Naumov dhe Bexheti: Maqedonia, një hap larg bankrotit

“Detyrimi i Ministrit të Financave, Zoran Stavrevski, të pranojë se Maqedonia nuk mund të realizojë rroga dhe transfere sociale nëse nuk merr kredi të reja, është në fakt pranim se Maqedonia është vetëm një hap larg bankrotit”, kështu vlerësuan zëvendësministri i financave nga radhët e LSDM-së, Kire Naumov, dhe akademiku, Abdulmenaf Bexheti, në emisionin “Rruga e re” në TV Shenja, duke komentuar huamarrjet e reja të qeverisë. Sipas Naumovit, madje as qeveria greke, në gjendje bojkoti, nuk ka bërë deklarata të tilla.

“Ajo ishte deklaratë skandaloze në kuptimin që asnjë qeveri greke nuk ka bërë një deklaratë të tillë gjithë këtë periudhë, edhe pse shtet i bankrotuar, apo kurrfarë shteti, siç thonë po të njëjtit njerëz. Qeveria greke as kur ka biseduar me Trojkën nuk ka dhënë deklaratë ku thotë se nëse nesër nuk na japin mjete, nuk do të ketë rroga. De facto ajo deklaratë ishte aq e paaftë saqë kur jepni deklaratë të tillë ju pranoni se jeni vetëm një hap larg bankrotit”, ka thënë zëvendësministri i financave,Kire Naumov.

Akademiku Bexheti nga ana tjetër vlerëson se Maqedonia thuajse ka shkelur vijën e kuqe të thellimit në borxhe, për të cilën ka kohë që paralajmërojnë ekspertët.

“Në lidhje me atë se a jemi në një situatë të tillë të një skenari grek, ose bankroti ose të ngjashme, që para 4-5 vitesh ju nënvizoj se shumë herë e kemi bërë me dije se nëse do të vazhdojë intensiteti i rritjes së borxhit publik me dinamikën siç ka filluar, sigurisht se do të vijmë në një fazë alarmante dhe kritike, në të cilën do të kisha thënë se thuajse jemi aty”, ka thënë akademiku Abdulmenaf Bexheti.

Ata vlerësojnë gjithashtu se një pjesë e huasë mund të shfrytëzohet për korrupsion zgjedhor, siç kishte indikacione në bombat e opozitës nga ciklet e kaluara zgjedhore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button