Këshilli Mbipartiak në Kumanovë: “Bëhu edhe ti opozitë e së keqes!“

Dje, me ftesë të shoqatave joqeveritare Këshilli Mbipartiak realizoi një tribunë të hapur në Kumanovë
Mes qindra të pranishmëve në sallën e qytetit të Kumanovës “Kozjak” dhe me ftesë të shoqatave të ndryshme joqeveritare nga Kumanova, sonte Këshilli Mbipartiak realizoi tribunën e parë të hapur me temë: “BËHU EDHE TI OPOZITË E SË KEQES”.

Në panelin debatues ishin të pranishëm, kryetarja e shoqatës së grave “Kumanova 2003” Ferdese Sulejmani, shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti, Arjanit Hoxha nga LSHDM-ja, kryetari i Qendrën për Demokraci dhe Zhvillim, Orhan Murtezani si dhe doktori i shkencave filozofike, Rufat Alili.

“Dua të ju përshëndes në emrin tim personal, dhe në emrin e shoqatës tonë të grave dhe ju falënderoj për prezencën tuaj madhështore. Marrëveshja e Ohrit i pati të gjitha garancat ndërkombëtare që të realizohet, por ajo nuk arriti të realizohet aspak, kurse ne si gra kumanovare i dhamë përkrahje maksimale duke menduar se do të realizoheshin të gjitha idealet e UÇK-së. Pra, Marrëveshja e Ohrit thuajse nuk u realizua aspak në cilindo qoftë kënd të saj. Por, vlerësojmë se ka ardhur koha se në Këshillin Mbipartiak të kontribuojmë maksimalisht ne si shoqatë e grave, sepse kemi një rini të shkëlqyer që duhet ndihmuar. Rasti i “Sopotit” më ka prekur si nënë në mënyrë të jashtëzakonshme, po kush është ajo fuqi, ajo para, që mund tua kthejë vitet e humbura, atyre njerëzve të pafajshëm, të cilët pas një kohe të gjatë në burg u qëndruan për shumë vite të pafajshëm. Pse nuk u realizua regjistrimi i shqiptarëve, u morën mbi 18 milion euro për regjistrim e popullsisë së Maqedonisë, ndërsa nuk u realizua as 20 % prej saj? Kjo e dini pse u ndal, sespe mbi 600 mijë njerzë kanë ikur nga ky shtet!… Jemi në një gjendje tejet të mjerueshme ekonomike, ku as mësuesit, e as një i punësuar në administratë shtetrore mezi se i del në fund muajit, andaj i ftoj të gjithë dhe sidomos gratë që të ndajmë njëherë e mirë të mirën nga të keqen!”, – tha Ferdeze Sulejmani, duke ftuar që sa më tepër gjinia femërore.

Përfaqësuesi i Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoni, Arjanit Hoxha i ka vlerësuar si deklarata fatkeqe lavdërimet e BDI-së për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Është fatkeqësi që edhe pas 14 vitesh dikush flet për arritje tejet të vogla, në një kohë që shqiptarët do duhej të kishin thuajse të gjitha të drejtat e realizuara, e jo të jenë në një pikë po thuajse në vendnumëro. Rasti i “Sopotit” është një nga më eklatantët ku janë shkelur të gjitha të drejtat e mundshme njerëzore, kurse pushtetarët tanë as që bëjnë zë për këto raste që prekin familjet shqiptare me dhimbje deri në palcë. Kurse fatkeqësisa është se nuk është vetëm rasti “Sopot”, por shumë sopota na kanë ndodhur si shqiptar… Ndryshimet çdoherë kanë filluar nga Kumanova, edhe në vitin 2016 ndryshimet e mëdha për shoqërinë shqiptare do të vijnë pikërisht nga Kumanova”, ka thënë Arjanit Hoxha.

Më tutje e mori fjalën doktori i shkencave filozofike, i formuar dhe edukuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rufat Alili. Ai u shpreh se nuk mund të ekzistojë Maqedonia nëse nuk është e shqiptarëve aq sa është e maqedonasve.

“Njeriu si një qenie shoqërore dhe si shqiptar në Maqedoni, duhet të shikojmë se çfarë është politika, dhe të mundohet njeriu se çfarë është më e mira e tij për në bashkësi. Njeriu si në jetë po ashtu edhe në politikë duhet ti gjykojë racionalisht, dhe jo të veprojë në mënyre refleksive, pasi politikanët tanë kur hynë në pushtet sa i afrohen pushtetit ata harrojnë të gjitha vlerat të cilat kanë përmendur më parë, dhe veprojnë vetëm në mënyrë refleksive. Maqedonia ose do të jetë e shqiptarëve ashtu siç e duam edhe ne, ose do të zhbëhet!”, shtoi më tej Rufat Alili.

Në vijë të njejtë me Alilin, ishte edhe publicisti Kim Mehmeti. Ai para të pranishmëve tha se, ky shtet (Maqedonia) nëse vazhdon të sillet në këtë mënyrë me shqiptarët, ai do të prishet dhe zhbëhet

“Kur vendosa të bëhem pjesë e Këshillit Mbipartiak, mund askush mos ta besoj, por e kam pranuar vetëm për hir të kësaj rinie të mrekullueshme që e kemi. Rini kjo që e aktualisht ndodhet në duart e hajdutëve politik, e që duhet përfundimisht t’i ndihmojmë të dalin nga kjo situatë. Janë ngatërruar tej mase gjërat, është diçka abnormale, që ne i zgjedhjim politika, por u frikohemi atyre, kur duhet të ndodh e kundërta ata neve duhet të na kenë frikë, pasi që ne i çuam atje ku janë në pozicionet e tyre, dhe jo e kundërta. Pushtetarët e BDI-së akuzohen se kanë vjedhur mbi 2 milion eruo, kurse ende dalin e flasin për vlera demokratike. Nëse vazhdojmë të ju qëndrojmë mbrapa kriminelëve politik, banditëve të lagjes ato nuk ishin aty, por ata i bëmë ne, prandaj tani është koha e fundit që gjërat ti kthejmë në normalitet. Duhet ta dini se nëse Artan Dika është i mençur nuk ka lidhje se çfarë partie është atë duhet ta vlerësojmë, nëse është Arsim Zekolli i mençur duhet vlerësuar atë si të tillë. Mirëpo, edhe kush është abdall e kush është injorant duhet t’ua vëmë emrin dhe mbiemrin, shembull duhet ta përmendin Abdilaqim Ademit këtu, dhe si burrë t’i thuhet aman boll më, boll Ali Ahmeti se na mbytët me mënyrën injorante tuaj. Ky shtet nëse vazhdon të sillet në këtë mënyrë me shqiptarët, ai do të prishet dhe zhbëhet”, përfundoi Mehmeti.

Tribuna përfundoi me bashkëbisedim me të pranishmit në sallë, të cilët shtruan pyetje të ndryshme.
Këshilli Mbipartiak ka patur takime edhe me banorët e Likovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button