Ushtria izraelite brenda dy muajve ka vrarë 100 palestinezë

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenjë që nga fillimi i tetorit e deri më tani ka arritur në 100 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë e Palestinës njoftoi se me vrasjen e të riut palestinez Yahya Yesri Taha (21) i cili u qëllua në kokë me armë zjarri nga ushtarët izraelitë, pas përleshjeve të djeshme në qarkun Katan i cili ndodhet në veriperëndim të Jerusalemit, numri i palestinezëve të vdekur ka arritur në 100 persona.

Në deklaratën e kësaj ministrie është theksuar se nga të vrarët 22 janë fëmijë (vajza dhe djem), ndërsa 4 janë gra.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë palestineze Usame en-Neccar në deklaratën e tij të djeshme për gazetarin e AA-së tha se “që nga fillimi i tetorit 3 mijë e 500 palestinezë janë plagosur si pasojë e plumbave të gomës dhe të vërteta të përdorura nga forcat izraelite”.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit theksoi se në sulmet në të njëjtën periudhë jetën e kanë humbur 20 izraelitë dhe 189 janë plagosur. Në deklaratën në të cilën pretendohet se janë kryer 106 sulme nga ana e palestinezëve, u tha se 10 nga këto sulme ishin të armatosura, 12 goditje me automjet, ndërsa 74 goditje me thikë.

– Vritet edhe një tjetër palestinez në Bregun Perëndimor

Në anën tjetër në një pikë kontrolli ushtarak në afërsi të qytetit Nablus të Bregut Perëndimor i cili është nën okupimin izraelit, u vra një palestinez për të cilin pretendohet se “ka bërë përpjekje për një sulm me thikë ndaj policëve të kufirit”.

Në deklaratën me shkrim të ushtrisë izraelite thuhet se “një palestinez i cili zbriti nga automjeti i tij në Zatara (pikë kontrolli ushtarak) bëri përpjekje ti godasë policët e kufirit me thikë. Sulmuesi u vra”.

Në deklaratë nuk u dha informata në lidhje me gjendjen shëndetësore të palestinezit i cili ishte vrarë me pretendim se “ka bërë përpjekje për një sulm”.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar si pasojë e sulmeve të kolonëve hebrenjë ndaj palestinezëve dhe bastisjeve të tyre ndaj xhamisë Al-Aksa. Pothuaj se çdo ditë qëllohen palestinezët të cilët vriten ose plagosen, me pretendimin se “kanë bërë përpjekje për një sulm me thikë ndaj izraelitëve”.

Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor ndodhen nën okupimin izraelit që nga viti 1967. Në Jerusalemin Lindor i cili ndodhet nën okupim jetojnë 200 mijë kolonë hebrenjë, ndërsa në Bregun Perëndimor 400 mijë kolonë hebrenjë.

Sipas të drejtës ndërkombëtare të gjitha vendbanimet të cilat ndodhen këtu konsiderohen si të paligjshme. Ripi i Gazës është nën shtetrrethimin e Izraelit që nga viti 2006.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button