Pse po heshtin tetovarët?

Dola në mbrëmje për një xhiro në qytet. Tek sa po ecja, në çdo tre katër metër , dëgjohej nga një e kollitur aty këtu,përpara nuk dukej me shume se dy metër nga mjegulla e dendur me plot helm, nuk kishte nevojë për asnjë aplikacion, as matës të ndotjes, as statistika nga Ministria, as ekspertë të fushave përkatëse, për të kuptuar se ndotja është tejet e madhe. Tetova kundërmon një erë të rëndë,vështirë frymohej. Qyteti i ngjasonte një zone lufte, dukej si një qytet i braktisur, me shumë pak banorë të ngelur, një vend i frikshëm e i pa shpresë.

Tek sa po përjetoja këto momente të trishta, thash me vete, si nuk ka një mekanizëm të i tubonte tetovarët një për një, të gjithë, ne shesh dhe dikush nga një foltore të ju thoshte:

Po pse kjo heshtje o tetovarë, pse kjo heshtje pikërisht nga ju, pikërisht tani kur duhet të ishit më të zëshëm se çdo herë??! A nuk ishit ju o tetovarë, që i dolët ne ballë çdo rreziku për të mbrojtur universitetin?!A nuk ishte kalaja jonë o tetovarë, që mblodhi, ndihmoi dhe u bëri konak shumë trimave të këtij kombi?! A nuk ishte guximi dhe humanizmi juaj o tetovarë, që hapet dyert për vëllezërit tuaj shqiptar nga Kosova, për ta ndarë atë copë bukë që kishit bashkë me to?A nuk ishit pikërisht ju që ndihmuat Shkodrën për përmbytjet, Kumanovën dje, dhe shumë të tjerë, si dje dhe nesër?! E pra,gjithmonë e gjithkund ku kishte nevojë për ndihmë, ju tetovarë, ishit dhe do të jeni atje sërish .

Po sot, pse po refuzoni të ndihmoni veten, pse sot po refuzoni të mbroni të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj?! Pse jeni aq pak kur ngrihet zëri kundër ndotjes?!Sot ju çuditërisht po heshtni, të pafuqishëm, të zbehtë , kokulur , ju po shikoni si po helmohen fëmijët tuaj, si po helmoheni vetë dhe gjithçka që frymon në këtë qytet. Ju sot jeni të ndarë, pikërisht kur duhej të ishit më të bashkuar se kurrë, të bashkuar për të mbrojtur fëmijët tuaj, duhet të të bashkuar kundër fatkeqësisë të quajtur ndotje. Sot ju duheshe të tejkaloni interesat personal, siç i tejkalonit dikur për kauza kombëtare, sot ju duhej të mos bëni me gisht nga njeri tjetri, por nga vetja dhe nga fëmija juaj e fati i tij. O tetovarë, a nuk ju pengon që Tetova që në agjencitë vendore dhe botërore, përmendet dhe qytet ma i ndotur në botë ?! Pse po e fundosni ëndrrën e një qyteti evropian, pse po e bëni Tetovën qytet të pa dëshiruar e të pajtueshëm , pse o tetovarë, a e thotë dikush pse ?!

Sot , heshtja është faj, heshtja është krim ! Ky helmim masiv tejkalon dhe ngjyrimet partiake, ky helmim vë në pikëpyetje nderin, dinjitetin dhe rezistencën shqiptare, dhe ky nderë,ky dinjitet, kjo rezistencë duket çdo ditë e më e zbehtë! Kjo sprovë duhet të dëshmon fuqinë tonë intelektuale dhe vetëdijen tonë të lartë, a thua vallë e kemi?!

Prandaj është koha për ti thënë mjaftë ndotjes masive, mjaft politizimit të çdo qelize dhe çdo detali të shoqërisë tonë, sot është koha për ti thënë mjaft keqbërësve , për ti thënë mjaft shkatërrimit dhe përbaltjes të çdo vlere tonë, për ti thënë mjaft dëbimit të rinisë nga Tetova, mjaft eksodeve dhe largimit masiv të popullatës shqiptare nga ky vend që po bëhet pothuajse i pajtueshëm. Mjaft u bë, mjaft u lejua realizimi i planeve djallëzore të armiqve tonë. Sot ju duhej te protestoni fuqishëm , masovikisht dhe duke mos u ndarë politikisht. Ndotja nuk njehë përkatësi politike, andej edhe reagimi kundër ndotjes e kërkesa për një jetë humane nuk duhet trajtuar me rezervë. ..

Me kaq do të mbaronte ky fjalim imagjinar, të cilin nuk ka kush e thotë, edhe më keq, edhe në e thëntë dikush,nuk ka kush e dëgjon.

Unë xhiron time e mbarova, bashkë me të edhe këtë fjalim të pa folur, i pezmatuar nga ky dorëzim e nga kjo ngritje duarsh e kësaj shoqërie që po aprovon ne heshtje helmimin e evladëve të vet. Kësaj rinie që i është kufizuar perspektiva në vend të vet, dhe të njëjtën do detyrohet ta kërkojë larg nga këtu. Duke e shkruar dhe përjetuar këtë fatkeqësi që po ndodhe, nuk ka se si mos të kujtohen vargjet e kësaj kënge të dhimbshme, të vjetër, por më aktuale se kurrë:

“Sharrit po të ngjitem,

eci ditë e natë.

Pyesin zogjtë e malit

Nuk më lënë rehat.

M`pyesin ato m`pyesin,

Sikur nuk e dinë .

Ku shkojnë tetovarët,

Pse n`Tetovë nuk rinë ?!”

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button