Memeti: Maqedonia nuk plotëson kapacitetet e nevojshme për trajtimin e refugjatëve

Avokati i Popullit në Republikën e Maqedonisë, Ixhet Memeti, i cili vizoi qendrën për pritje të refugjatëve në Gjevgjeli bashkë me kolegun e tij nga Austria, Gertrude Brinek dhe përfaqësuesin e UNHCR-­së në Maqedoni, Mohammad Arif, deklaroi se Maqedonia nuk i ka plotësuar kapacitetet e nevojshme që të ketë trajnim dhe trajtim human të të huajve, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti theksoi se vendi ka një sistem shumë të dobët për pranimin dhe trajtimin e refugjatëve, ndërsa shtoi se nuk ka përmirësime të mjaftueshme në respektimin e të drejtave dhe lirive të të huajve, të cilët kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.

“Unë sot vërejta se organizimi i kësaj qendre nuk i ka të gjitha elementet apo pjesët e nevojshme. Duke filluar nga hyrja pashë se jo në mënyrë të mirëfilltë të organizuar pranohen këta refugjatë. Pastaj më vrau ajo pjesa e selektimit të të huajve, të cilët kërkojnë mbrojtje në Maqedoni, pasi që i kishin veçuar në një pjesë dhe u informova se para disa ditësh ka pasur persona të cilët kanë kërkuar të trajtohen në procedurë. Organet nuk kanë lejuar një gjë të tillë dhe i kanë kthyer prapa, pa asnjë procedurë, gjë që është shkelje e rëndë e Konventës ndërkombëtare dhe e Ligjit për azil në Maqedoni”, deklaroi Memeti. Ai në vijim theksoi se vendi ka pengesë edhe në procesin e regjistrimit, pasi që regjistrimi realizohet me anë të shkrimit dhe jo në mënyrë elektronike.

Memeti apeloi deri tek qeveria e Maqedonisë të ndajë më tepër mjete për të rregulluar çështjen e regjistrimit elektronik pasi kjo le hapësirë për rreziqe të ndryshme, edhe të shkelen të drejtat e të huajve, por edhe të cenohet siguria e Maqedonisë.

Përfaqësuesi i UNHCR­së në Maqedoni, Mohammad Arif, në lidhje me gjendjen e refugjatëve ekonomikë të cilët qëndrojnë të bllokuar në vendkalimin kufitar greko­maqedonas, deklaroi se refugjatët, përfshirë edhe refugjatëve ekonomikë duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore, dhe se çdo shkelje e të drejtave do të dënohet. “Të gjithë të huajt duhet të trajtohen në mënyrë njerëzore. Edhe nëse janë refugjatë ekonomikë, ekziston një mënyrë për të përcaktuar se a janë emigrantë ekonomikë apo refugjatë, pastaj ka procedura se si të merren me ata. Çdo shkelje e të drejtave njerëzore, në çdo vend do të dënohet”, deklaroi Mohammad Arif.

Nga ana tjetër, Gertrude Brinek mbështeti fjalët e homologut të tij nga Maqedonia, ndërsa theksoi se tanimë qendra për pritjen e refugjatëve duhet të përmirësojë kushtet, përfshirë edhe përshpejtimin e procedurës së regjistrimit, pasi që refugjatët tani do të përballen me motin e ftohtë të stinës së dimrit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button