Maqedoni, beteja do të jetë e vështirë, 2016 vit i sfidave të mëdha!

Njerëz të botës akademike, mediave, artit dhe shoqërisë civile, nuk mund të ikin nga qënia njerëzores, e cila në thelb vie në shprehje gjatë aktiviteteve politike. Prandaj, nga politika nuk shpëton askush, për as një ditë apo vjet. Se çka karakterizoi vitin 2015 dhe cfarë sfida e presin shtetin e Maqedonisë gjatë viti 2016 për redaksinë Portalb kanë folur njerëz të dëshmuar në profesionet e tyre.

Fatmir Sulejmani: Viti 2015 kalo në shenjën e protestave

Profesori universitar Fatmir Sulejmani e cilëson vitin  2015 si vit protestave dhe ngjarjeve të pazakonta.

“Viti 2015 nisi me protestat masive të shqiptarëve, të lidhura për gjykimin e njerëzve të akuzuar për rastin e pasqaruar dhe tejet enigmatik të vrasjes së të rinjëve maqedonas në Liqenin e Smillkovës, për të vazhduar më pas me protestat që shkaktuan të ashtuquajturat “bomba” të opozitës maqedonase dhe me ato të arsimtarëve, studentëve dhe nxënësve kundër ligjeve që lidheshin me arsimin universitar, me testet e maturës dhe testet eksterne për nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore. Pakënaqësi dhe revoltë të hapur nxiti edhe rasti tejet i koklavitur dhe me shumë të panjohura i Kumanovës, i cili, nga shumë analistë vendorë dhe të jashtëm u cilësua si i montuar, kurse dy muajt e fundit të vitit në fjalë kaluan në shenjën e protestave të tetovarëve dhe jo vetëm kundër ndotjes ekstreme të ajrit, që ka vënë në rrezik serioz shëndetin e popullatës. Natyrisht, brenda vitit që po lëmë pas ka pasur edhe ngjarje të bukura, që lidhen me sfera të caktuara të jetës, po u ndala vetëm në atë që kërkuat prej meje – në ngjarjet dhe në rrethanat politike që i vunë vulën 2015-tës”, tha për Portalb Fatmir Sulejmani.

Iljasa Salihu: Viti 2015 një vazhdimësi e vitit 2014, vit që na kujtonte projektin vrasës të kulturës shqiptare

Me kalimin e viteve nuk kaluan edhe ngjarjet e këqija që rrodhën ndër vite, edhe pse çdo ditë e shkuar është një histori më vete, mirëpo ata që përditë po na zymtësojnë përditshmëritë nuk e kanë ndërmend të kalojnë në histori, ndoshta edhe për faktin se ne nuk po mbërrijmë të bindemi se ata që nuk marrin mësim prej historisë, ajo edhe në të ardhmen do t’i përsëritet me po të njëjtën masë, mbase edhe me dyfishin e saj, sepse e keqja kur merr trajtë përsëritëse, ajo vjen së bashku me kamatën, kështu vlerëson publicisti Iljasa Salihu.

Sipas tij, Viti 2015 në Maqedoni ishte një vazhdimësi e vitit 2014, vit që na kujtonte projektin vrasës të kulturës shqiptare dhe mbytjen e buxhetit shtetërore për një projekt që nuk përfaqësonte interesat e mbushësve të këtij buxheti.

“Pikërisht kur prisnin se të ashtuquajturat bombat e Zaevit do t’i hidhnin në ajër kriminelët e vërtetë, ndodhi Gushinca dhe nata e tradhtisë së madhe në Kumanovë, ku për pasojë humbën jetën 8 policë dhe 10 shqiptarë të grupit të armatosur dhe pjesa tjetër u plagos e burgos për t’ia humbur kështu krenarinë atyre që kishin qenë njerëz kyç në luftën e 2001-shit, edhe pse bashkëluftëtarët e atëhershëm, tani të humbur në ngrohtësinë e kolltukut, heshtën porsi huta të hutuara. Ndonëse dikush me çdo kusht dëshironte që numri i policëve të vrarë të jetë më i vogël se i grupit të armatosur. Populli filloi ta harrojë rëniet ekonomike dhe uljen e investimeve të jashtme, ngaqë Maqedonia qe tronditur me një sulm të armatosur. Pas kësaj katrahure që forcat e rendit dhe të sigurisë dëshmuan një grykësi të paparë, dhanë dorëheqje ata që duhej të jepnin dorëheqje për shkak të skandaleve prej përgjimit. Dy gjarpërinjtë që prej kohësh shtypnin dinjitetin e shqiptarëve, gjoja për arsye morale dhanë dorëheqje pas rastit të Kumanovës, sepse po të jepnin pas skandaleve të publikuara, do të thoshte se ata i pranojnë si të vërteta ato materiale, gjë që pamundësia e përgënjeshtrimit dhe lojërat e ndërmjetme dëshmuan vërtetësinë e atyre materialeve”, tha mes tjerash Salihu.

Isuf Kadriu: Beteja do të jetë e vështirë, 2016 vit i sfidave të mëdha

Gazetari i mirënjohur Isuf Kadriu vlerëson se 2015-ta ishte ndër vitet më të vështira që nga konflikti i armatosur i vitit 2001, vit i përcjell me kriza dhe afera që nuk janë dëgjuar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjërë.

