Qarkoret e Tetovës do të vëzhgohen nga kamerat e sigurisë

Pas Shkupit dhe Kumanovës edhe qyteti i Tetovës bëhet pjesë e projektit të Ministrisë së Punëve të Brendshme “Qytete të sigurta”.

Me këtë rast tashmë edhe në Tetovë në rrugët kryesore kanë filluar të vendosen kamerat e sigurisë. Fillimisht kamerat e sigurisë janë vendosur në unazën në afërsi të ish Monopolit dhe më pas është vijuar edhe në unazat tjera në qytet.

Vendosjen e kamerave të sigurisë në Tetovës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë Ivo Kotevski, për “Portalb”. Ai theksoi se edhe qyteti i Tetovës është pjesë e projektit të MPB-së që ka filluar të realizohet që nga viti i kaluar i titulluar  “Qytete të sigurta”.  Kotevski, theksoi se qyteti i Tetovës është i treti me radhë ku vendosen kamerat e sigurisë.

“Tetova tashmë llogaritet si qytetet metropol pas Shkupit. Ka shumë lëvizje të qytetarëve dhe një komunikacion të ngarkuar prandaj kamerat e sigurisë vendosen për të pasur një qytet më të sigurt në të ardhmen. Projekti në fjalë ka filluar të realizohet në Shkup, në Kumanovë, ndërsa në këtë fazë vendosja e kamerave është duke u bërë në qytetin e Tetovës”, tha Ivo Kotevski zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas tij ditëve në vijim do të dihet edhe numri i saktë i kamerave që do të vendosen në Tetovë, ndërsa të njëjtat do të kontrollen nga qendra në Shkup. Edhe pse shtyllat janë vendosur një vit më parë, megjithatë vendosja e kamerave të sigurisë ka filluar këtë fund vit.

Lajme të ngjashme

Back to top button