Opozita kosovare protestoi edhe në Pejë kundër marrëveshjeve

Opozita e bashkuar kosovare sot në Pejë, mbajti edhe një tjetër tubim kundër marrëveshjeve për Bashkësinë e komunave serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në tubimin ku u mblodhën disa mijëra njerëz, kaloi qetë. Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri para të pranishmëve tha se të gjithë ata që protestuan në Gjakovë, Prishtinë, Gjilan dhe sot në Pejë porosisin “Hashimin dhe Isën” që të mos luajnë me popullin dhe se “Zajednica” dhe demarkacioni nuk do të kalojnë.

Ymeri tha se “kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij kanë shumë fytyra, një për Serbinë, tjetër për bashkësinë ndërkombëtare dhe të tretën për Kosovën, dhe se si të tillë ata nuk mund të jenë udhëheqësit e Kosovës”. Ai porositi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e madhe të opozitës në Prishtinë, më 9 janar.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj rikujtoi se njerëzit nga rajoni i Pejës, kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës, dhe se ata duan të jenë të lirë të gjitha bashkësitë si dhe serbët e Kosovës, por se “ne nuk lejojnë që Serbia të kthehet në Kosovë”. Në emër të Nismës për Kosovën në tubim në vend të liderit Fatmir Limaj, i cili për shkak të obligimeve gjyqësore mungoi, foli Jakup Krasniqi.

Ai theksoi se sot ka “1001 arsye për të protestuar kundër Qeverisë, e cila i ka shkaktuar shumë dëme Kosovës” dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij Thaçi. Opozita konsideron se Peja është njëra nga komunat që pësoi më shumë nga marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila i merr “Kosovës më shumë se 8.000 hektarë tokë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button