetarët e Komunave, Ragip Bega – Malishevë, Sali Asllanaj – Sukarekë, Naim Ismajli – Shtime, Imri Ahmeti – Lipjan, Presidentja tha se i ka dëgjuar të gjitha vështirësitë dhe shqetësimet që kanë komunat me krijimin e kushteve për biznes dhe tërheqjen e investitorëve të huaj the u shpreh se pas këtyre takimeve, e ka më të qartë se si qëndron puna me biznesin në këto komuna, dhe se tani e tutje, zyra e saj së bashku me odat ekonomike do të dalin me rekomandime konkrete për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Kryetarët e komunave, ai i Malishevës Ragip Begaj, i Rahovecit Idriz Vehapi, i Suharekës Sali Asllanaj, i Shtimes Naim Ismajli dhe ai i Lipjanit Imri Ahmeti paraqitën para Presidentes dhe drejtuesve të odave ekonomike përpjekjet që bën pushteti lokal për të bashkëpunuar dhe për të krijuar kushte për bizneset vendore dhe të huaja dhe problemet e sfidat që duhet tejkaluar në këtë fushë, për të krijuar kushte edhe më të favorshme për bizneset, sidomos krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Ata paraqitën raste dhe praktika specifike të komunave të tyre dhe projekte konkrete, për të cilat kërkohet përkrahja edhe e institucioneve në nivel qendror.

“Iniciativa të cilën ne e filluam dje ka vazhduar edhe sot. Ka filluar me komunën e Malishevës, tani me komunën e Rahovecit, dhe vazhdojmë me komunën e Suharekës, të Lipjanit dhe të Shtimes. Patëm një bisedë jashtëzakonisht konstruktive, së bashku me kryetarët dhe me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane dhe të Odës Ekonomike Gjermane”, ka deklaruar Jahjaga.

“Të gjitha ato probleme, vështirësi dhe shqetësime të cilat i dëgjuam edhe gjatë ditës së sotme dhe gjatë këtyre takimeve, janë po ato të cilat i kemi dëgjuar edhe gjatë ditës së djeshme, që kryesisht janë shqetësime që ndërlidhen me statusin e pronave në nivelet komunale, pastaj me burokracitë e tepërta të cilat po përcillen në nivelet komunale  dhe qendrore, pastaj çështja e taksave në nivelet komunale, po ashtu edhe të niveleve qendrore dhe një komunikim i domosdoshëm dhe i mirëfilltë dhe më i mirë në mes nivelit lokal dhe nivelit qendror”, është shprehur Presidentja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button