Trokitje në derë të gabuar

Hapësira dhe vendi mbanë të strehuar një zhell kulture të mërzitshme, të tejkaluar nga moda. Të mbushur me ethe virusi të rëndë në krye, që grupon individ të ardhur në skenë të brishtë veprimi. Këta janë persona që u zhvilluan me terapi infuzioni melodramatik të shpejtë, kryesisht duke vepruar së prapthi me angazhimin e tyre të pakujdesshëm, me ndikim nënshtrimi të përhershëm, ashtu sa për sy e faqe, për të zënë vend në çerdhe, duke vjedhur hise në pasqyrë kohe ireale.  Pa një koncept të qartë përgjegjësie për veten dhe shoqërinë. U futën në Pensionin kulturor, të dizajnuar ngutshëm, me pispillosje e shminkë serviliteti. Me stil trivial të koordinuar lehtë, për shtirje të dhjamosur mendore nëpër kohë të skematizuar. Ata, tanimë, duken të qartë me veprimet e tyre të ngathtë dhe dalin ngutshëm në skenë lavdi në Pension. Defilojnë në marsh afirmimesh, me ‘’shkëlqim’’ të stërmbushur selfijesh e belfiesh, në profil objektivi formal të kamufluar. Të palosur enkas për lakmi ngjarjesh nëpër korniza portalesh të ndryshme. Nga kjo mënyrë e zhvillimit dhe ndikimit bastard të tyre në art e politikë, gjendja e qytetarit nuk është rastësisht e vështirësuar kësi soji. Këtë formë të të jetuarit shtirshëm, ua mundësoi demokracia e brishtë e Ballkanit. Ndaj sot rëndon trishtueshëm ky përshkrim i ngjarjeve bardh- zi, mu në nyjën e  kreativitet të zbehtë, me përsëritje temash të shumta dhe ndërtime steriotipesh monotone në qasje. Pornografizohet kultura dhe politika. Shtetet kanë kriza, por janë kriza në vet menaxhim. Dhe ky menaxhim i keq bëhet hise e njerëzve të pa ngjeshur sa duhet në hapësirë dhe kohë. Ato hapin vrima kulture të errëta. Reklamojnë veten bashkë me yrnekun e gjuhës së tyre të klisheizuar në përmasë të mërzitshme. Retorika e tyre radikalizohet për çdo ditë nëpër media. Rrethi është i mbushur me këtë rrëmujë të madhe lajthitjesh e shkrimesh lakmitarësh të dukshëm, me plane të ngutshme e shabllonesh të neveritshme, që rrezatojnë zhurmshëm me ritmin e kiçit të rënduar. Këta individë nuk kanë lidhje me zgjidhjen e temave ekzistuese artistike, siç janë: vendlindja, aventura, dashuria, tradhtia, krimi, dhuna, katastrofa, fiksioni etj. Ata përzgjedhin gjuhën më të lehtë dhe më vulgare të shkrimit, si model të huazuar nga të tjerët dhe ta gërditin shijen normale, me tekste të improvizuara e të përsëritura shumë herë nga e kaluara. Ata e sjellin këtë edukatë si standard në shoqëri.  Dhe këtë nivel kulture ua imponojnë të tjerëve.

Termi letërsia apo shkrimi trivial(trivial-lat. Trivialis, i përditshëm, i thjeshtë,i zakonshëm;banal), daton që nga viti 1920. Që nga ajo kohë jepen tri modele të mundshme të shkrimit, që sot janë të pranuara nga Shkenca e letërsisë: Letërsia e lartë (shtresa e lartë), Letërsia argëtuese(shtresa e mesme) dhe Letërsia triviale(shtresa e ulët), kurse në kohën më të re Letërsia triviale, është quajtur edhe Letërsia e turmës. Sot ne e kemi të pamundur ta burgosim në heshtje qëndrimin tonë, për këto vlera ekzistuese kreative trumbetuese. Përballemi me katastrofën kulturore. Shpërblehen katastrofat kulturore. Letërsia e turmës na ka shtrënguar (kapur) për fyti. Kurse njerëzve të kohës sonë u duhet frymëmarrje e begatshme dhe risi orientuese. Shoqëria moderne e postmoderne kërkon art atraktiv, provokues e eksperimental të shëndosh. Kurse tanimë ajri ynë ndotet nga papastërtia e vlerave të brishta dhe plagjiaturave të shumta këtu te ne. Hyjmë e dalim nëpër këto dyer kreative, artistike, pa një kriter të duhur. Ngulemi nëpër vrima artistikisht të dobëta. Pretenduesit e tillë na i përsëritin format e të shkruarit në mënyrë më banale në çdo lami të jetës. Nga tema të mëdha bëjnë ngjarje të vogla. Arti kultura dhe politika shkojnë ‘’n’satëmës’’. Kriteri bie. Standardi mbetet nën nivelin e duhur. Kthimi nga e kaluara është temporaliteti i përsëritjes. Kur njeriu nuk di çka ti dhurojë të ardhmes, i kthehet të kaluarës. Kurse e kaluara mund të mbetet vetëm si mjet orientues për ta ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen. Vetëm e vetëm për ta ndërtuar perspektivën e begatshme të një shoqërie. Secili që kthen veten prapa e përsëritë artin e të shkruarit. Forma e tillë i bëhet rutinë dhe adapton kontekstualisht veprimet e përjetuara nga tradita. Modernia nuk ka të bëj me ‘’modën’’, sepse ajo mund edhet përsëritet, dhe as nuk duhet të ngatërrohet me bashkëkohësinë, por ajo është një konstrukt kuptimor që sjell risi me një koncept hipotetik, që mbështetet në një hipotezë, në një epokë të caktuar. Në art dhe letërsi, qëndresa e stilit, mbetja në status quo, është e pa mundur, ajo gjithnjë zhvillohet dhe hap dimensione e dritare kreative të shumta. Akcioni dhe reakcioni janë format më të sofistikuara që kujdesen për të dhe secila epokë i ka shenjat e veta dalluese, provokuese për tu identifikuar njëra me tjetrën.

