Edi Rama: Secili ta ndjejë vlerën e investimit duke paguar energjinë

Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e investimit në terren në zonat informale Paskuqan-Babrru-Bathore, ku po punohet për ndërtimin e 380 kilometra linjë e re, nëntokësore dhe ajrore.

“Gjithë ky volum i madh investimesh që nuk janë bërë ndonjëherë në një rrjet shpërndarjeje të amortizuar, që në 80% të vetin është mbi 40 vjeç. Nuk është as më shumë e as më pak kontribut i qytetarëve dhe familjeve që i dhanë mundësi ringritjes së shtetit dhe rivendosjes së rendit ligjor në këtë sektor, duke i dhënë fund një epoke të turpshme një njolle të zezë në fytyrën e vendit tonë dhe për të kontribuar për të mbuluar një gropë të madhe, të trashëguar nga e shkuara”, tha Rama.

“Ne do të bëjmë çmos që jo vetëm për këtë zonë ku transformimi do të jetë rrënjësor dhe ku përfitimi i familjeve do të jetë cilësor, por në gjithë Shqipërinë, gjithsekush ta ndjejë vlerën e investimit që bën, duke paguar energjinë elektrike. Nuk është taksë, nuk është një pagesë që shkon në drejtim të paditur, por është një kontribut financiar që po fuqizon një kompani që e gjetëm në agoni dhe që po mundëson normalizimin e jetës së vendit në këtë sektor strategjik,” – u shpreh kryeministri, me një falenderim për mbështetjen qytetare të përpjekjeve për formalizimin e sektorit të furnizimit me energji elektrike.

Zona Paskuqan-Babrru-Bathore paraqitet një problematikë të rëndë sa i përket infrastrukturës elektrike, ku 70% e kabinave janë ngritur tërësisht jashtë kushteve teknike nga vetë banorët, ndërsa rrjeti elektrik nuk i përgjigjet ritmit të zhvillimit urbanistik të zonës. Ky investim me vlerë 1.7 miliardë lekë do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji për 80 mijë banorë të saj.  Ardian Çela, Drejtori i OSHEE, ndërsa shpjegoi parametrat e investimit, tha se ai do të nisë të bëhet efiçent duke nisur nga fundi i këtij viti.

Pas këtij investimi rritet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji elektrike, pasi nga 6 kv, tensioni në rrjet do të jetë 20 kv. Rrjeti i ri do të eliminojë edhe vjedhjet përmes lidhjeve të dyfishta, pasi linjat e reja ABC e pamundësojnë atë dhe për pasojë sjell edhe uljen humbjeve në rrjet deri në 8%.

Kryeministri Rama siguroi se investimet e parashikuara deri në vitin 2018 do të transformojnë sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, nga një sektor i mbijetesës në sektor përfitimi për qytetarët.

“Unë jam i bindur që vitet 2016, 2017 do të jenë vite në të cilat qytetarët do ta ndjejnë drejtpërdrejtë të mirën e madhe që po krijojmë së bashku. Ashtu siç jam i bindur se programi ynë strategjik për ta kthyer të gjithë këtë sektor në një sektor fitimprurës për Shqipërinë dhe shqiptarët, në harkun e viteve që vijnë do të marrë përmasën e vet më të plotë në vitin 2018. Liberalizimi i tregut dhe transformimi i këtij sektori në një sektor që jo vetëm nuk mbijeton me taksat e qytetarëve, por përkundrazi, iu kthen qytetarëve dhe i kthen vendit, përfitime, është një mrekulli e përbashkët, le ta themi, sepse askush nuk e besonte që kjo mund të ndodhte dhe që mund të ndodhte në një hark kohor kaq të shkurtër”, shtoi kryeministri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button