Greqia projektligj për shërbimet shëndetësore, përfitojnë edhe shqiptarët

Në Greqi, Parlamenti do të shqyrtojë një projektligj të ri për shërbimet shëndetësore nga i cili pritet të përfitojnë edhe emigrantët shqiptarë.

Projektligji parashikon shërbime në ilaçe dhe infermieri për qytetarët e pasiguruar duke shtuar edhe më shumë kategori që përfitojnë nga shërbimet sociale. Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi vlerësoi projektligjin dhe reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurimeve në përgjigje të kërkesave që shoqatat e emigrantëve u kanë paraqitur herë pas here autoriteteve.

Sipas përfaqësuesve të Federatës, kategoritë që përfitojnë krahas qytetarëve grekë janë edhe shtetas të vendeve të treta që kanë qëndrim të ligjshëm në Greqi. Projektligji sjell trajtim shëndetësor falas në Sistemin Kombëtar të Shëndetësisë për disa kategori si: të mitur deri në moshën 18 vjeç, gra shtatzëna dhe persona me aftësi të kufizuara. Edhe azil-kërkuesit janë përfitues të shërbimeve, jo vetëm kur kanë leje qëndrimi, por edhe kur janë në praktikat e legalizimit.

Emigrantët shqiptarë në Greqi vazhdojnë të përballen me mjaft sfida pas pasojave që kriza ekonomike dhe financiare greke solli, sidomos në humbjen e vendeve të punës. Disa programe të qeverive shqiptare në shërbim të emigrantëve që janë kthyer tre katër vitet e fundit nga Greqia nuk kanë rezultuar efektive. Mjaft prej familjeve shqiptare janë detyruar të rikthehen në Greqi. Muajt e fundit emigracioni i paligjshëm shqiptar drejt Greqisë vazhdon të jetë i lartë krahasuar me periudhat e tjera. Të dhënat e policisë greke për muajin nëntor flasin se Shqipëria është në krye te listës së vendeve me numrin më të madh të riatdhesimit të emigrantëve, 1352 persona. Në listën e riatdhesimeve publikuar nga autoritete greke vijojnë Pakistani me 80 persona, Turqia me 25, Serbia me 22 dhe Bullgaria me 20.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button