Isa Mustafa shpërthen kundër PS-së: Nuk na japin dot leksione ata që bënë “97-ën (Video)

Ka qenë i fortë reagimi i Kryeministrit Isa Mustafa pas deklaratave të ministres shqiptare të Mbrojtjes Mimi Kodheli gjatë vizitës së saj zyrtare në Prishtinë. Kodheli komentoi situatën politike aty duke i bërë apel klasës politike të Prishtinës “të mos bëjë gabimet e Shqipërisë”.

“Mos i bëni gabimet e shqiptarëve. Kështu që besoj se duhet të mësoni nga gabimet tona dhe në këtë mënyrë rrugëtimi juaj do të jetë, e përsëris, më i sigurt dhe do të zgjasë në kohë aq sa rrugëtimi ynë drejt këtyre strukturave” – tha ndër të tjera Kodheli në konferencën e mbajtur në krah të homologut të saj.

Por kryeministri i Kosovës Isa Mustafa reagoi ashpër në mbledhjen e qeverisë. Sipas tij, qeveria të cilën ai e drejton nuk ka nevojë për mësime nga Shqipëria. “I ftoj të gjithë dashamirësit e tjerë, nga Kosova, por tani edhe nga Shqipëria, qoftë përfaqësues të institucioneve të ndryshme por edhe intelektualë të pavarur të cilët nuk kanë nevojë të ndjellin asnjë konflikt në Kosovë” –tha Mustafa.

Kryeministri i Kosovës shkoi edhe më tej kur theksoi se janë eksponentë të vitit 1997 ata që sipas tij po japin leksione për demokracinë në Shqipëri dhe Kosovë.

“Uroj që në Shqipëri të mos ndodhë gazi lotsjellës në parlamentin shqiptar, as në rrugë sepse të gjithë ne e dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Po ashtu konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund të moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Ne e marrim përgjegjësinë për gjendjen që është këtu. Këtë përgjegjësi e kemi nga qytetarët tanë dhe këtë përgjegjësi do t’ja referojmë qytetarëve dhe votuesve të vendit tonë” – tha Mustafa në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.

Janë të njohura përplasjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministrin Rama, i cili u bojkotua në mënyrë demonstrative në sallën e Kuvendit të Kosovës, pasi në fjalën e tij nuk përmendi Ibrahim Rugovën. Marrëdhëniet mes PS-së dhe LDK-së nuk kanë qenë asnjëherë në nivele vëllazërore, megjithëse përplasjet janë mbuluar pa shumë zhurmë, transmeton Lapsi.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button