Opozita kosovare protestoi edhe në Prizren kundër marrëveshjeve

Me protestën në Prizren, tre partitë opozitare kosovare edhe sot vazhduan me tubimet “Për Republikën” në komunat në shenjë proteste kundër marrëveshjes për Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Tubimi në Prizren në të cilin morën pjesë rreth një mijë qytetarë kaloi qetë, raporton Anadolu Agency (AA).

Lideri i partisë më të madhe opozitare të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka porositur të pranishmit se nuk do të ketë dialog me opozitën në të cilin bëjnë thirrje kryeministri Isa Mustafa, presidentja Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi sepse opozita nuk do të lejojë të kalojë marrëveshja me të cilën shkatërrohet vendi dhe i dhurohet tokë Malit të Zi.

Duke rikujtuar se edhe për 60 ditë u është vazhduar paraburgimi deputetëve të opozitës, lideri i VV-së ka thënë se buxheti ndahet në shumë pjesë, një për Bashkësinë, një për Isën dhe një për Thaçin.

Ymeri ka thënë se prizrenasit më së miri e dinë çka do të thotë të kenë kryetar komune, i cili është i dënuar dhe ende është në pushtet. Në mungesë të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj për ardhmërinë e Kosovës ka folur sekretari i partisë, Blerim Kuçi. Ai ka theksuar se pas këtyre marrëveshjeve Kosova nuk është më unike dhe as multietnike.

Ai vlerëson se kryeministri Mustafa ka shkelur nenin e parë të kushtetutës në të cilën shkruan se Kosova është e pavarur dhe shtet sovran, me nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, derisa rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është shkelur neni tjetër i kushtetutës ndaj suverenitetit.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se marrëveshjet nuk janë në rregull dhe se formimi i Bashkësisë së komunave me shumicë serbe do të thotë kthimi i Millosheviçit dhe rrënimi i harmonisë e cila është krijuar në Prizren.

Limaj paralajmëroi se këto marrëveshje “e copëtojnë vendin tonë dhe se nuk kemi dalë rastësisht këtu që të kërkojmë mbështetje”. “Thirrja jonë është që të bashkohemi dhe të mos lejojmë përleshje. Kosova është shteti i vetëm në Evropë ku gjysma e opozitës është në burg. A mendoni se do ti kishin bërë ato veprime nëse nuk do të kishim arsye”, ka shtuar Limaj.

Ai më tej ka shtuar se kurrfarë masash represive nuk do të mund të ndalin opozitën për të penguar këto marrëveshje.

Opozita e bashkuar kosovare deri më tani ka mbajtur tubime në Prishtinë, Gjilan, Deçan, Malishevë dhe Pejë, ndërsa tubimi i madh është paralajmëruar më 9 janar, përsëri në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button