KOMF: Mos i shfrytëzoni fëmijët për fushatë zgjedhore!

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në emër të misionit për mbrojtjen, respektimin, mirëqenien dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve, apelon tek institucionet vendore e posaçërisht tek subjektet politike, të cilat janë në fushatë elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit 2013, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët për aktivitetet e tyre zgjedhore.

“Nga informacionet dhe raportimet nga terreni kuptohet se partitë politike duke mbajtur aktivitetet e tyre zgjedhore në objektet shkollore, përveç që po pengojnë procesin e rregullt mësimor, po përdorin fëmijët edhe për të promovuar subjektet e tyre politike.Një dukuri e tillë tashmë është bërë praktikë në Kosovë gjatë kohës së realizimit të fushatave elektorale”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Andaj KOMF apelon që:

1. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Drejtoritë Komunale për Arsim dhe shkollat duke u bazuar në Ligjin për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës Nr. 03/L-068, të mos lejojnë asesi që procesi mësimor të pengohet gjatë fushatës zgjedhore;

2. Fëmijët të mos përdorën në takime si promovues të fushatave;

3. Të mos shfrytëzohen ambientet shkollore gjatë fushatave elektorale të subjekteve politike;

4. Mediat elektronike dhe ato të shkruara që mbulojnë fushatën zgjedhore, të marrin një rol aktiv për publikimin e rasteve ku fëmijët shfrytëzohen për qëllime partiake gjatë fushatës elektorale;

5. Prindërit të vetëdijësojnë fëmijët e tyre për të mos e ndërprerë procesin mësimor, për pjesëmarrje në fushatat elektorale të partive politike.

KOMF mbetet në pritje të marrjes së masave të menjëhershme nga autoritetet përkatëse që kjo gjë të ndalohet.

Ky reagim shprehet në emër të pesëmbëdhjetë organizatave joqeveritare për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, që janë anëtare të Koalicionit që nga qershori 2011, kur është themeluar KOMF.

Ndryshe, Organizatat anëtare të KOMF janë: Associazione Amici dei Bambini, Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim – ASTRA, Iniciativa 6, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit me qenie njerëzore – MVPT, One to One Children’s Fund, One To One Kosova – Qendra e Këshillimit për Familje, Organizata Rinore Akti, Save the Children, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë, Terre des homes, World Vision, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, OPFAKKOS, Programi për të Drejtat Civile dhe Qendra për Arsim e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button