Viti 2016, vit i reflektimit…

Viti 2015 u karakterizua me shumë ngjarje skandaloze, dështime, eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt perëndimit, degradim dhe kapje të mëtutjeshme të shtetit, dhe nënshkrime të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, në dëm të interesave shtetërore. Protestat kundër ministrit serb të Qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, pas fyerjeve që i bëri nënave të Gjakovës, protesta që kaluan me dëme të konsiderueshme, të cilat u ndërprenë vetëm pas shkarkimit të tij.

Vazhdimi i bisedimeve me Serbinë,  dhe nënshkrimi i shumë marrëveshjeve në dëm të Kosovës. Nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Demarkacioni me Malin e Zi, ku territori i Kosovës do të tkurret për 12500 hektarë tokë. Gazi lotsjellës i lëshuar nga ana e opozitës në Kuvend, për ta parandaluar ratifikimin e marrëveshjeve në Kuvend, atë të Asociacionit të Komunave serbe, dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Pastaj dështimi në UNESCO, gjë për të cilën Qeveria dhe ministrat tanë për një vit rresht na patën lodhur, duke e konsideruar si punë të kryer anëtarsimin në këtë organizatë. E vetmja gjë pozitive që ia vlen të përmendet, është nëshkrimi i MSA-së mes Kosovës dhe BE-së.

Bisedimet me Serbinë dhe nënshkrimi i marrëveshjeve!

Dhe çfarë fitoi Kosova nga këto bisedime me Serbinë? Asgjë. Kosova deri më tash nga BE-ja nuk ka arritur ta nxjerrë të paktën liberalizimin e vizave, për popullatën e saj që ka mbetur si në kafaz, e lëre më diçka më shumë. Kurse Serbia, edhe pse shtet agresor, fal këtyre bisedimeve dhe favoreve që i bëri Kosova me nënshkrime në dëm të vetes, i fitoi gati të gjitha, liberalizimin e vizave, statusin kandidat për BE, ndihma ekonomike dhe një ‘’autonomi’’ për serbët në Kosovë, me krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ose ndryshe siç po e quajnë serbët “Zajednica’’.

Dështimi në UNESCO!

Edhe përkrahja e aleatëve tanë është thikë me dy tehe. Në njërën anë aleatët tanë për dialogun me Serbinë thoshin që Serbia, përkundër mosnjohjes së pavarësisë, është pajtuar që mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe agjenci ndërkombëtare, kurse në anën tjetër po na dëshmohet e kundërta. Kjo u dëshmua edhe në UNESCO, që nuk do të kalojë pa pasoja për anëtarësimin e Kosovës, në institucione dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.  Prandaj, duhet që dialogu me Serbinë të rishikohet, sepse s’ia vlen që të vazhdohen bisedimet derisa Serbia bën një luftë të ashpër kundër shtetit të Kosovës, për ta penguar çdo nismë dhe anëtarësim të Kosovës në institucione dhe agjenci ndërkombëtare.

Ky pushtet dhe kjo klasë politike, duhet të ikin nga skena politike!

Është fjalë e urtë popullore: aty ku s’ka shtet, shkollë edhe mjek, ik prej atij vendi. E Kosova fatkeqësisht nuk e ka as njërën e as tjetrën!

Ka një rrugë dhe ajo është të përmbyset kjo klasë e degjeneruar luksoze, të shtypen këto shushunja që po ia pinë gjakun, por populli ka frikë, apo i quan ‘’Zota’’ dhe ndaj ‘’Zotave’’ nuk mundet të ngre dorë!!!

Fatkeqësi e një populli të rrënuar….Populli ka gjetur rrugën e lehtë për t’u larguar dhe për t’ua bërë akoma më të lehtë luksin politikanëve.

I pafuqishëm për t’i përmbysur këta hiena e përbindësha, këtij populli nuk i ka ngelur rrugëdalje tjetër, përpos të ik larg e më larg nga këta bandita e kriminela, të etur për para dhe pushtet.Prandaj kanë ngelur vetëm dy rrugë: ose kjo klasë politike të ikë, qoftë edhe me protesta masive deri sa të largohen nga skena politike, ose ne populli të ikim. Rrugë të mesme nuk ka.

Kosova ka nevojë për udhëheqës të ndërgjegjshëm!

Lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit, drogës, tregtisë me qeniet njerëzore, prostitucionit duhet të jetë një nga detyrat kryesore. Hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i bujqësisë ndihma që duhet dhënë për t’ju kthyer njerëzit tokës, krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve nga jashtë, rregullimi i sistemit shëndetësor të pastruar prej korrupsionit për të ofruar shërbim të gjithë qytetarëve. Te sistemi i shkollimit duhet të bëhen investimet më të mëdha ngase aty është zhvillimi. Duhet krijuar kushte që studenti që kryen fakultetin të ketë mundësi punësimi, e shumë e shumë të tjera që duhet bërë për të dërguar vendin përpara.

Të bëjmë që ky vit që po vjen të jetë vit i fillimit të veprimeve konkrete të mëdha, vit i kthesës së madhe, vit që do i jep fund një periudhë të errët e do kthejë shpresën për një ardhmëri më të mirë, të shikojmë përpara të marrim guximin të vejmë në lëvizje të gjithë potencialin që posedojmë e të bashkohemi në një të vetmin qëllim ta bëjmë Kosovën tonë, vend ku do mund të jetojmë me dinjitet!

Pas gjithë këtyre skandaleve dhe dështimeve që ndodhën gjatë vitit 2015 nga politikanët tanë të kriminalizuar, të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe aventurier, ne qytetarët e stërlodhur të Kosovës duam sa më shpejt të harrojmë vitin që po e lëmë pas dhe të shpresojmë se viti 2016 do të jetë shumë më i mirë se vitin që lemë pas. Por, pa këtë pushtet dhe këtë klasë politike mafioze, të korruptuar dhe të kriminalizuar, falë të cilëve jemi në këtë gjendje të mjerueshme. Gëzuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button