Ai veçon vetëm dy ngjarje që bllokuan të gjitha proceset në Maqedoni, qoftë në planin e brendshëm ashtu edhe në të ndërkombëtar.

“Afera e përgjimeve vetëm sa vërtetoi dyshimet se këtu nuk ka shtet ligjor, por kriminal, se nuk ka ka liri të shpehjes, por kontroll total të pavarësisë së mediave, se të gjtihë ata që nuk mendojnë njejtë si regjimi janë armiq të tij. Këtu janë shkelur të drejtat dhe liritë më themelore të njeriut shkilen në mënyrën më brutale të mundshme, se ky regjim është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur pushtetin, qoftë edhe me nxitjen e gjakderdhjes. Rasti i Kumanovës këtë e vërtetoi! Jo vetëm ne, por tanimë edhe institucionet ndërkombëtare dyshojnë se ky konflikt është shkaktuar për zhvendosjen e vëmendjes nga afera e përgjimeve, që nxorri në shesh të gjitha të palarat e këtij pushteti autoritar”, theksoi për Portalb Kadriu.

Sipas tij, afera e përgjimeve dhe konflikti i Kumanovës së bashku edhe me procese tjera të montuara, si është rasti “Monstra” do të mbetën në kujtesën tonë kolektive si ngjarjet më tragjike që mund ti ndodhen një populli nga udhëheqësitë e tyre të cilët prioritet numër një kanë interest e tyre personale dhe të një grupi të caktuar.

“Sa i përket pozitës së shqiptarëve, edhe gjatë vitit 2015 vlerësoj se gjërat nuk kanë lëvzuar për asnjë milimetër. Nuk kishin qoftë edhe një ndryshim nga viti paraprak. Shqiptarët vazhdojnë të nëpërkëmben, jo me fajin e tyre, por të atyre që ua kanë dhënë votën për të përfaqësuar interesat e tyre. Gjuha shqipe, simbolet, përfaqësimi, buxheti mbeten po në ato nivele nënçmuese. Me vlerësimin se duhet një qasje apo ndryshim i pikave të Marrëveshjes së Ohrit, duke nisur që nga preambula e kushtetutës, partia shqiptare në pushtet ka pranuar se kjo marrëveshje edhe 14 vjet nga nënshkrimi i saj nuk ka arritur të realizohet.” “Viti 2016 vlerëoj se do të jetë edhe më i rëndë sa i përket vendosjes së demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të shtetit ligjor pasi vitin që po e lemë pas dëshmoi se këtu gjithçka është nën kontrollin e pushtetit. Zgjedhjet që pritet të mbahen do të jenë historike, them historike pasi në to do të vendoset nëse ky popull do të dënoj politikat që tronditën vendin me afera dhe kriza permanante apo nëse do të legjitimoj krimin, korrupsionin apo me një fjalë ata që shkelën parimet më elementare të funksionimit të shtetit ligjor. Beteja do të jetë e vështirë, pasi rerzistenca pritet të vazhdojë me intensitet edhe më të lartë. 2016-ta, do të jetë vit i sfidave të mëdha”, deklaroi për Portalb Kadriu.

Drilon Iseni: Maqedonia shënoi një regres të theksuar në rrugën euroatlantike

Aktivisti dhe njohësi i cështjeve europiane, Drilon Iseni potencon se afera e përgjimeve është një nga ngjarrjet që shkaktoi kataklizë në skenën politike vendore në vitin 2015, e që për pasojë solli inkuadrimin e faktorit ndërkombëtarë në procesin e dialogimit të marrëveshjes politike të Përzhinos.

Sipas tij, Maqedonia nuk ariti pjekurinë politike të lidershipit për shkak se në kohë krizash kyqja e faktorit ndërkombëtar paraqet domosdoshmëri.

“Kriza politike do lejë gjurmë të thella në vend, pasiqë nga faktori ndërkombëtar u cilësua si kriza më e madhe politike pas Konfliktit të vitit 2001”, u shpreh ai.

“Kollabimi i institucioneve publike e politike u shënua edhe nga Raporti i progresit të Komisionit Evropian, ndryshimi i shpeshtë i ligjeve dhe mungesa e dialogut në Kuvend paraqet dëshmi në ngecje dhe në kapacitetin demokratik të shtetit. Ndikimi i politikës në gjyqësorë, media dhe në investimet e huaja direkte ishin déjà vu në vitin 2015. Në plan të integrimeve evro-atlantike, novitet ishte regresi i theksuar në raport heqja e rekomandimit për fillim të negocijatave për aderim në BE. Viti 2016 do jetë sfidues për vendin në planin institucional edhe politik. Do kemi qeverinë e re kalimtare e cila do ketë obligim të zbatoje zgjedhjet e parakoshme parlamentare konform rekomandimeve të ODIHR-së, e ndërkohë të merret me krizën e refugjatëve dhe menaxhojë me buxhetin jozhvillimor. Në plan politik, sfida do të jetë te faktori politik Shqiptar, partitë parlamentare do të bëjnë çmos që të rruajnë status quo ndërsa partitë dhe lëvizjet në themelim të sipër sfidë do të kenë unifikimin mes tyre si diçka të domosdoshme për vendin e që gjithë papërjashtim e proklamojnë”, tha për Portalb Iseni.

Të intervistuarit tonë uruan qytetarët për një vitë të mbarë dhe të frytshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button