Xhufi: Greqia ende nuk e ka njohur kufirin e Shqipërisë

Greqia nuk e ka njohur asnjëherë kufirin tokësor me Shqipërinë, duke refuzuar madje dhe dy marrëveshje për këtë qëllim. Këtë e konfirmon dhe historiani shqiptar, profesor Pëllumb Xhufi thotë se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë për kufinjtë tokësorë.

Shqipëria me Greqinë nuk kanë vetëm problemin e marrëveshjes për kufirin detar, por nuk ka marrëveshje as për kufirin tokësor. Dhe madje më e keqja është se Greqia nuk është dakord as me kufirin e vendosur nga ambasadorët më 1913, duke kërkuar pas dy luftrave botërore që t’i ndryshojë ato dhe duke refuzuar në vijimësi të nënshkruajë marrëveshje me palën shqiptare për ta konfiguruar këtë kufi, duke treguar qartë se lënia e ligjit të luftës në fuqi për 73 vjet nuk është rastësi, transmeton shqiptarja.com.

Pikërisht këtu qëndron dhe thembra e “Akilit” të pretendimeve greke, përmes të cilave shpjegohet arsyeja e ngurrimit të palës greke në lidhje me kufirin tokësor e hedhjen te kufiri detar, me rëndësi ekonomike për të.

Mungesën e njohjes së kufirit tokësor e konfirmon dhe historiani i njohur shqiptar, profesor Pëllumb Xhufi kur thotë se fqinji ynë Greqia s’ka njohur kufirin e përcaktuar në konferencën e ambasadorëve më 1913. “Nuk ka një marrëveshje me Greqinë për mirëmbajtjen e shenjave kufitare dhe për shmangien e incidenteve kufitare. Këto dy marrëveshje do të shënonin njohjen “de jure” të kufirit të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913”, tha dje Xhufi për gazetën “Shqiptarja.com”.

Ai flet dhe për problemet që kanë dalë në kufi gjatë tërë këtyre viteve dhe nevojën e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, të kërkuara nga ana e palës shqiptare. “Qeveria shqiptare e ka denoncuar refuzimin grek për nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve në vitin 1994, pas agresionit ndaj një reparti ushtarak në Peshkëpi.

Pas vitit 1997 Greqia ka marrë përsipër të riparojë shënjat kufitare, por pa nënshkruar marrëveshjen përkatëse. Edhe incidentet kufitare ka zgjedhur t’i zgjidhë në kuadrin e bashkëpunimit mes policive kufitare, duke shmangur kështu nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse me palën shqiptare”, deklaroi profesor Xhufi. Për të cilin akoma më i rëndë është fakti që fqinji ynë jugor ka pretendime për kufirin e vendosur në fillim të shekullit të kaluar. “Greqia nuk e ka njohur kufirin e vitit 1913, ndaj ka kërkuar rishikimin e tij edhe pas Luftës së Parë Botërore, më 1919.

Por dhe pas luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946. Me sa duket pret luftën e Tretë Botërore për të zgjidhur përfundimisht çështjen e kufinjve me Shqipërinë, duke aneksuar dhe Shqipërinë e Jugut”, deklaron Xhufi. Ndërkohë mazhoranca e kaluar ka shpjeguar se për kufirin tokësor me Greqinë, megjithëse s’ka një marrëveshje të nënshkruar mes dy vendeve, nisur nga protokolli i nënshkruar në vitin 1985, ka një regjim të njohjes së kufirit përmes piramidave.

Lajme të ngjashme

Back to top button