Italia kërkon pezullimin e Shengenit

Italia po rishikon mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Traktatit të Shengenit me rivendosjen e kontrolleve në kufijtë e saj.

Me këtë Italia po dëshiron t’i bashkohet listës së 6 të Bashkimit Europian si Gjermania, Suedia, Austria, Malta, Danimarka, Norvegjia, e Franca që gjatë orëve të fundit kanë vendosur ndërprerjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve evropianë brenda kufijve të tyre.

Mediat italiane informojnë sot se burime konfidenciale nga qeveria Renzi pohojnë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të Trakatit Shengen në kufirin mes Italisë e Sllovenisë.

Ministria e Brendshme italiane ka regjistruar gjatë ditëve të fundit një shtim të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në territorin italian nga kufiri Slloven. Mesatarisht janë rreth 300-400 emigrantë që hyjnë çdo javë nga ky kufi, fakt që ka detyruar Qeverinë italiane në hartimin e një plani të posaçëm pune mbi përballimin e këtij fenomeni.

Ky plan parashikon vendosjen e kontrollove në kufijtë tokësorë e hekurudhorë më Slloveninë, duke lënë të lirë qarkullimin në kufirin ajror. Kjo masë e jashtëzakonshme sigurie do të bëhet operative vetëm nëse do të evidentohet gjatë ditëve në vazhdim një shtim i hyrjes së emigrantëve nga ky kufi e nëse do të mungojë ajo klimë bashkëpunimi evropiane e premtuar qysh në muajt e mëparshëm.

Ndërprerja e Traktatit Shengen e rivendosja e kontrolleve kufitare është ndërmarrë nga vendet europiane vetëm në rastin e eventeve të programuara si Konferenca të rëndësishme Ndërkombëare me pjesëmarrjen e liderëve botërore apo aktivitete të mëdha sportive internacionale. Italia deri më sot ka vendosur vetëm një herë të pezullojë Traktatin Shengen në vitin 2008 me rastin e samitit G8 të mbajtur në qytetin Aquila.

Sipas së përditshmes italiane Corriere della Sera kjo masë e jashtëzakonshme sigurie që shumë shpejt mund të jetë operative nga qeveria Renzi, është një provë e dështimit të Traktatit Shengen.

Përgjatë 2015 në Itali kanë mbërritur 153.842 emigrantë, 9 % më pak me vitin 2014 ku numri i tyre ishte rreth 170 mijë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button