Teatri i Dibrës nuk do të garojë në Festivalin e Dramës shqipe

Teatri i Dibrës “Qemal Ajdini” nuk do të garojë me asnjë shfaqe në Festivalin e Dramës shqipe që do të mbahet në këtë qytet për shkak të  mungesës së mjeteve financiare. Këtë e deklaroi për Portalb, drejtori i Festivalit  “Drama shqipe në Maqedoni”, Ylber Nuredini.

Se ku qëndron faji dhe si funksionon tani ky Teatër i Dibrës, mbetet një enigmë më vehte.
Dritëro Ame, drejtori i Teatrit të Dibrës “Qemal Ajdini”,  theksoi se  “Teatri i Dibrës është shuar në saj të mungesës së mjeteve financiare. Ky teatër funksiononte, por për shkak të borxheve të mëdha u bllokua xhirollogaria e kësaj trupe teatrore  nga Ministria e Financave.

Problemi qëndron tek financimi  dhe përderisa nuk kemi xhirollogari ne nuk mund të konkurrojmë me projekte”, tha Ame. “Ky teatër nuk është teatër profesionist sepse nuk është institucionalizuar, ndaj dhe mungesa e mjeteve financiare mundësoi që ky teatër të shuhet gradualisht”, theksoi drejtori i Teatrit të Dibrës, “Qemal Ajdini”, Dritëro Ame.

Drejtori i Festivalit, Ylber Nuredini, njëkohësisht edhe aktor i Teatrit të Dibrës  në pyetjen tonë pse nuk funksionin Teatri i Dibrës ,, Qemal Ajdini ,, tha : “Çështja apo problemi i këtillë ka të bëjë me idenë  se teatri  nuk ka prodhim, që do të thotë se Teatri  i Dibrës jeton nga buxheti  dhe të njëjtën nuk e kemi ne si trupë aktorësh. Përderisa nuk kemi teatër profesionist , dhe përderisa nuk themelohet teatër i qytetit, Dibra nuk ka teatër. Unë si drejtor i Festivalit, dhe dikur aktor i këtij teatri nuk hy më shumë në punët e tjera të Teatrit të Dibrës, potencoi Nuredini.

Teuta Ajdini-Jegeni , aktore e Teatrit të Shkupit, njëkohësisht edhe aktore e Teatrit të Dibrës “Qemal Ajdini”  në prononcimin e saj rreth problemit të mos funksionimit  të këtij teatri u shpreh : ”Si dibrane, si aktore ,  jam e lidhur për këtë emër të këtij teatri, kam lidhje emocionale, ky emër më zbukuron sepse është emri i babait, ndaj kam shpresa se do të ringjallet teatri i Dibrës. Unë e kam parasysh se ka ngecje, por ne si aktorë të kësaj trupe teatrore duhet të bëjmë që teatri të funksionoje , sepse vite të tëra ky teatër punonte me amatorë dhe jo aktorë profesionistë, por të jem e sinqertë këtu kishte shumë suksese. Problemi është se nuk ka kush na financon, shpresoj dhe besoj se ky teatër do të rilind përsëri”, tha aktorja Teuta Ajdini-Jegeni.

Lajme të ngjashme

Back to top button