Ish guvernatori i Shqipërisë Ardian Fullani shpallet i pafajshëm
Gjykata e Apelit të Shqipërisë vendosi sot të lejë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila e shpalli të pafajshëm ish guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 5 vjet burgim, njoftojnë mediat vendase.
Prokuroria kishte ngritur ndaj atij akuzën për “shpërdorim detyre” lidhur me vjedhjen e Bankës dhe blerjen nga ana e saj të ish hotel Dajtit. Për rastin e skandalit të vjedhjes së afro 7 milion dollarëve, Fullani sipas Prokurorisë ishte përgjegjës se “nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e Bankës së Shqipërisë”.
Prokurorët kishin ngritur cështjen e “mosemërimit të zëvëndësguvernatorit të dytë, që ka krijuar boshllëk në kryerjen e këtij funksioni” apo dhe “mosushtrimin e kompetencave për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë”, vecanërisht për drejtorinë e Emisionit ku ndodhi dhe vjedhja.
Lidhur me rastin e Hotel Dajtit, nga hetimet kishte rezultuar se Këshilli Mbikqyrës i Bankës ka marrë vendim për blerje, një muaj pasi qeveria nga ana e saj kishte nxjerrë vendimin se ish-hoteli në qendër të kryeqytetit do t’i shitej pikërisht Bankës për 30 milion euro. Sipas prokurorëve procedurat e prokurimit nga ana e Bankës kanë qenë thjesht formale, dhe se ky instititucion nuk ka bërë asnjë vlerësim, ndërkohë që cmimi është caktuar nga qeveria, duke e përllogaritur atë me vlerën e një hoteli, dhe jo të një objekti që do të përdorej për zyra.
Por edhe gjykata e Apelit ashtu si ajo e shkallës së parë duket se nuk i ka konsideruar vepër penale pretendimet e ngritura nga prokurorët, njoftojnë mediumet shqiptare.