Besa – Kërçovë: Të mbyllet gjatë sezonit të dimrit përbindëshi TEC “Osllomej”

“Situata me ndotjen e ajrit nuk është aspak e mirë në Komunën e Kërçovës, e cila vjen si pasojë e përbindëshit të saj TEC “Oslomej”. Fakt shqetësues është mospasja qasje ose mosprezantimi i të dhënave nga TEC “Oslomej” për sa i përket sasisë së tymit të lëshuar, përbërjes së tij, përbërësve kancerogjenë, si dhe ndikimit të tij mbi shëndetin e qytetarëve të Kërçovës”, sot kanë reaguar nga Lëvizja Besa –Kërçovë, njofton Portalb.

Sipas Lëvizjes Besa, numri i personave të prekur me kancer është në rritje të vazhdueshme dhe një nga faktorët kryesorë për këtë është pikërisht kjo termoelektranë. Ata i bëjnë thirrje kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari që TEC “Osllomej” ta ndërpresë punën e saj gjatë sezonit të dimrit.

Lëvizja Besa gjithashtu kërkon nga drejtori i TEC “Osllomej”, nga zëvendësdrejtori i “Elektranave të Maqedonisë”, deputetët e zonës nga radhët e partisë në pushtet, si dhe nga kuadrot me pozita të larta udhëheqëse në Qeveri që t’u dalin në mbrojtje bashkëvendësve të tyre.

“Duke e ditur se Maqedonia është nënshkruese e rregullativave të Bashkimit Evropian për mbrojtje të ambientit jetësor, u drejtohemi atyre që janë të zgjedhurit e këtij vendi, deputetëve nga Kërçova, si ata të BDI-së, ashtu edhe ata të VMRO-së, përfaqësuesve të ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqësuesve komunalë, si dhe drejtorëve të këtij kombinati, por edhe zëvendësdrejtorit të “Elektranave të Maqedonisë”, që sa më parë të organizojnë takim me qytetarët, ku do të diskutojnë për këtë problem të madh, me të cilin ballafaqohen kërçovarët. Për ne Më mirë se të merremi me shërimin e një sëmundjeje do të ishte që atë ta parandalojmë”, thuhet në thirrjen e Lëvizjes Besa – Kërçvoë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button