Përmbytjet, po punohet për të shmangur çdo problematikë tjetër

Rehabilitimi i Lumit te Tiranes (1)Vazhdojnë edhe ditën e sotme punimet për të rehabilituar problemet dhe dëmet që u shfaqën pas reshjeve të dendura të shiut të pak ditëve më parë.

Bashkia e Tiranës njofton se, “aktualisht, po punohet në 9 pika të ndryshme, kryesisht në ato njësi administrative që u shfaqën më shumë problematike gjatë reshjeve”.

Drejtori i Njësive Administrative në Bashkinë e Tiranës, Admir Abrija, inspektoi sot punimet që po kryhen në lumin e Tiranës, në njësinë administrative nr. 8, për rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara dhe parandalimin e problemeve të tjera.

“Pas masave paraprake që u morën nga Bashkia e Tiranës, tashmë kemi dy ditë që po punojmë për riparimin e pasojave. Sot jemi në njësinë nr. 8, e cila është një ndër pikat nevralgjike, ku po punojmë për rehabilitimin dhe rivendosjen në punë të kolektorëve dhe përgatitjen e barrierave, që me shirat e ardhshëm të mos kemi më probleme. Si kjo pikë në Tiranë, kemi edhe pika sensitive ku po punohet; ato fillojnë nga Zall Bastari, Krraba, Bërzhita, Farka, Kombinati, njësia 1, 8 e 11 dhe brenda në qytetin e Tiranës, në pjesën e poshtme të lumit të Lanës”, tha Abrija, sipas të cilit, situata tashmë paraqitet normale.

Ndërkohë, administratori i Njësisë Administrative nr. 8, Erion Xhafa, tha se kjo zonë e Tiranës ka qenë më problematikja pas reshjeve të shiut, por është e rëndësishme që masat paraprake tashmë janë marrë.

“Jemi në kushtet kur po marrim masat për ditët në vijim, në mënyrë që të minimizohen problematikat dhe duke pasur parasysh problemet e fundit, të mund të bëjmë një vlerësim të saktë risku. Me argjinaturën që kemi ngritur këto ditë, mendojmë se në ditët në vijim nuk do të kemi më probleme të tilla”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button