Si e sheh bota arabe SHBA-në

Myslimanët sunitë, shumicë në Lindjen e Mesme, tani besojnë se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane po bëjnë përpjekje t’i fuqizojnë regjimet dhe vendet shiite në dëm të tyrin.

Kurdo që dikush i pyet zyrtarët e caktuar të vendeve të Afrikës Veriore apo të Lindjes së Mesme nëse Uashingtonit mund t’i zihet besë si aleat, përgjigja e tyre është pothuajse gjithmonë e njëjtë: një pauzë e shkurtër, e përcjellë nga disa fjali të çuditshme, të cilat fillojnë me “Epo…” ose me “Të të them të drejtën…”. Madje, as përgjigjet që pasojnë nuk tingëllojnë shumë pozitive.

S’është për t’u habitur që në rajon deficiti i besimit ka arritur në pikën maksimale – dhe për një arsye që mund t’i çudisë perëndimorët. Myslimanët sunitë, të cilët përbëjnë shumicën në gati të gjitha vendet e rajonit të Lindjes së Mesme, tani besojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë evropiane po bëjnë përpjekje që t’i fuqizojnë regjimet dhe vendet shiite në dëm të tyrin.

Marrëveshja e përkohshme bërthamore me Iranin, një vend me shumicë shiite, i udhëhequr nga klerikët myslimanë shiitë, ka shërbyer si provë për shumë njerëz që i besojnë këtij konspiracioni, thonë zyrtarët arabë dhe iranianë nga sektorët e politikës dhe të sigurisë. Shumica e të pyeturve për këtë punë kanë folur nën kushte të anonimitetit, për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes.

Përkundër garancive nga zyrtarët e administratës së presidentit Barack Obama se SHBA-ja ka në plan që t’i rrisë angazhimet ushtarake dhe mbështetjen e aleatëve në rajon, zyrtarët në vendet myslimane thonë se deklaratat e tilla publike – sikur fjalimi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Chuck Hagel, në një konferencë për siguri në Bahrejn më parë këtë muaj – kanë efekt minimal.

“Fillimisht kemi parë se si zyrtarët perëndimorë, njëri pas tjetrit, kanë nisur t’ia kthejnë shpinën udhëheqësve në rajon në emër të Pranverës Arabe”, ka thënë një zyrtar egjiptian, i cili ka folur nën kushte të anonimitetit. “Dhe, tani ata kanë bërë një marrëveshje me Iranin, pa e përfshirë askënd nga rajoni. Duket sikur ata po na trajtojnë neve si në kohët e fuqive koloniale – ata vendosin se çka është e mirë për rajonin e çka jo; zërat tanë duket sikur s’kanë kurrfarë peshe”.

Një zyrtar tjetër i sigurisë nga Afrika Veriore ka deklaruar se regjimet arabe ndihen të tradhtuara që e kanë ndihmuar Uashingtonin gjatë dekadës së kaluar për operacionet për grumbullimin e informatave pas sulmeve të 11 Shtatorit, ndërsa u është kthyer shpina gjatë Pranverës Arabe.

Zhgënjimet e tilla i hapin derën ideve për aleanca të reja. Nga Afrika Veriore deri në Lindjen e Mesme, zyrtarët flasin për mundësinë e afrimit me Rusinë apo me Kinën, veçanërisht pasi kanë parë mbështetjen e patundur të Moskës për presidentin sirian, Bashar al-Assad, në luftën e Sirisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button