Alarmi i SHBA-së dhe Britanisë për korrupsionin në Kosovë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i Britanisë së Madhe në Kosovë vazhdojnë të vënë theksin te niveli i lartë i korrupsionit në Kosovë.

Në një tryezë të organizuar nga Institut i Kosovës për Drejtësi, diplomati amerikan dhe ai britanik thanë se pa luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kosova do të ketë edhe më të vështirë rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.

Ambasadori amerikan Greg Delaëie, theksoi se edhe sekretari amerikan John Kerry nënvizoi rëndësinë e përmirësimit të ekonomisë së Kosovës dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë e këtij vendi.

Por sipas tij, ai këmbënguli, që kjo nuk mund të ndodhë pa përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

“Një e ardhme e fuqishme për Kosovën do të kërkojë, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin dhe të këmbëngulin, që të gjitha rastet korruptive të hetohen, të gjykohen dhe kushdo që gjendet fajtor për keqpërdorim e besimin e publikut, të dalë para drejtësisë”, tha Delaëie, raporton TCH.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, tha se në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, organet e drejtësisë nuk duhet dhe nuk mund të guxojnë në asnjë mënyrë të lejojnë të ketë zbatim të drejtësisë me përzgjedhje.

“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se kjo po ndodh. Kosova nuk duhet dhe nuk duhet të guxojë të lejojë ndërhyrje politike në proceset gjyqësore. Një shembull sesi sistemi i drejtësisë ka dështuar, është rasti i ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku. Ai u dënua, por dënimi i tij nuk po zbatohet. Ka dështuar sistemi i drejtësisë, që ai të mbahej në Kosovë dhe të vuante dënimin sikurse të gjithë të dënuarit e tjerë. Këtë mundësi për të amnistuar Zharkun ia ka dhënë sistemi i drejtësisë”, tha ai.

Gjatë diskutimeve në këtë tryezë, ambasadori amerikan tha se vendi i tij do t’i qëndrojë pranë Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe se, gjatë vitit të ardhshëm, SHBA-të do të ofrojnë më shumë se 12 milionë dollarë në mbështetje dhe ekspertizë për sistemin e drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button