28 Nëntor: Duhej festuar apo protestuar

Shumica e lexuesve të mij të sotëm do të zgjohen pas një nate kremtimesh. Keni pirë, keni kënduar këngë patriotike dhe keni luajtur në valle. “Hajredin Pasha” dhe “Xhamadani vija vija” kanë kumbuar fuqishëm nëpër sallat e ahengjeve ku organizohen manifestimet kremtuese të 28 Nëntorit. Me të vërtetë një ditë për t’u shënuar, 103 vjetori i lindjes së shtetit shqiptar. Por njëkohësisht edhe një ditë për të menduar dhe medituar. Të tillë e kisha unëkëtë ditë, e kalova duke menduar dhe duke medituar lidhur me shumëcka që ka të bëjë me kombin tim dhe me shtetësinë e tij. Zgjodha të mos kremtoj nëpër ahengje, të mos bëhem dërrasë nga pija dhe të mos shqirrem nga fytat duke “vrarë e prerë armiqtë turq e serbë”. Jo që ju gjykoj juve që e keni bërë këtë. Është mënyrë legjitime për të festuar shtetësinë e Shqipërisë, fundja rruga e saj nuk ka qenë e lehtë për të ardhur deri këtu ku është; kombi im ka kaluar një golgotë të vërtetë për të arritur këtu. “Asketizmi” im në këtë ditë të shënuar nuk më bën as më të mirë, e as më të keq si shqiptar në krahasim me atë që ka kremtuar ndryshe nga unë.

Por ajo që e mendoja sot, që është 28 Nëntor ishte lidhur me një cështje e cila më shtyn shumë shpesh të mendoj dhe të diskutoj, dhe ajo është: ku jemi ne sot? Si shtet dhe si komb. A kemi ndjekur rrugën e vërtetë, apo e kemi gabuar drejtimin. Me siguri që kur gjykohet rruga e kombit në një afat aq të gjatë kohor, ka batica dhe zbatica, ka momente arritjesh dhe momente dështimesh dhe nuk mund të nxirret një rezultat i saktë. Si me cdo komb dhe me cdo shtet tjetër të botës. Por ajo që duhet shikuar dhe gjykuar në këtë moment është ajo që amerikanët e quajnë “the big picture” – të mos gjykosh stacionet e ndryshme historike dhe politike, por destinacionin. Dhe përfundimisht a e kemi nderuar gjakun e dëshmorëve të kombit me gjendjen në të cilën jemi sot. Pra a jemi më mirë apo më keq sesa c’ishim para një shekulli. Është e vështirë për t’u gjykuar dhe për t’u definuar, sepse rrugëtimi i një kombi është i pandalshëm dhe historia nuk i përket të shkuarës, por ajo zhvillohet drejt të ardhmes. Megjithatë një diagnostifikim të situatës mund ta bëjmë, gjithmonë duke u nisur nga prizma e pikëpamjes sonë lidhur me gjendjen e popullit shqiptar sot dhe para 100 vjetëve.

Dallimi është evident: jemi bërë më të ditur, më të shkolluar, më të bukur si komb. Jemi hapur para botës, sepse edhe bota na është hapur neve. Kemi krijuar shtetin tonë qëështë stabil, me ngacmimet e kohëpaskohshme politike mes politikanëve kryenecë, por që gjithsesi ka hyrë në rrugën e synuar qëmoti. Është sot anëtare e NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake botërore që i garanton asaj stabilitetin dhe integritetin territorial. Kemi aleatë të fuqishëm në botën perëndimore, por duke mbajtur lidhjet edhe me botën e lindjes. Deri këtu, motive kremtimi ka me bollëk.

Sot, pjesa më e madhe e territorit dhe e kombit shqiptar jeton jashtë kufijve të tij natyrorë. Jemi të ndarë në pesë shtete, dhe deri para 25 vjetësh nuk kishim fare komunikim me shtetin tonë. Vonë kemi filluar të njhemi mes veti. Rruga jonë për t’u njohur dhe për t’u bërë njëështë shumë e gjatë, sepse përvec marrëdhënieve të pakta ekonomike mes shqiptarëve të Ballkanit, dhe pushimeve vjetore që i kalojmë në plazhet e Shqipërisë, komunikimin e kemi të paktë dhe të pafrytshëm, plot paragjykime. Është e pakapshme e vërteta që shteti shqiptar ka shumë pak njohuri për situatën reale të shqiptarëve që jetojnë jashtë tij. Mungesa e komunikimit fluid është alarmante, dhe duhet të jetë objekt studimi fakti që po i krijojmë vetë kufijtëmes nesh në një botë që në princip synon rrënimin e tyre. Më pengon faktu që shteti shqiptar pasqyrën për shqiptarët e jashtë kufijve e krijonë nga vizitat tek tuk të politikanëve tanë atje. Pra, kanë një pasqyrë të shtrembëruar dhe të pavërtetë për atë se cka bëhet me ne që jemi përtej kufirit, sepse lajmëtarët janë të rrejshëm. Kemi një shtet amë i cili nuk ka një ministri të posacme e cila do të merrej me cështjet e shqiptarëve të Ballkanit, që do të formulonte strategji dhe do të punonte për t’ju ndihmuar atyre për të arritur aty ku kanë synimet. Nuk më kujtohet ndonjë vizitë zyrtare e ndonjë dikasteri politik të Shqipërisë në Maqedoni përshembull, ndonjë ministër, ndonjë kryeministër apo ndonjë president. Ndërkaq jemi aq afër, kemi aq shumë interesa të përbashkëta, aq shumë mall dhe nevojë për ndihmën e shtetit amë. Të tillë nevoje ka edhe Kosova që po kalon krizë të madhe identiteti dhe përkatësie, qëështë në pubertetin e saj dhe duket sikur gjithcka e ka të paqartë. E cka të flitet për shqiptarët e paktë të Serbisë dhe Malit të Zi që vuajnë për një kushtrim mbështetës.

Jemi keq, me të vërtetë keq. Me shumë pak liderë të vërtetë, për të mos thënë asnjë, të shtypur nën trysninë e sllavëve nga njëra anë dhe turqve neo-otomanë nga ana tjetër; me dinjitet të thyer dhe me shpresa të pakta. Të varfër në xhep dhe në ideale. Jemi në depresion. Prandaj nuk ma bëri që të dal të kremtoj. Përkundrazi, kam qejf të shaj dhe të nxjerr mllef. Të pështyj dhe të nxjerr vnerr nga shpirti. I çoroditur nga habia pse, edhe duke e perceptuar gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendemi, nuk veprojmë për të ndryshuar?! 28 Nëntori sot duhej festuar me protesta, jo nëpër ahengje. Por përsëri, nuk dua të gjykoj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button