Sllovenia, avokate dhe përkrahëse e integrimit evropian të Shqipërisë

Perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe ecuria e procesit të reformave në vend ishte në fokus të konsultimeve diplomatike mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Konsultimet u kryesuan për palën shqiptare, nga Ferit Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për palën sllovene, nga Tomaž Lovrenčič, Drejtor i Përgjithshëm për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sipas njoftimit për shtyp, konsultimet diplomatike ishin pjesë e një dialogu të rregullt mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme. Në këto konsultime u bë një rishikim i përgjithshëm i bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Bisedimet konfirmuan faktin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se ka interes të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

Duke u ndalur te perspektiva evropiane e Shqipërisë, Lovrenčič vlerësoi përparimin e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria gjatë këtij viti.

Ai theksoi se Sllovenia monitoron nga afër ecurinë e reformave dhe pret hapat e mëtejshëm për zbatimin e tyre, mbi bazën e të cilave, pritet që përpara verës 2016 të ketë një debat për caktimin e datës për fillimin sa më parë të negociatave për anëtarësim.

Ai konfirmoi se Sllovenia do të mbetet një mbështetëse e zgjerimit të BE-së dhe në këtë kuadër edhe një avokate dhe përkrahëse e fortë e integrimit evropian të Shqipërisë.

“Sllovenia vlerëson se progresi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së është një element i rëndësishëm në drejtim të stabilitetit rajonal. Afërsia gjeografike dhe lidhjet e ngushta me këtë rajon përbëjnë një interes të fortë për Slloveninë”, u shpreh Lovrenčič.

Nga ana e tij, z. Hoxha prezantoi progresin e reformave në Shqipëri.

Ai falënderoi për ndihmën konkrete dhe mbështetjen politike që Sllovenia i ofron Shqipërisë drejt integrimit në BE, si dhe shprehu interes për intensifikimin e mëtejshëm në kuadrin bilateral, rajonal e më gjerë.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen gjithashtu vlerësime rreth zhvillimeve rajonale, rreth sfidave aktuale globale, si migrimi dhe lufta kundër terrorizmit.

Ferit Hoxha u prit në një takim të veçantë edhe nga Sekretarja e Shtetit në MPJ sllovene, znj. Darja Kuret Bavdaž.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button