Kumanovë, fshati Kosturnik pa objekt shkollor për 20 vjet rresht, pushteti lokal vazhdon premtimet

Në fshatin Kosturnik mungon objekti i shkollës fillore. Aktualisht, 24 nxënës mësojnë në një objekt privat të improvizuar, vetëm në dy klasë. Aty janë pesë paralele dhe zhvillojnë mësim të kombinuar. Arsimtari i parë i fshatit, Femi Xhaferi, gjatë mësimdhënies hasë në vështirësi dhe nuk mund t’i kushtojë kohë të mjaftueshme nxënësve. Ata duhet ta ndajnë klasën si dhe orën mësimore. Gjithashtu, arsimtari thekson se kanë dërguar kërkesë për ndërtimin e shkollës, por deri më tani kanë marrë vetëm premtime, njofton TV21.

“Çdo fillim të shtatorit bëjmë kërkesë, të cilën drejtoresha e dërgon deri tek dega rajonale në Kumanovë, gjegjësisht në Ministrinë e Arsimit. Mirëpo, asnjëherë nuk shqyrtohet kërkesa dhe nuk ndërmerren masa që të ndërtohet një objekt i ri shkollor”, thotë arsimtari, Femi Xhaferi.

Sipas Koordinatorit të këshilltarëve të BDI-së në Komunën e Kumanovës, Ridvan Asanit, në objektet shkollore investon Ministria e Arsimit, pavarësisht se janë kompetencat e Komunës për menaxhimin e tyre. Por, ky problem është shqyrtuar në Kuvendin Komunal, dy seanca më parë dhe vitin 2016 do të gjejmë një zgjidhje, thotë ai.

Kryetari i Bashkësisë lokale të fshatit Kosturnik, Qahil Qaili thekson se nuk kanë pasur mbështetje institucionale për asnjë projekt. Me vetëfinancim ata kanë bërë ujësjellësin, kanalizimin, xhaminë dhe rrugët e fshatit.

Një nga tre arsimtarët e kësaj shkolle, Makfire Demiri, në mungesë të hapësirës, mësimin me klasën e parë e zhvillon në zyrën e personelit. Megjithëse, nxënësit janë të talentuar, ajo vlerëson se nuk ka kushte elementare për mësim dhe si pasojë ata nuk janë të motivuar për mësim cilësor.

Fshati Kosturnik është pesë kilometra larg Kumanovës, në drejtim të pikë-kalimit kufitar të Tabanocit. I populluar me 300 banorë, të gjithë shqiptarë të një familje me origjinë nga fshati Dunav, i Malësisë së Karadakut të Kosovës. Megjithëse, fshati ekziston prej gjysmë shekulli, vetëm disa muaj më parë ka marr statusin e bashkësisë lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button