Kosova, shtet në inkubator!

Përgjatë këtyre viteve të pas pavarësisë, janë bërë shumë analiza, komente, opinione dhe vlerësime të shumta për shkaqet e mosfunksionimit të shtetit të Kosovës, por asnjëherë nuk janë thënë të gjitha për faktin e thjeshtë të mosnjohjes deri në fund të veprimeve të nëntokës politike të Kosovës.

Janë shumë faktor që e përcaktojnë nivelin e demokracisë së një vendi. Kriteret për matjen e nivelit të demokracisë janë të shumta, duke u nisur nga shkalla e zhvillimit ekonomik, arsimor, kulturor e deri të niveli i sigurisë së qytetarëve.

Demokracia pa mbarëvajtje të sistemit të drejtësisë shndërrohet në anarki, duke marrë trajtën e një sistemi diktatorial. Dikush mund të thotë së në demokraci diktatura nuk ka vend! Në fakt ashtu duhej të ishte sikur shteti të ishte në parametrat e funksionimit dhe zhvillimit normal.

Shpeshherë, jo pa të drejtë ju kemi adresuar vetëm SHIK-ut, si organizatë e fshehtë politike e partisë në pushtet (PDK-së) për prapësitë e shumta në skenën politike, duke anashkaluar veprimtaritë e shërbimeve të fshehta (SHIK-ave) të subjekteve tjera politike, të cilat ditën paraqitën si engjëj para opinionit, ndërsa nën errësirën e natës “lëvrojnë” bashkërisht nëntokën e Kosovës.

Luftë e ashpër dhe e pakompromis e nëntokës politike bëhet në mes grupeve të interesit brenda sojit të njëjtë (të njëjtit subjekt politik), e reflektuar në luftimin e  njëri-tjetrit për marrjen e primatit në parti.

Këto grupe të fshehta dhe kriminale të quajtura ndryshe edhe si “parapolitike”, janë shndërruar në dhunuese të demokracisë, uzurpatore të lirisë dhe shkatërruese të ardhmërisë së vendit tonë.

Efektet e dëmeve të nëntokës politike janë shumëdimensionale, të reflektuara në të gjitha sferat e jetës, në të gjitha segmentet qeveritare dhe në të gjitha institucionet e “pavarura” të shtetit !

Pavarësisht prejardhjes së tyre politike, ideologjike apo fetare, të gjithë urithët e nëntokës janë shndërruar në PËRBINDËSHA të gjithëçkajes në Kosovë !

Ngase të gjithë së bashku rropën e ç’rropën pasurinë shtetërore dhe shoqërore të Kosovës, uzurpuan të gjitha institucionet publike, varfëruan deri në palcë popullin, duke e lënë të harruar e të pashpresë nga pasojat e mashtrimeve në premtim për një të nesërme më të mirë !

Të gjithë këta përbindësha nuk duhet trajtuar me ngjyra partiake, si të këtij apo atij subjekti politik, por si një e keqe e përbashkët, pasi të tillë janë në jetën e përditshme; para syve të opinionit publik bëhen sikur shahen dhe përlahen paturpësisht me njëri-tjetrin, ndërsa në anën tjetër i bijnë në përqafim njëri-tjetrit, i ndajnë tenderët bashkë, i ndajnë bizneset bashkë, ngrenë e pinë bashkë, pushimet i bëjnë bashkë, ekskursionet (vizitat) jashtë shtetit i bëjnë bashkë, financimet i kanë të përbashkëta (nga populli),…po ashtu në fund edhe argëtimin (talljen) me popullin e bëjnë të përbashkët,…!!!

Përderisa në anën tjetër, populli i mjerë, mbetët gjithmonë i dëshpëruar, i ndarë dhe i hasmuar me njëri-tjetrin për interesat e kusarëve politik,…të hasmuar mbetën vllazni e komshi, miq e farefis shkaku i këtyre përbindëshave të pangopshëm, të akomoduar si gjithnjë së bashku në majat e pushtetit, qoftë ai lokal apo qendror !

Sa herë që bëhen bashkë apo tradhtojnë elektoratin e tyre, nëntokat e partive politike, shpëtimin e gjejnë tek ndërkombëtarët, duke u “arsyetuar” se gjoja ndërkombëtarët i detyruan të bëhen bashkë “pa” dëshirën e tyre!

Mirëpo pas bashkimit të fundit të dy nëntokave politike, sikur u doli “ngjyra” arsyetimeve të tilla.

Vallë, paskan qenë ndërkombëtarët që e mbajtën peng vendin, mbi pesë muaj (vitin e kaluar) të barrikaduara përballë njëri-tjetrit partitë rivale ?!

Vallë a janë ndërkombëtarët që shkaktuan bllokadën parlamentare tre mujore (të këtij viti) në vendin tonë ?!

