Marrëzi apo hipokrizi politike?

Strumbullari i ngulfatjes së zhvillimit ekonomik është keqqeverisja e vendit.

Strukturat e kriminalizuara dhe të korruptuara politike të instaluara në Qeveri kanë uzurpuar dhe monopolizuar jetën institucionale në vend.

Nëse nuk ndërmerren veprime për parandalimin e uzurpatorëve të shtetit, këta nuk do të ndalen vetë, do të vazhdojnë të shfrytëzojnë djersën tonë, të pinë gjakun tonë edhe për 16 vite të tjera.

Ndikimi i fuqishëm i partive në pushtet ndaj institucioneve të pavarura, si: drejtësia, policia, arsimi, shëndetësia, etj., ka bërë që edhe institucionet më kredibile të vendit të humbin besimin tek qytetarët e vendit.

Shkaqet e moszhvillimit ekonomik të vendit tonë janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga ato politike, subjektivizmit njerëzor, faktorëve ndërkombëtar, por mbi të gjitha strumbullari i ngulfatjes së zhvillimit ekonomik është keqqeverisja e vendit. Janë strukturat e kriminalizuara dhe korruptuara politike të instaluara në Qeveri, që kanë uzurpuar dhe monopolizuar jetën institucionale në vend.

Buxhet vetëm për të pasurit

Ashtu si në Qeverinë e kaluar, edhe në vazhdimin e saj, buxheti i shtetit për këtë vit garanton mirëqenie vetëm për të pasurit, pushtetarët dhe mbështetësit e tyre, përderisa shumica e popullatës vazhdojnë të mbeten të varfër dhe të harruar nga shteti.

Pothuajse gjysma e buxhetit edhe këtë vit do të shkojë për autostradat, afërsisht gjysma tjetër për “mirëmbajtjen” e Qeverisë megalomane me 21 ministri, përderisa më pak se çereku i buxhetit mbetet për “zhvillimin” (varfërimin) e mëtutjeshëm të sektorëve primarë të shtetit!

Ndërtimi i autostradave shkon në funksion vetëm të njerëzve të pasur, përderisa të varfrit, autostradat mund t’i shikojnë vetëm në televizor, apo ata që kanë privilegjin të jenë afër autostradave mund t’i shikojnë nga shtëpitë e tyre, veturat luksoze të të pasurve dhe eskortat qeveritare duke lëvizur me shpejtësi të madhe para syve të tyre sikurse në filmat e Hollywood-it!

Gjatë miratimit të buxhetit (të varfërisë) për vitin 2016, në kuvendin e improvizuar të Republikës së Kosovës, u pa qartë se fjala nuk është për ndryshim, por vetëm për vazhdimin e mjerimit politik dhe social në vendin tonë.

Pushtetarët, përderisa kanë para për mbajtjen e një Qeverie megalomane, një, më falni dy kryeministra me 3 zv.kryeministra, 21 ministri, mbi 50 zv.ministra, me qindra këshilltarë dhe mijëra të punësuar në Qeverinë më të madhe në Evropë, si mund të mos kenë para, së paku për rritjen e asistencës sociale për shtresat e popullatës me varfëri të skajshme!

Deri këtu ka arritur shkalla e mjerimit dhe marrëzisë politike në vendin tonë!

Nuk e di edhe çka duhet të ndodhë më shumë në vendin tonë sesa që është duke ndodhur, që më në fund populli të vetëdijesohet, për ta rrënuar këtë klasë të shëmtuar politike, që shpërdoruesit e pushtetit, hajnat, vrasësit, plaçkitësit të vihen para drejtësisë!

Uzurpimi i shtetit

Nëse nuk ndërmerren veprime për parandalimin e uzurpatorëve të shtetit, këta nuk do të ndalen vetë, do të vazhdojnë të shfrytëzojnë djersën tonë, të pinë gjakun tonë edhe për 16 vite të tjera.

Të thuhet se opozita po proteston për të ardhur në pushtet, është krejt gjë normale, por të thuhet se opozita, protestën po e bën me qëllim të pengimit të krijimit të Gjykatës Speciale, përveçse e pasaktë, është edhe absurde, sepse krijimi i saj nuk varet nga vullneti pushtetarëve e as i opozitarëve tanë, ngase janë instanca tjera ndërkombëtare që kanë vendosur krijimin e një gjykate të tillë, andaj deklaratat e tilla të pushtetarëve janë insinuata, që për qëllim kanë mashtrimin dhe manipulimin e opinionit vendor.

Nëse ndokush pritet të përballet me këtë Gjykatë, janë në radhë të parë pushtetarët aktualë, pastaj vijnë në shprehje të supozuarit e tjerë. Këto fjalë të padëshiruara për shtresat e privilegjuara të pushtetit, duhet të jenë kushtrim për shtresat e varfra dhe të nëpërkëmbura nga pushteti i këtyre viteve të pas”pavarësisë” në Kosovë.

Kërkohet distancimi i elektoratit rugovian nga Isa Mustafa

Krejt në fund i kam edhe dy-tri fjalë për disa LDK-ista, që janë me zemër e me shpirt rugovian. Nëse e mendoni ta ndalni trendin e keqqeverisjes së vendit, korrupsionin dhe krimin e organizuar, parandalimin e së keqes më të madhe për vendin, siç është “Zajednica”, urgjentisht duhet të distancoheni nga veprimet antikushtetuese të liderit të partisë, Isa Mustafa, shkelësit të 22 neneve të Kushtetutës së vendit.

Ta mbrosh sot Isa Mustafën në pushtet, do të thotë; ta mbrosh keqqeverisjen tetëvjeçare të Hashim Thaçit, do të thotë ta mbrosh krimin e organizuar dhe korrupsionin, ta ndihmosh ndarjen etnike të vendit!

Vazhdimi i mbajtjes në krye të qeverisjes së vendit dhe të LDK-së, të një njeriu që rrënoi vlerat demokratike në subjektin simbol të demokracisë së vendit tonë, është gjëja më e keqe e mundshme dhe më e shëmtuar njëkohësisht.

Fundja, të hezitosh apo të qëndrosh indiferent ndaj rrezikimit të tri shtyllave kryesore të filozofisë politike rugoviane; Liri-Pavarësi -Demokraci, që janë shtyllat bazike të një shteti të lirë dhe demokratik, përveçse shkurtpamësi politike, janë hipokrizi dhe marrëzi njerëzore njëkohësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button