Lëvizja BESA: Shqiptarët e Radishanit të lënë në mjerim e baltë

 

Lëvizja BESA – Butel reagon për diskriminim që u bëhet shqiptarëve të lagjes së Radishanit, duke i lënë ata në mjerim dhe baltë vetëm sepse ata janë shqiptarë.

“BESA nuk mund të mos konstatojë se faji për këtë diskriminim ndaj shqiptarëve nuk është vetëm në pushtetin antishqiptar të VMRO-DPMNE-se, që tashmë është i njohur me qasjen antishqiptare, por fajin e kësaj gjendje të shqiptarëve të Komunës së Butelit, pra edhe të atyre në Luboten e Vizbeg, e kanë edhe ata që ikin nga problemet reale të shqiptarëve dhe shtiren se po zgjidhin probleme të përmasave globale, si ato të krizës së Sirisë, Ukrainës dhe, së fundi, edhe të asaj në Greqi. Ndonëse në Komunën e Butelit jetojnë 9.100 banorë shqiptarë (nga gjithsej 36.100 qytetarë sa janë gjithsej), diskriminimi i madh ndaj shqiptarëve në këtë komunë vazhdon. Të jetosh në një qytet që krenohet me projektin “Skopje 2014”, ndërsa të jetosh në rrugë të paasfaltuar dhe të baltosur vetëm sepse je shqiptar, kjo është më shumë se tragjedi. Kjo rrugë e shqiptarëve të Radishanit më shumë të asocon në Shkupin e vitit 1914 sesa në kryeqytetin që identifikohet me vitin 2014”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Shqiptarët e kësaj komune nuk kërkojnë ndonjë gjë të parealizueshme, nuk kërkojnë as kuaj e as përmendore në lagjet e tyre, por vetëm kushte dinjitoze për jetë për ata dhe për fëmijët e tyre.

“Lëvizja Besa u bën apel autoriteteve komunale, para së gjithash këshilltarëve shqiptarë të kësaj komune, që ta ngrenë zërin dhe të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, sepse edhe banorët shqiptarë meritojnë të kenë kushte të barabarta si fqinjët e tyre maqedonas. Ose le t’u dalin zot kërkesave të votuesve të tyre ose le ta pranojnë se nuk janë të aftë për këtë punë dhe të tërhiqen nga pozitat që i kanë marrë. Më e ndershme është të pranohet dështimi sesa të lejohet mashtrimi”, thuhet më tej në reagim.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button