Konkluzionet e BE-së: Maqedonia na zhgënjeu

Edhe ky Samit, ashtu siç pritej, rezultoi i dështuar për Maqedoninë. Vendi jo vetëm që nuk mori datën për fillimin e bisedimeve me BE-në në takimin e shefave të diplomacive evropiane, por konkluzionet e sivjetme rezultuan më pak premtuese për sa i përket rrugës evropiane të vendit. Ministrat e jashtëm të BE-së vendosen që t’i rikthehen vitin e ardhshëm  mundësisë për çeljen e negociatave me Maqedoninë, por pa precizuar një datë të saktë.

“Nuk mund të fsheh shqetësimin rreth IRJM-së. Këshilli vendosi që t’i rikthehet kësaj çështjeje, në bazë të informatave të reja që do të ofrojë  Komisionit për sa i përket progresit të mëtejshëm të vendit në kuadër të Dialogut në Nivel të Lartë (HLAD) përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së 1 marsit dhe hapave konkrete për promovimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore.  Shpresojmë se vendi do t’i shfrytëzojë muajt e ardhshëm, për të avancuar procesin e reformave dhe do të punojë me të gjithë partnerët për të dalë nga gjendja ‘status quo’, në mënyrë që sa më shpejtë të mund të bëjë hapin e ardhshëm në rrugën evropiane”, theksoi Komisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle.

Fyle nuk precizoi nëse Komisioni do të dalë sërish me një raport të jashtëzakonshëm në pranverë, sikurse vitin e kaluar rreth progresit të vendit.

“Komisioni do të përgatis një raport special vetëm nëse ka bazë për një gjë të tillë. Në të kundërtën, raporti i rregullt i progresit do të publikohet, ashtu si gjithmonë, diku nga mesi i muajt tetor i vitit të ardhshëm, përpara përfundimit të mandatit të këtij Komisioni”, shtoi Fyle.

Nga ana tjetër Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Linkeviçius, vendi i të cili kryesonte Unionin gjatë gjashtë muajve të fundit, theksoi se vendimi i Këshillit, nuk duhet të shkurajojë Maqedoninë në përpjekjet e saj drejt anëtarësimit në BE, ndërkaq hodhi poshtë pretendimin të jetë vënë në pikëpyetje kredibiliteti i procesit të zgjerimit.

“Kjo është diçka që duhet të pranohet si gjendje reale. Nuk është fshehtësi e madhe, ne kemi proces të brendshëm të marrjes së vendimeve, të cilat kërkojnë konsensus. Kjo kërkon kohë, kërkon durim, nuk shkon me shpejtësinë që ne do të dëshironim. E shikojmë këtë atmosferë pozitive, nëse flasim në përgjithësi, por akoma nuk jemi në pozicion t’i fillojmë bisedimet. Por, kjo nuk do të thotë se në këtë mënyrë është cenuar kredibiliteti i Unionit. Këtë e them edhe në bazë të përvojës së shtetit tim. Edhe ne kaluam përmes procesit të integrimit dhe disa herë na u tha – harroni, asnjëherë nuk do ta merrni. Pikërisht me këto fjalë. Për çfarë kredibiliteti mund të flasim në këtë rast. Por kjo asnjëherë nuk ndikoi në proceset në vendim tim dhe nuk e ndryshoi përcaktimin tonë. Prandaj, unë ju sugjeroj ju dhe kolegët e mi që të vazhdoni të lëvizni përpara, do të vijë momenti, nuk dyshoj”, theksoi Ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Linkeviçius.

Në konkluzionet që miratuan shefat e diplomacive evropiane theksohet nevoja për angazhimin e vendit për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe arritjes së Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Greqinë.

Theks të veçantë gjithashtu u kushtohen edhe adresimit të problemeve që karakterizuan skenën politike të vendit gjatë vitit të kaluar, sikurse qeverisja e së drejtës, pavarësia e gjykatave, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për Union shqetësuese mbetet gjendja lidhur me lirinë e mediave, ndërkaq theksohet edhe nevoja për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Konkluzionet  do të miratohen të enjten dhe të premten edhe nga 28 shefat e shteteve anëtare në Samitin e Këshillit të BE-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button