Ronaldo: Brazili favorit, pastaj Spanja e Gjermania

Fenomeni Ronaldo nuk ka asnjë mëdyshje. Për të Brazili është favorit i padiskutueshëm për Botërorin e vitit të ardhshëm dhe ndërkohë nuk shqetësohet se do të humbasë rekordin e golave të shënuar në një kompeticion të këtyre përmasave.

Selecao ka impresionuar më herët në Kupën e Konfederatave, duke mundur në finale 3-0 Spanjën, kampionen në fuqi të botës dhe për legjendën braziliane nuk do të ishte surprizë përsëritja e një suksesi të tillë.

“Nuk është e njëjta gjë në Kupën e Botës, por skuadra tregoi potencialin në Kupën e Konfederatave. Brazilianët tani shpresojnë për një triumf të madh në shtëpi, kemi një shans shumë të mirë. Spanja e Gjermania janë kandidate, por Brazili ka treguar forcën dhe sipas mendimit tim jemi pretendentët kryesorë”.

Rekordi prej 15 golash i Ronaldos në Botëror rrezikohet nga Miroslav Klose, por kjo nuk e shqetëson aspak futbollistin legjendar. Me sportivitet, ai u shpreh se rekordet janë për t’u thyer dhe emri i tij që shoqëron golat e shumtë gjatë karrierës nuk do të harrohet. Në rast se Klose do të arrijë ta kalojë numrin e 15 golave, Ronaldo pohoi se do ta përgëzojë sulmuesin gjerman, të cilin e admiron prej kohësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button