Trokitja e ngutshme në derën e ndodhive të sotme theu imazhin e heshtjes së durimit të gjatë. Kapërceu detyrimin e të mbeturit të mbyllur në humnerën e shekullit, mu në botën brishtë të kësaj ane, që është satanizuar tej mase me jo vlera. Vetëkënaqësia humbi papandehur drejtpeshimin e kredibilitetit të mendjes, nga jehona e pa pritshme e zhurmës së krijuar në art ters, nga moskuptimi i mendimeve të thjeshta e tekanjoze në kulturë. Në baraspeshë, brenda asaj hapësire të ngushtuar kreative, vihet dialogu i një arti e politike të improvizuar errët. Shqyrtohet në detaje protokoll grupor njerëzish të militantizuar rëndë, me bindje të banalizuar karriere, për keqpërdorje pozicionesh nëpër institucione. Madje ato në përmasë ankthi kolektiv e kthejnë shqetësimin e dijes së vet interne në klishe të përshtatur vlerësimesh të kurdisura. Shëtisin nëpër lagje, e asociacione, klube e shoqata të improvizuara, sipas shashtrrisjes së shijes së tyre shterpe nëpër kufijtë e ngatërruar të kreativitetit dhe lënë gjurmë neveritëse në shkrime të thjeshta. Me shtërzim të gjatë dhe me zhurmë të pa akorduar mirë në vete, duan të krijojnë imazh e atmosferë kulturore pompoze, bile, duke mbajtur peng dëshirat e turmës në lakmi çasti të përhumbur dijesh, për sistemim të shpejtë e dizajnim banal në opinion. Përdhunshëm u zyrtarizua e shëmtuara e tyre, ane mbanë djersitjes dhe llokoçitjes së kësaj natyre të veprimi të ngutshëm, për t’u dukur aromatik të këndshëm, nëpër kohë të rënduar nga pesha e viteve të acarta. U mblodhën në rreth akrobatik kaotik të rëndë, aty ku vërshim kulture është ulur këmbëkryq me rrëmujën e së keqes, ku bënë nebet agonie në krye të padrejtësisë dhe të pavetëdijes së alivanosur individuale e sistemore. Pa e ditur e shqetësuar veten se bota që na rrethon është e koklavitur dhe ka rend orientimi në përmasën e saj ekzistuese, si rregull e standardizuar e shoqërisë së  drejtë sistemore post moderne, e cila si e tillë që është e shtrënguar me industrializim dhe me të bukurën dhe të shëmtuarën e  madhe në rreth, ngërthen në vete të thjeshtën dhe të komplikuarën jetësore. Dhe njerëzit që frymojnë në këtë kthinë klime kakofonie lëvizëse të përkohshme, që kanë mandatë veprimi të ndërlidhjes koherente me botën, varet se në cilën pjesë të këtij kozmosi gjenden të implikuar nëpër detaje. Shumica zënë vendin më të pamerituar me të bëmat e tyre në shoqëri. Ata nuk respektojnë hierarki vlerash të merituara. Ato duan ‘’huxhumshëm’’ të marrin hise. Hise që nuk u takon. Hapësirën dhe kohën e kthejnë  në dekorata pamfletesh reaksionare. Dhe sipas këtyre kundërshtive të mëdha jetësore, pretendojnë të ngrenë autoritetin e vet afatgjatë të rrejshëm e të rrezikshëm për qytetarin. Të paditurit asnjëherë nuk mund ta kapërcejnë kompleksin e të përkohshmes, që vjen sot si shakullinë mjegullore e turbullt nëpër turbinë transferuese teknefese të përfitimit patriarkal. Ata në vete mbanë peng injorancën mohuese rreth vetes për të tjerët dhe shuhen gradualisht të vetmuar në empati anonimiteti vdekjeprurës, pa e kuptuar botën, gjërat dhe njerëzit, që gjenden të larmishëm në këtë shukin e madh e të komplikuar kozmik; të ngarkuar me mozaik motivesh e befasi të shumta për rreth tyre, si ekzistencë e të mundshmes ndryshe. Shkenca nuk ka hatër, ajo nuk do pallavra gazetareske, dhe filozofim nacizoid, pa lidhje. Timoni i shkencës kërkon dituri e energji drejtuese nga kompetentë të verifikuar, për ta orientuar shoqërinë drejtë të ardhmes. Do njohjen e disa gjuhëve të huaja. Nuk mërihet emri i ‘’famshëm’’ me llakërdira banale. Ah! keqpërdorje e rëndë kohe nëpër këto shkallare shekulli, kur secili i futë hundët kah mos, kemi improvizime, improvizime, improvizime, që tanimë sjellin dështime të rënduara në arenë kohe kreative. Mbetemi prapa standardeve të botës së civilizuar, të ngarkuar keq me skamje, bashkë me të bëmat e tyre shkel e shko dhe statistikat e njohura të disfatave të shumta ditore, ku defilojnë shifra marramendëse të keqësimit të gjendjes shoqërore, duke u shtrirë të dehur deri në alivanosje nga e shëmtuara dhe përbindëshi, (virusi) i kohës, si formë e langavitur  yndyre e aktit të rëndë, nëpër trup të huaj, që tanimë sot kjo vardisje e monotone, sistemore e shtirjes parazitare, u kap lakuriq në flagrancë dështimi të tmerrshëm, në rrjetën ngatërruese të pengesave zhvillimore tërësore, mu nëpër këmbët e papërgjegjësisë së gjatë kolektive.

