Faleminderit Kosovë

Edhe njëherë Kosova, ia arriti përsëri! Ashtu sic e bëri në ’81-shin, ashtu sic e bëri në ’89-tën… populli kosovar u ngrit në këmbë si një feniks, dhe plot zjarr e shpirt ju tha agresorëve të cilët nuk ia duan të mirën popullit të vet: ikni! Jeni antikushtetues sepse punoni dhe veproni kundër Kosovës. Sepse jeni ata që plot pompozitet pretendoni që na sollët lirinë dhe tani na cungoni të ardhmen. Jeni verbuar aq shumë nga madhështia e kolltuqeve tuaja sa keni harruar idealet që një kohë lëvizjet tuaja paraqitnin pikërisht për këtë popull.Faleminderit Kosovë që të paktën për një ditë na rikujtove se të qenurit shqiptar është ndjenja më e mirë në botë! Faleminderit Kosovë që për një ditë na bëre të mendojmë përtej barkut tonë! Faleminderit Kosovë që këtë ditë u ngrite në këmbë kundër tiranisë, shtypjes, opresionit, mbytjes së fjalës së lirë!

Në vite të shkuara lëvizjet dhe organizatat, udhëheqësve tëtë cilave dje turma ju përcolli mesazhin e lirisë, demokracisë dhe atdhedashjes, ishin ato që luftuan kahera kundër një regjimi që shtypi popullin kosovar. Ishin lëvizje politiko-militare që nxitën shpresën e lirisë dhe pavarësisë në një popull që ishte shtypur aq shumë nga armiqtë e vet; ishin pikërisht lëvizjet që inicuan proceset që sollën deri në fundin e atij agresioni. Ndërsa sot, për arsye që edhe ata vetë nuk i dijnë, shkelin mbi të kaluarën e tyre dhe japin dritën jeshile për rënimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës në një formë dhe mënyrë flagrante. Me nënshkrimin e tyre po falen copa toke kosovare, po shpërfillet dhe flaket tutje pasuria kombëtare që duhet të sjellë progresin ekonomik. Po krijojnë qeliza kancerogjene të cilat gjithmonë do të jenë pengesë për zhvillimin e vendit të tyre. Po krijojnë enklava të cilat domosdoshmërisht do të jenë problemi primar i Kosovës në njëqind vitet e ardhshme. Të njejtat do të jenë të sponzoruara nga shteti serb, që nuk ende përfill vullnetin dhe realitetin e Kosovës si shtet më vete, me qëllim për të minuar zhvillimin adekuat të shtetit dhe destabilizimit permanent të tij.

Sot Serbia dhe Mali i Zi janë ndër shtetet kyçe në panoramën gjeostrategjike botërore, që joshen si nga Perëndimi ashtu edhe nga Rusia për t’u bërë pjesë e aleancave të reja të tyre. Joshen nga Rusia me qëllim të krijimit të një tampon zone strategjike në Ballkan e cila do të jetë ajo që ndan NATO-n më dysh; ndërkaq joshen nga Perëndimi me ckado që të duan vetëm e vetëm për të mos devijuar drejt Rusisë. Nuk do mend që pjesë e kësaj politike perëndimore, në dëm të interesave shqiptare në Ballkan është krijimi i Zajednicës, me qëllim që të joshin serbët nëpërmjet realizimit të aspiratave të tyre megallomane. A është e mundur që kjo intelegjencë kosovare që drejton vendin drejt greminës të mos e shohë të vërtetën, të mos jetë largpamëse dhe të kuptojë që nuk vlejnë lajkat politike që vijnë nga BE-ja, sepse asnjë marrëveshje asocijim-stabilizimi, as edhe anëtarësimi në BE nuk do të vlejë asgjë nesër kur të kesh shtetin nën tension të vazhdueshëm nga brenda?

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button