Deputetët e pozitës thërrasin opozitën që të bisedojnë

Vetëm edhe disa orë kanë mbetur deri në fillimin e protestës së thirrur nga opozita.

Në kohën kur autobusët nga komunat anembanë Kosovës janë në rrugë drejt Prishtinës, deputetë nga koalicioni qeveritar i kanë bërë thirrje opozitës që të ulen në tavolinë për të biseduar, në vend se të dalin në rrugë për protestë.

Për deputetet e pozitës, protesta të tilla po krijojnë pasiguri.

Blerta Deliu- Kodra, deputete nga PDK, tha për KALLXO.com se ajo sot nuk do të dalë fare në qytet, pasi që ka frikë për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.

“Kam planifikuar t’i dërgoj fëmijët në Teatër, por nuk do ta rrezikoj as sigurinë time e aq më pak të fëmijëve… duke u nisur nga djegia e veturave dhe veprime të ndryshme, më mirë të qëndroj në shtëpi”, tha Deliu- Kodra.

Ajo tha se protesta është formë e drejtë dhe e lirë e çdo qytetari të çdo vendi, por arsyeja e protestës, sipas saj, është e gabuar.

Për Deliun, marrëveshjet nuk mund të tërhiqen.

“Marrëveshjet burojnë prej Pakos së Ahtisarit, është e pamundur që ato nënshkrime të tërhiqen… në vendimin e Kushtetutës, thuhet se ato janë vetëm disa pika që duhet të ndryshohen, dhe edhe ne si pozitë jemi dakord që ato pika të ndryshojnë”, tha Blerta Deliu- Kodra.

“Kërkesa është për me marrë pushtet, dhe kjo nuk është një formë e mirë. Pushteti merret me votë dhe jo në këtë mënyrë”, u shpreh ajo.

“Anulimi i kësaj marrëveshje, do të na sjellë në pikën zero”, tha ajo.

Ndërsa për deputetin e LDK-së, Bleirm Granica, protesta e sotme as nuk e cenon sigurinë e tij, dhe as nuk përbën problem.

Granica tha se shpreson që protesta të kalojë e qetë, dhe në të, të shprehen kërkesat e opozitës.

Por ai thotë se “nuk duhet të kalohen anët ligjore” dhe të mos cenohet siguria e qytetarëve.

“Unë shoh problem tek mjetet që përdorë opozita, dhe shpresoj që kjo protestë të mos marrë formën dhe ngjyrën e protestave të kaluara”, tha Granica.

Ai tha se opozita duhet të ndalet dhe të diskutojë për to, e jo të kërkojë dorëheqjen e Qeverisë përmes protestave.

“Kërkesat e ultimatumeve të formës së prerë nuk qëndrojnë. Nëse opozita do të kishte fuqinë që përmes votës ta rrëzojë qeverinë, atëherë do të ishte krejt normale, por të thuash se ose do bësh si them unë ose asgjë nuk vlen, nuk është alternativa”, tha Granica.

Ai tha se duhet të veprohet ashtu siç ka sugjeruar Gjykata Kushtetuese, që të përmirësohen ato nene që nuk janë në përputhje me kushtetutën, dhe sipas tij, kjo mund të bëhet vetëm nëse opozita dhe pozita diskutojnë mes vete brenda institucioneve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button