Letër Tetovës

E bukur dukeshe te premten Tetova ime.

Sheshi plot burra e gra.

Por,

mbi 15 vjet këtu restrikcionet e ujit janë përditshmëri dhe nuk më kujtohet të ketë pasur protesta (!!?)

Tash frymohet pa ajër dhe prap protestat numërohen në gishta.

Sheshi iashte mbushur me të rinj dhe të reja që kryesisht ëndërrojnë t’ia mbathin prej qytetit universitar pa ujë dhe pa ajër; masovikisht fejohen e martohen për partnerë “me letra” dhe kjo për të afërmit e tyre përbën lajm gati të gëzueshëm.

Kishte të premten plot fëmijë në shesh – pamja më prekëse në një ditë kur dielli ndriçonte çuditshëm, si në vargun e Xhevdet Bajrajt “përse dielli lind kaq tmerrësisht bukur…”.

…ti Tetovë rradhiteshe ndër qytetet më të gjelbëruara të RSFJ-së.

Dikur.

Mandej erdhi demokracia.

Kur shqiptarët nisën të qeverisnin me ty, parqet u kthyen në fushëndërtime, parkun e Xhamisë së larme mezi e shpëtuam nga funkcionarë lokalë që kishin projektuar aty rrugë, kurse Qendra sportive mbeti depresion i skajshëm në skaj të qytetit: aty gjen skelete të ulëseve të ish-Jugosllavisë, kurse kolovajzat janë ato ku jam luhatur unë, mandej djali im, ndoshta edhe fëmijët e tij…Kështu ndërtohet tradita.

Të kaploi pisllëku, qyteti im; kur nisem deri te stacioni që ndodhet aty ku mbaron Depresioni i Madh, rrugës me dhjetra mini-deponi shoh. A nuk ka pare për të pastruar mbeturinat? Apo mungon tjetër gjë?

Çfarë buxheti nevojitet për ta pastruar Shkumbinin, për shembull?

Sa kushtojnë koshat e plehrave, pse drastikisht mungojnë? Ku dhe kur së fundmi janë vendosur stola në qytet?

…ti në të kaluarën me tre kinemaja ke qenë: njëra bile me bahçe për projektime gjatë netëve të ngrohta.

Brezat e ri të “kryeqendrës kulturore shqiptare në Maqedoni” as koncept nuk kanë për fjalën “kinema”.

Asnjë qendër kulturore rinore; ndër mijëra studentë besoj që ekziston një masë kritike që kultivon idetë alternative, parapëlqen avangardën, nuk mjaftohet me celularët e klasit të fundit. Ku kanalizohet energjia e tyre?

…ti u rrite shumë Tetova ime; po ku ti gjetën ata arkitektë pa talent që të zgjeruan e të shëmtuan? Godina pa parking, pa një pëllëmbë gjelbërimi, me dyqane poshtë kurse dyqanet me mallra jashtë mbi trotoare, pamje Kalkute. Qendra e re-e vjetër tregtare, një horror betoni që natën ta kall datën.

Lulëzove vetëm kur Rauf Ramadani drejtoi shkurt Ndërmarrjen publike komunale, por kjo në letër tjetër.

…ti më ishe e vogël, me kulturë esnafe, kasaba e bukur konform kohës së vet.

Të doja, më merrte malli.

Kur kthehesha në Shkup pas fundjave, miqtë e dinin edhe pa më pyetur pasi fliste freskia e fytyrës nga mbresat, nga ajri i pastër i Sharrit dhe uji akull i ftohtë që shijonte më shumë se çdo pije tjetër.

Ashtu na ishte dikur.

Mandej erdhi demokracia…

Dhe prefektët shqiptarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Pershendes dhe uroj autoren per ket shkrim kaq te dhimbshem per qytetin tone Tetoven.Rastesisht duke lexuar ne rrjetin elektronik hasa ne shkrimin e juaj nuk e dija se kush e shkruan ket artikull por duke lexuar ket qka keni shkruar ju ketu edhe pse jam shume larg nga Tetova jone para meje dhe syve te mi pash Tetoven per 35 vjetet e fundit dhe me qahej duke lexuar sepse ky shkrim eshte nje realitet i hidhur per ne por kjo eshte e verteta .Duke lexuar shkrimin e juaj me shpirt isha i teri ne Tetove dhe mu per kete thash te shoh kush e ka shkruar ket kaq bukur , pash se ishi ju dhe ju pergezoj per kete.Do te kisha qene i lumtur sikur realiteti te ishte ndryshe por kjo eshte e verteta.Ne ne vend qe te ecim perpara ne po shkojm mbrapa .Ne vend qe ta zhvillojm qytetin tone , arhitektet dhe politikanet e terbuar jan te na shkatruar krejt qytetin duke na shkatruar edhe shpirtin me shkatrimin e qytetit.Pasi eshte afer edhe Viti i Ri juve dhe familjes se juaj ju uroj Vitin e Ri.

  2. Ne perkujtim te ajrit te paster te kohes se shkuar
    Sipas F. Tjutçev

    Kam thithur ajer Sharri- o, ai ajer!
    Sa shume me kenaqte e di nje Zot!
    Kish aq freski e pasterti
    Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

    Ne ate akstaze te pakuptuar
    Zbulohej jeta gjer ne fund.
    Kish kaq endje te perveluar,
    kaq hare sa s’ka kurrkund!

    Shpesh rrija shihja i mahnitur,
    Por asnjehere s’munda dot
    Qe t’lumturohem pa u tronditur
    Ta adhuroj pa derdhur lot.

  3. Sa bukur e pershkruan aurltorja “nga ajri i paster i Shartit h uji akull i ftohet qe shijonte m shume se cdo pije tjeter freskuese”…!!! Ndjehem krenar qe arrita edhe une t shijoj pak nga keto bukuri te dikurshme qe ofronte ky qytet i dashtun. Lutemi ne nderjegjesim dhe pergjegjesi per

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button