Marrëveshja e Përzhinos, marketing politik apo reforma thelbësore?
Partitë politike që u zotuan se do ta zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinos, marrëzisht kanë shkelur deri më tani pothuajse çdo afat të përcaktuar në vetë dokumentin ku kanë lënë nënshkrimet vet ata. Marrëveshja ka arritur që në kohë të kthejë në parlament LSDM (1 shtator 2015) dhe të emërojë Katica Janevën si prokurore speciale (15 shtator), edhe pse kjo e fundit pastaj me vonesë nisi punën e saj.
Sa mund të jetë efikase zbatimi i Marrëveshje së Përzhinos duke shkelur afatet?
Analistët për Portalb thonë se Marrëveshja e Përzhinos nuk do të mund të arrijë ndonjë reformë thelbësore, dhe se vetëm formalisht do të zbatohet. Sipas tyre, pamundësia për të qenë korrekt ndaj marrëveshjes po krijon hapësirë që partitë politike të zhvillojnë fushatë parazgjedhore.
“Përveç afateve, për Marrëveshjen, me rëndësi është edhe vet substanca, brendësia e Marrëveshjes së Përzhinos. Nuk janë ato vendime që merren në Përzhino e që realizohen në praktikë në të njëjtën mënyrë. Modifikimet janë të formave të ndryshme që paraqesin presion ndaj opozitës dhe presion të brendshëm për moszbatimin e plotë të marrëveshjes. kështu ishte me ministrat, të cilat kanë statusin e ministrave të përkohshëm- për të mos qenë ministra fuqiplotë. Kështu do të jetë edhe me kryeministrin kur do të jep dorëheqje, kështu është edhe me proceset tjera. Flitet diçka sa për të thënë se është realizuar, por në të vërtetë krijohet mundësi që sa më pak e marrëveshjes të realizohet”, u shpreh për Portalb njohësi i çështjeve politike Alajdin Demiri.
Analisti politik Petar Arsovski vlerëson se Marrëveshja e Përzhinos vetëm formalisht do të zbatohet, në thelb asgjë nuk do të ndryshojë.
“Aktorët që janë të përfshirë u intereson vetëm kontrolli i zbatimit të marrëveshjes dhe jo reformat esenciale. Marrëveshja do të zbatohet dhe zgjedhjet do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm. Megjithatë, mendojë se për reforma të tërësishme demokratike në shoqëri nuk mjafton vetëm Marrëveshja e Përzhinos, por që zbatimi do të nis nga muaji prill”, theksoi për Portalb Arsovski.
Për momentin po vazhdojnë bisedimet për çështjen e mediave, edhe pse afati për zgjidhjen e kësaj çështje ishte deri më 20 nëntor. Qeveria aktuale dhe kryeministri Nikolla Gruevski duhet të japin dorëheqje 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme që janë paraparë për në 24 prill.
Partitë po e shfrytëzojnë Marrëveshjen e Përzhinos për marketing politik
Mosaftësia për t’i zbatuar politikat në kohë dhe në afat të caktuar të paraparë me marrëveshje, partive politike u jepet luksi që këtë kohë ta shfrytëzojnë për fushatë parazgjedhore.
“VMRO-DPMNE ka qenë në fushatë permanente, asnjëherë si ka ndërpre. BDI filloi fushatën me një ikonë të harruar e të vjetruar- Marrëveshjen e Ohrit. Ata tani mundohen ta kthejnë Marrëveshjen si të veten. Mirëpo harrojnë se 3-4 i morën me atë ikonë, dhe se populli do të pyet se për çka nuk u realizua deri më tani”, theksoi Alajdin Demiri.
Në një vijë mendimi është edhe Petar Arsovski. “Absolutisht po, partitë e shfrytëzojnë këtë kohë për fushatë parazgjedhore, dhe këtu ndihmë nuk ka. Nuk ka kushte të mjaftueshme që kjo të ndalet dhe do të vazhdojë deri në prill”, thotë ai./Portalb