Jo, ishin dhe janë interesat meskine të grupeve dhe klaneve mafioze brenda  partive aktuale, ato që i ndajnë përkohësisht, dhe janë prapë interesat personale të liderëve dhe mbështetësve të tyre që i bashkojnë përsëri grupet rivale në një kurorëzim të panatyrshëm politik.

Hipokrizia politike e pushtetarëve dhe opozitarëve i ka kaluar të gjithë kufijtë e imagjinatës njerëzore. Pushtetarët në njërën anë deklarohen si institucionalist, ndërsa në tjetrën rrënojnë sovranitetin dhe integritetin e vendit me marrëveshjet antishtetërore në Bruksel për interesa të Serbisë dhe Malit të Zi.

Ngjashëm me pushtetarët, edhe opozitarët që deklarohen për mbrojtjen e shtetit, gjysma e tyre e kanë votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen e 19 prillit 2013 në Bruksel për themelimin e “Zajednicës” të nënshkruar nga kryediplomati Thaçi.

Përderisa, marrëveshja  e 25 gushtit 2015 e nënshkruar nga “kryeministri” Mustafa, nuk është më pak dhe as më shumë se rikonfirmim i marrëveshjes paraprake, që “de jure” e ndanë sovranitetin e shtetit në dysh.

Nëse për të parin (Hashim Thaçin) prejudikohet se pavetëdije ka nënshkruar marrëveshjet e Brukselit, ky i dyti (Isa Mustafa) me vetëdije të plotë ka nënshkruar kapitullimin e Kosovës përballë Serbisë në Bruksel, si dhe demarkacionin me Malin e Zi, duke e tkurrur territorin e vendit për rreth 10 mijë hektarë.

Me këtë nivel të turpshëm (të ulët) të qeverisjes së vendit, kush e di edhe për sa kohë do të qëndrojnë në vendin organet e drejtësisë ndërkombëtare.

Prezenca e KFOR-it, (element i sigurisë së shtetit tonë), EULEX-it (element i drejtësisë), përfaqësuesi special të kombeve të bashkuara (aktualisht, Samuel Zhbogar), heshtja dhe indiferenca e popullatës karshi keq-qeverisjes, e bënë shtetin e Kosovës, një shtet në “inkubator”, pa qenë në gjendje të lëvizi më këmbët e veta drejtë ecjes dhe zhvillimit normal siç i ka hije një vendi të lirë dhe demokratik.

Si pasojë e kësaj gjendje, erdhi edhe rekomandimi i fundit i Këshillit të Ministrave të BE-së për mosliberalizimin e vizave për kosovarët edhe për vitin 2016!

Kjo i bie që MSA-ja, qeveritarëve tonë u mbeti në dorë si të “trasht e surles”, përderisa popullata shqiptare përveç varfërisë, vazhdon të përballet me izolimin dhe getoizimin ndërkombëtar, shkaku i keqqeverisjes tetëvjeçare të klasës aktuale politike.

Kot e akuzojmë Evropën, ajo nuk është fajtore për dështimet tona. Klasa politike kosovare në vend të përmbushjes së obligimeve për liberalizim të vizave, me tërë qenien e saj u angazhua në përmbushjen e orekseve serbe në Kosovë.

Prandaj, jo vetëm se s’ka liberalizim të vizave, me këtë klasë të kriminalizuar, korruptuar dhe shantazhuar politike, që ka kapë të gjitha institucionet shtetërore, nuk do të ketë perspektivë zhvillimore dhe as jetë dinjitoze për shqiptarët në shtetin e Kosovës.

Truki politik i radhës i pushtetarëve për “dalje” nga kriza institucionale do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme, me qëllimin e ribashkimit të sërishëm pas zgjedhjeve !

Populli duhet të ketë nxjerrë mësimin e duhur nga loja perfide e pushtetarëve aktual dhe liderëve partiak opozitar,….për t’i dhënë fund kësaj katrahure të mashtruesve dhe intrigantëve politik.

Nga zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare në pranverën e 2016-së, duhet dhënë ndëshkimin e duhur strukturave të këtyre kusarëve dhe matrapazëve politik,…në të kundërtën, nëse i votojmë prapë të njëjtit, atëherë s’kemi më arsye të ndihemi të tradhtuar e as të zhgënjyer në qeveritarët e “ri”, por në vetveten e tonë.

Populli im i dashur, vëllezër dhe motra që ju rrahë pulsi i zemrës njësoj si unë, që ju vlon gjaku njësoj si unë, që doni atdheun njësoj si unë, që vuani njësoj si unë, që nxheni njësoj si unë, që shani njësoj si unë,…të bëhemi të gjithë bashkë kundër të keqes, pa dallime partiake apo fetare, t’ua ndalim hovin këtij grupi të vogël matrapazësh politik, këtyre maskarenjve, kësaj fare të keqe që u pasuruan skajshmërish mbi kurrizin tonë.

Me largimi nga skena politike të kësaj klase të qelbur politike, do të hapen rrugë dhe perspektiva të reja zhvillimore të shtetit tonë-Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button