Lulzim Basha takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me Kancelaren Merkel dhe me drejtues të partisë CDU dhe të Partisë Popullore Europiane. Basha mori pjesë në kongresin e partisë së Merkel, ku të pranishëm ishin edhe eurodeputetë, deputetë të Bundestagut dhe ministra gjermanë.

Gjatë takimit me zyrtarë të ndryshëm, Basha shprehu shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike të vendit dhe për këtë bëri fajtor Kryeministrin Rama, për të cilin tha se dhunon qytetarët dhe mbron krimin.

“Revolta popullore që ka shpërthyer në të gjithë vendin dhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarë është dëshmia më e qartë e situatës së rëndë ekonomike, papunësisë që shtohet dhe dhunës qeveritare ndaj të pamundurve.

Buxheti i ri me rritje taksash, dhe shpenzime për luks qeveritar dhe asnjë investim për hapje vendesh të reja pune, tregon se qeveria ‘Rama’ nuk ka asnjë plan për nxjerrjen e vendit nga kriza, por do ta thellojë atë dhe vjedhjen e korrupsionin.

Të gjitha kategoritë shoqërore ndihen të goditura dhe të poshtëruara dhe ndaj vazhdimi i kesaj keqqeverisje është një humbje më e madhe, një kosto shtesë për vendin, për çdo familje, për çdo shqiptar dhe një rrezik i madh që i kanoset demokracisë dhe shtetit ligjor”,- theksoi Basha.

Kreu i demokratëve paraqiti para drejtuesve të CDU dhe PPE programin qeverisës të Partisë Demokratike, sipas të cilit synohet rritje ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës dhe një klimë më pozitive për biznesin vendas e të huaj.

Në takim u fol edhe për procesin e dekriminalizimit, ku Basha akuzoi sërish Ramën që kishte futur në listat e zgjedhjeve persona me të kaluar kriminale.

Politikanë gjermanë dhe europianë gjatë diskutimit më kreun e PD, u ndalën edhe tek raporti i OSBE-ODIHR për blerjen e votëve në zgjedhjet e fundit vendore. Basha theksoi edhe njëherë nevojën për krijimin e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të parakoshme, si rrugëdalje për situatën e rëndë ekonomike e politike të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button