Teatri turk në Maqedoni, i vetmi në Ballkan dhe Evropë që performon në gjuhën amtare

Teatri turk në Shkup është një institucion i cili më shumë se gjysëm shekulli ekziston në skenën e kulturës maqedonase dhe përveç shfaqjeve në gjuhën turke në Maqedoni, ky teatër performon edhe jashtë saj në Ballkan dhe Evropë. Drejtori i Teatrit turk në Shkup, Atilla Klinçe, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) thotë se teatri që drejton ai është i vetmi institucion në Ballkan dhe Evropë që performon në gjuhën amtare të saj dhe që financohet drejtpërdrejtë nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë.

“Ndjehemi krenarë që jemi të vetmit në Ballkan dhe në Evropë, që performojmë shfaqje jashtë Turqisë dhe drejtpërdrejtë financohemi nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë. Ajo që më tepër na gëzon dhe që ndryshojmë nga të tjerët është se kemi teatër tradicional turk me një ndërthurje të aktiviteteve evropiane, e cila është e njohur brenda dhe jashtë vendit”, thotë Atilla Klinçe.

Në shënimin e 65 vjetorit të teatrit turk në Shkup, Klinçe promovoi monografinë “Me hapa të sigurta drejt qëllimit”, i cili me fotografi të shfaqjeve dhe ansamblit sublimon (lartëson – lavdëron) aktivitetet e teatrit turk gjatë pesë viteve të fundit. Monografia në fjalë është financuar nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa në të përfshihen aktivitetet dhe projektit e teatrit gjatë periudhës 1950-2015.

“Monografia është një vazhdim i monografisë së parë, që u botua në shënimin e 50 vjetorit të teatrit turk. Sot, kur festojmë 65 vjetorin e themelimit tonë, shtuam aktivitetet e plota të teatrit dhe një pjesë të programeve nga vitit 2010 deri në vitin 2015, si shpërblimet dhe shfaqjet tona”, thotë Klinçe, duke shtuar se monografia është e përbërë prej 340 faqeve në gjuhën turke dhe maqedonase, përfshirë në të 366 fotografi.

Teatri turk në Shkup me vite të tëra ndan skenën me Teatrin shqiptar të Shkupit, ndërkohë që Qeveria e Maqedonisë ka filluar ndërtimet e objektit të ri në afërsi të stacionit hekurudhor, krabina e të cilit parashihet të përfundohet muajin e ardhshëm. Klinçe beson se objekti i ri me sipërfaqe 2.600 metra katrorë do të ketë kushte më bashkëkohore për punë të këtij institucioni kombëtar.

“Sipas vlerësimeve time për një vit e gjysëm apo dy ansambli i Teatrit turk duhet të transferohet në objektin e ri, ku do të punojmë të vetëm dhe do të kemi kushte shumë më të mira. Bëhet fjalë për një sipërfaqe të mjaftueshme, ku parashihet të ketë dy skena. Njëra do të jetë skenë alternative e cila do të jetë e hapur për krijuesit e rinj që do të duan të punojnë dhe bashkëpunojnë, por tipar kryesor do të mbetet performimi i shfaqjeve në gjuhën turke”, deklaron Klinçe.

Teatri turk para katër viteve fitoi Dekoratë për merita për Maqedoninë nga presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ndërsa ndër sukseset më të rëndësishme edhe shfaqje të premierave jo vetëm në vend, por edhe në kontekst ndërkombëtar. Teatri turk është formuar më 9 korrik të vitit 1950 me interpretimin e shfaqjes “Personi i dyshimtë” nga Branislav Nushiç, ndërsa në regji të Abdush Huseinit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button