PEN- International deri te Bexheti: Lirojeni gazetarin

Asociacioni për Promovimin e Letërsisë dhe për Mbrojtjen e Lirisë së Shprehjes, PEN-International, ka kërkuar me një letër drejtuar ministrit të Drejtësisë, Blerim Bexheti, lirimin nga paraburgimi të gazetarit Tomislav Kezharovski.

Në letrën e dedikuar ministrit Bexheti, PEN-International shprehet e brengosur për masën e arrestit për gazetarin Kezharovski dhe kërkon lirimin e tij. 

“Ne besojmë se ai duhet liruar pa asnjë vonesë, sepse i vetmi shkak për arrestimin e tij duket se është i lidhur me një tekst të shkruar. Edhe Raportuesi Special i OKB-së për Lirinë e Shprehjes, Frenk La Ru, i cili u pengua të vizitonte Kezharovskin, në qershor të vitit 2013, kërkoi të njëjtën gjë që kërkojmë ne sot”, thuhet në letrën e PEN-International. 

Gazetari ndodhet prej 5 muajsh në paraburgim, në pritje të vendimit të Gjykatës. 

Ai u arrestua në kuadër të aksionit “Likuidimi”, me akuzën se ka bërë zbulimin e identitetit të dëshmitarit të mbrojtur në një proces gjyqësor për vrasje. 

Por, në fakt, artikulli kontestues i gazetarit, është shkruar madje një vit përpara se dëshmitari për të cilin kishte shkruar ai, të merrte statusin e dëshmitarit të mbrojtur. 

Lajme të ngjashme

Back to top button