Osmani zyrtarizon shqipen nga televizioni!

Marrëzia e radhës ka ndodhur mbrëmë në Alsat-M në debatin “Rruga drejt…” ku kryetelalli i integristëve ka hedhur publikisht gënjeshtrën e radhës si pjesë të propagandës së tyre elektorale për gjoja zyrtarizim të gjuhës shqipe në Maqedoni e cila përbën lajmin e ditës. Zëdhënësi i DUI-it Bujar Osmani, në emisionin “Rruga drejt…” në Alsat-M, tha se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Maqedoni. “Gjuha shqipe është zyrtare në bazë të kushtetutës po ne kemi thënë, edhe Ali Ahmeti, se është çështje e interpretimit te pala maqedonase, sepse edhe VMRO edhe LSDM kanë një qëndrim.

Për shkak të mungesës së vullnetit politik kjo çështja ka shkuar në etapa. Ne mendojmë se me bashkësinë ndërkombëtare por edhe partitë shqiptare që duhet të ndihmojnë mund të tejkalohet çështja e interpretimit nga pala maqedonase” u shpreh Osmani. Në bazë të kushtetutës gjuha shqipe nuk është zyrtare . Ja çfarë thotë neni i 7-të i kushtetutës së Maqedonisë ; “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen. Dokumentet personale të shtetasve të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe shkrimin e saj në pajtim me ligjin.

Cilido shtetas i cili jeton në njësinë e vetadministrimit lokal në të cilën së paku 20% e shtetasve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund të përdor cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Çdo shtetas në komunikim me ministritë mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligjin. Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe shkrimi që e përdorin së paku 20% e shtetasve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal.”

Për cilën gjuhë zyrtare e ka fjalën ky megafoni i DUI-it, për shqipen apo për maqedonishten ?Aty është e shkruar e zeza mbi të bardhë se kush është gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe gjuhët të cilat mund të përdoren në administratën e pushtetit lokal si gjuhët e 20%. Gjuha shqipe dhe emri shqiptar nuk përmenden fare kushtetutën e vendit .

Le t’i hapin mirë kokërdhokët e syve ky dhe të gjithë DUI-stët e verbër dhe të lexojnë kushtetutën që miratuan vetë e cila i trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë. Sipas formulimit në nenin 7-të të kushtetutës shqiptarët janë të barabartë me evgjitët si bashkësi e 20 %! Pra, kjo qenkësh arritja dhe suksesi i DUI-it në këto 14 vjet “lufte” për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Marrëveshja kërmë e Ohrit të cilën e nënshkruan subjektet politike shqiptare si arritje dhe fitore të madhe e sanksionon qartë përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike në nivel lokal .

Kjo ishte “fitorja ” me të cilën mburren integristët me marrëveshjen e Ohrit ,ku faktori politik shqiptar nënshkroi kapitullimin. Pasojat e asaj marrëveshje nënshtrimi vazhdojnë t’i paguajnë shqiptarët në pamundësi për t’u shprehur në gjuhën e tyre në gjykata e polici, në ushtri dhe qeveri. Subjektet politike shqiptare karshi faktorit politik maqedonas u dorëzua dhe pranoi atë status përçmues si qytetarë pa emër e pa gjuhë dhe pa identitet ,por vetëm të barabartë mes të pabarabartëve që ua garantoi marrëveshja kufomë e Ohrit.

Për DUI-in dhe telallxhinjtë e saj dështimet në luftë dhe në paqe konsiderohen si arritje dhe fitore ndërsa për shqiptarët ato janë pjesë e tragjedisë shqiptare që s’duhen na ndodh më. Për z. Osmani ,i cili vjen nga radhët DUI -it dhe të tjerë si ai, në zgjedhjet e ardhshme për ta nuk duhet të ketë shans të dytë .Ata janë të dëshmuar në qëndrimet e tyre si shërbëtorë të devotshëm të pushtetit .Prandaj zëri i ndërgjegjes qytetare duhet të thërras; Mjaftë më propagandës së mashtrimit me gjuhën shqipe si “gjuhë zyrtare ” në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button