Prokurori dhe gjykata të posaçme për zyrtarët e lartë

Grupi i ekspertëve ka publikuar draftin final të reformës në drejtësi. Drafti përmban 57 nene dhe dy anekse. Parashikohen votimet me 3/5, por jo për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Krijohen prokurori dhe gjykata për funksionarët publikë. Prokurori i përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, por shkarkohet nga Tribunali

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë vendës dhe të huaj kanë mundur që të bëjnë dhe korrektimet e fundit mbi draftin final të ndryshimeve kushtetuese të përgatitura në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë dhe që pasi të kalojnë në komisionin ad hoc do t’i çohen sërish për shqyrtim Komisionit të Venecias. Drafti final i ndryshimeve kushtetuese është publikuar dje edhe në faqen zyrtare të Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe në të janë integruar nenet për të cilat nuk ka patur vërejtje dhe për rrjedhojë nuk janë bërë objekt diskutimi si dhe reflektimet që grupi i ekspertëve ka bërë mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Drafti përmban 57 nene dhe dy anekse, njëri që përcakton mënyrën e funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe i dyti parashikon institucionet dhe procedurën e kualifikimit dhe rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sa i përket pjesës më të rëndësishme, thelbit të reformës në drejtësi, vihet re se grupi i ekspertëve në këtë draft final kanë reflektuar në pjesën më të madhe sugjerimet e Komisionit të Venecias, si dhe disa nga propozimet e bëra gjatë debatit në tryezën e diskutimeve. Kështu sa i përket Gjykatës Kushtetuese, në këtë draft qëndron varianti që ata propozohen 3 nga presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë dhe ajo Administrative, por nuk flitet për votat që duhen për t’u zgjedhur nga Kuvendi. Kjo lihet të përcaktohet me ligjin e Gjykatës Kushtetuese. Një ndryshim thelbësor i është bërë pjesës së Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative që do krijohet rishtazi. Në dallim me variantin e mëparshëm, përjashtohet Kuvendi plotësisht nga procedura e zgjedhjes së gjyqtarëve të këtyre gjykatave. Tashmë e drejta e propozimit i lihet Këshillit të Lartë të Gjyqësor, ndërsa ajo e emërimit Presidentit të Republikës. Por ky i fundit ka të drejtën vetëm të pranojë ose refuzojë kandidaturën e propozuar nga KLGJ. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë sipas dispozitave kalimtare do ta mbarojnë mandatin, ndërsa kryeprokurori do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Gjithashtu KLGJ nga ana tjetër ka të drejtë që me shumicën e votave të anëtarëve të saj ta refuzojë dekretin e mos miratimit nga presidenti. Nga ana tjetër sa i përket KLGJ-së ajo do të ketë 11 anëtarë ku 6 prej tyre do zgjidhen nga radhët e gjyqësorit dhe 5 nga Kuvendi nga radhët e juristëve me 3/5 e votave. Pra, në këtë aspekt, Kuvendi ka të drejtën që të zgjedhë gati gjysmën e KLGJ-së që është dhe qeveria e gjyqësorit. Lidhur me kapitullin e Prokurorisë është lënë varianti që parashikohej edhe në draftin e datës 29 dhjetor, ku Këshilli i Lartë i prokurorisë do ketë 11 anëtarë dhe ku 5 prej tyre do i zgjedhë Kuvendi. Ky këshill do ketë të drejtën që t’i paraqesë kuvendi dhe 3 kandidatura për të zgjedhur kryeprokurorin me 3/5 e votave. Por në rast se ai dështon të sigurojë këto vota atëherë propozohet që të konsiderohet i emëruar kryeprokuror ai kandidat që është renditur më mirë nga vlerësimi i këshillit. Por krahas me Prokurorinë e përgjithshme në këtë kapitull parashikohen që të ngrihen dhe prokurori të posaçme që do jenë prokurori të pavarura dhe të cilat do të hetojnë çështjet që kanë të bëjnë me funksionarët e lartë publik. Ajo që bie në sy në këtë draft është se prokurori i përgjithshëm pavarësisht se votohet nga Kuvendi, shkarkohet nga Tribunali i Drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button