Zhurma e trokitjes në derën e gabuar saldohej enkas në vesh të njerëzve formalist, të pranishëm në fenomen tronditës të karrierës grabitëse, që mbanë peng një decenie qëndrimin e tyre të keq e përfitues. Të kurdisur kuturu në perspektivë interesash banale, vetjake, gjegjësisht, duke vepruar të imponuar në objektiv trendi monoton, të dukjes së tyre formale,  por si simbole të dështuara në opinion. Ato përmasa bisedash e shkrime ulëta, të bëra në skenë amorfe, një decenie e kthyen imazhin e grabitjes së tyre të fshehtë në interes politik përkohësie. Kultivuan ngjarje kreative patetike, ulëritëse, për individualitet të rrejshëm. Të pezmatuar u matufosën nga disfata e rënies së papritur. U rrëzuan majtas në humbje kohe, kryesisht duke pritur të ankthshëm sinjalizimin koherent të detyrimeve jetësore, nga përplasja e gafeve të përditshme dhe bindjeve të tyre të anuar djathtas, e që kanë dosje të dyshimtë karriere nëpër reparte radikale të gjata manipulimesh e shpifjesh. Me tension tenderi trivial të latë, kryesisht të mbuluar me pudër spiunazhi në frymëmarrje, dhe ndërtojnë egërsisht karrierën e vet të shtirjes. Ata një decenie zënë vend nëpër këtë jetë triviale, të pëlqyer me forma alarmuese snobiste. Të vetmuar e puthën fytyrën e vet në pasqyrë uji të përmjerrë. Vulgarizuan çdo gjë. Vënë syzet e zeza të manipulimit të shpejtë, u deklaruan si engjëj bamirësie, bënë e çka nuk bënë, që të mos u kontrollohej vëzhgimi i sherrit të pamjeve të tyre tendencioze, gjatë të vepruarit intensiv, me instinkt të pavërejtur nga të tjerët, për të karikuar karrierë kodrine kthinave të rrejshme në stinë të ngrirë,  kundrejt individëve të tjerë të përgjegjshëm, largpamës të kohës, që mbahen të izoluar dhe i vërejnë këto anomali individuale e shoqërore të turbullta; sidomos të humbjes serike të atyre vlerave normale njerëzore, matanë hijes së hapësirës së pakufizuar të vlerësimit të drejtë modern e post modern…

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Realiteti i sotëm i hidhur meriton shumë kritika,ashtu siç e keni trajtuar edhe ju prof i nderuar,, ne shkrimin tuaj,, uroj që shoqëria jonë nje ditë të shkelë në shina të sigurta,,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button