Neurologët: Putin ka ecje të pazakontë

Një ekip i neurologëve evropianë, përmes një studimi të publikuar thonë se presidenti i Rusisë,Vladimir Putin e ka një ecje me aktivitet të reduktuar në krahun e djathtë, ecje kjo që ndryshe njihet si “Gunslinger’s Gait”, shkruan REL.

Kjo ecje, sipas neurologëve, mund të ketë lidhje me trajnimet mbi armët që Vladimir Putin i ka bërë gjatë kohës sovjetike, kur ka qenë pjesë e shërbimit sekret rus, KGB.

Studimi i publikuar më 14 dhjetor në gazetën mjekësore britanike “The BMJ”, vë në pah se Putin gjatë paraqitjes publike, në mënyrë të qartë e ka paraqitur drejtpeshimin e reduktuar.

Kjo lëvizje asimetrike e krahut, sipas studimit, mund të jetë shenjë e hershme e sëmundjes së Parkinsonit.

Por, autorët e studimit, studiues me bazë në Portugali, Itali dhe Holandë, thonë se Putin nuk ka shfaqur shenja të tjera të sëmundjes.

Në fakt, studiuesit shkruajnë se Putin ka “aftësi të shkëlqyera motorike”, siç dëshmohet edhe në videot ku presidenti rus shihet teksa shijon aktivitete sportive të notit dhe xhudos, një komponent kryesor i imazhit të tij publik që ka qenë prej kohësh i paraqitur nga mediat servile shtetërore të Rusisë.

Duke e cituar një manual të trajnimit të KGB-së, studiuesit thonë se stili i ecjes së Putinit është i lidhur me trajnimet që ka mbajtur ai në shërbimin sekret, institucion në të cilin para se të pensionohej, ishte ngritur në gradën e nënkolonelit.

“Sipas këtij manuali, operativët e KGB-së janë udhëzuar që armën e tyre ta mbajnë në anën e djathtë në afërsi të gjoksit dhe të lëvizin përpara me një anë, zakonisht nga e majta, me sa duket për t’ua mundësuar atyre që kur të përballen me ndonjë armik, ta nxjerrin armën sa më shpejtë që të jetë e mundur”, shkruajnë studiuesit.

Për ta testuar hipotezën e tyre, neurologët kanë analizuar videot në YouTube edhe të zyrtarëve të tjerë rusë.

Bastiaan Bloem, profesor për çrregullimet e lëvizjeve neurologjike në Qendrën Mjekësore të Universitetit në Nijmegen të Holandës, i cili e ka udhëhequr studimin, tha se ekipi i tij ishte “i habitur” në atë që panë.

Ata gjetën të njëjtën shetitje karakteristike edhe te kryeministri Dmitry Medvedev, te ish-ministri i Mbrojtjes Anatoly Serdyukov e te Sergei Ivanov, por edhe te komandanti i lartë ushtarak rus, Anatoly Sidorov.

Sikurse Putini, edhe Ivanov është një ish-oficer i KGB-së që ka shërbyer në Evropë gjatë Luftës së Ftohtë.

Por, edhe Serdyukov e Sidorov, sipas publikimit, janë trajnuar ushtarakisht.

Ndryshe nga të tjerët në këtë grup, Medvedev me profesion është avokat dhe si i tillë nuk ka lidhje të qarta me KGB-në dhe nuk i ka shërbyer ndonjë ushtrie, ani pse është trajnuar shkurtimisht si rezervist gjatë kohës sa ka qenë në universitet.

Që nga koha kur Putin e kishte zgjedhur me kujdes Medvedevin që të shërbente si president në vitet 2008-2012, gjuha e trupit të Medvedev shpesh ngjante me atë të mentorit të tij.

Duke cituar raportet e mediave perëndimore, studiuesit shkruajnë se “provat thelbësore sugjerojnë se Medvedev po përgatitet të tingëllojë, duket, e çka është më e rëdësishmja, të ecë si president”.

Studimi tregon se ecja asimetrike e Putinit “është një përshtatje e sjelljes së tij që rezulton nga trajnimet ushtarake apo ato të intelegjencës”.

Bloem i ka thënë AFP-së se ecja e liderit rus, me drejtpeshim të reduktuar, mund të jetë pasojë e trajnimeve të tepërta.

Bloem e ka pranuar se studiuesit nuk kanë pasur qasje në të dhënat mjekësore të presidentit rus apo te doktorët e tij.

Por, ai ka shtuar se ecja e pazakonshme e presidentit Putin, është subjekt i një debati të vogël, por një debat në rritje në mesin e specialistëve.

“Ky është një studim i pazakontë, por në të është një mesazh shumë serioz, rreth vëzhgimit neurologjik”, i ka thënë ai AFP-së gjatë një interviste dhënë përmes telefonit.

Bloem tha se “ecja jonormale e Putinit”, është vërejtur më parë.

“Ajo qe ne po e shtyejmë përpara dhe me shumë kujdes, është një hipotezë e re”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button