SHBA, gjyqtarja e cila u betua mbi Kuran viktimë e sulmeve islamofobe

Muslimanja afro-amerikane, Carolyn Walker-Diallo javën e kaluar u bë gjyqtare shtetërore në Gjykatën Civile të Nju Jorkut, kurse ceremonia e betimit të saj duke vënë dorën mbi Kuran shkaktoi një valë reagimesh raciste dhe islamofobike në rrjetet sociale, raporton Anadolu Agency (AA).

Walker-Diallo fitoi zgjedhjet për gjykatës shtetëror në rajonin e 7-të zgjedhor në Brooklyn, pas së cilës në përputhje me Kushtetutën e SHBA-së, bëri betimin solemn duke e vendosur dorën e saj mbi Kuran.

Vala e fyerjeve raciste dhe islamofobike në rrjetet sociale të shkaktuara nga rasti i zgjedhjes së gjyqtares me mbulesë duke bërë betimin me Kuran në dorë është një tjetër tregues se islamofobia është në rritje në SHBA.

“SHBA-ja nuk është Lindje e Mesme”, “Muslimanët kanë pushtuar SHBA-të” dhe “Gjyqtarët muslimanë do të gjykojnë me Sheriat” janë vetëm disa nga komentet që pasuan pasi që gjyqtarja Walker-Diallo në profilin e saj në Facebook kishte publikuar foto nga akti ceremonial i dhënies së betimit, duke mbajtur Kuranin në dorë.

Asistenti anonim në zyrën e Walker-Diallo për AA tha se po monitorojnë nga afër të gjitha reagimet në publik, porse gjyqtarja e sapozgjedhur për një kohë nuk do të japë ndonjë koment mbi këtë çështje.

Nga organizata më e madhe e komunitetit musliman në SHBA-Këshilli i Bashkëpunimit Amerikano-Islam (CAIR) konsiderojnë se sulmet kundër gjyqtares së sapozgjedhur janë “të frikshme”.

“Është për të ardhur keq që në këtë mënyrë shihet akti që duhet të ishte krenaria e kombit. Në komunitetin tonë ka shumë urrejtje”, thanë nga CAIR.

Retorika anti-muslimane në SHBA gjithnjë e më shumë po e vështirëson pozitën e komunitetit musliman në atë shoqëri. Retorikës së tillë pa dyshim është duke i paraprirë kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, i cili bën thirrje për t’iu ndaluar hyrja të gjithë muslimanëve në SHBA ndërsa në kufirin e SHBA-ve të ndërtohet një “mur i bukur dhe i madh”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button